E shtunë, 26 Shtator, 2026

SHBA 3 vite pa ambasador në Tiranë, Eric Wendt nis misionin! Ambasada: Do të çojë para prioritetet e Trump! Begaj: Partneriteti, i pazëvendësueshëm

Share

Mesditën e kësaj të shtune, ambasadori i ri i SHBA-së në Shqipëri, Eric Wendt, i dorëzoi letrat kredenciale Presidentit të Republikës, Bajram Begaj, duke nisur kështu zyrtarisht detyrën si përfaqësues i Shteteve të Bashkuara në vendin tonë.

Në orën 10:47, eskorta që shoqëronte ambasadorin Wendt hyri në Pallatin e Brigadave, ku është zhvendosur përkohësisht selia e Presidencës.

24 orë pas mbërritjes së tij në Shqipëri, Wendt i dorëzoi Begajt letrat kredenciale, të cilat, sipas Konventës së Vjenës, shënojnë fillimin zyrtar të detyrës së një ambasadori në vendin pritës.

Me Presidentin Begaj, Wendt qëndroi rreth 90 minuta dhe më pas u nis drejt selisë diplomatike në Rrugën e Elbasanit, e cila nuk ka pasur një ambasador fuqiplotë që prej 26 qershorit 2023.

Pas takimit Ambasada Amerikane tha në një deklaratë se Ambasadori Wendt dhe presidenti Begaj diskutuan për çuarjen përpara të përparësive të administratës së Presidentit Donald J. Trump, përfshirë bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes, rritjen ekonomike dhe luftën kundër grupeve kriminale transnacionale.

Në një njoftim për mediat, Presidenca bëri të ditur se Begaj rikonfirmoi vendosmërinë e Shqipërisë për forcimin e partneritetit strategjik me Shtetet e Bashkuara. Kreu i Shtetit u shpreh se Shqipëria do të vijojë të angazhohet plotësisht në thellimin e marrëdhënieve, duke u mbështetur në përparësitë e politikës së saj të jashtme dhe në përgjegjësitë që burojnë nga marrëdhënia e ngushtë mes dy vendeve.

“Shtetet e Bashkuara janë një partner i pazëvendësueshëm për avancimin e interesave kombëtare”, theksoi Begaj.

Eric Wendt është ambasadori i 11-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në vendin tonë që prej vitit 1991, kur mes dy vendeve u rivendosën marrëdhëniet diplomatike. Ai pason në këtë detyrë Yuri Kim, ndërsa prej vitit 2023 Ambasada e SHBA-së është drejtuar nga Nancy VanHorn si e ngarkuar me punë.

Eric Wendt është një ushtarak në pension, i cili ka shërbyer për rreth 34 vjet në ushtrinë amerikane, pjesën më të madhe në Forcat Speciale. Gjatë fjalës së tij në Senat, përpara konfirmimit, ai renditi katër prioritetet e mandatit të tij në Shqipëri, mes tyre mbështetjen e vendit në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar ndërkombëtar, rritjen e shpenzimeve për mbrojtjen drejt objektivit prej 5% të PBB-së, si dhe promovimin e diplomacisë ekonomike dhe mbrojtjen e interesave amerikane në Shqipëri.

4 prioritetet e shpallura nga Wendt

1- Mbrojtja e qytetarëve amerikanë dhe avancimi i interesave amerikane, përfshirë mbështetjen e Shqipërisë në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar ndërkombëtar.

2- Mbështetja e progresit të Shqipërisë për rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes në 5% të PBB-së deri në vitin 2035.

3- Promovimi i diplomacisë ekonomike dhe tregtare në dobi të qytetarëve.

4- Fokusi te njerëzit e ambasadës, duke përfshirë një linjë pune që e quajti “Faktorët njerëzorë”, e cila do të synojë përdorimin e mënyrave standarde dhe kreativitetit.

Eric Wendt nis misionin në Tiranë, Ambasada e SHBA: Do çojë para prioritetet e Trump, përfshi luftën kundër grupeve kriminale

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë ka njoftuar se ambasadori Eric Wendt i paraqiti sot letrat kredenciale Presidentit Bajram Begaj.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Ambasada e SHBA-së në Tiranë ka shkruar se ambasadori Wendt dhe Presidenti Begaj riafirmuan partneritetin e fortë mes Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë, si dhe çuarjen përpara të përparësive të administratës së Presidentit amerikan Donald Trump, përfshirë bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes, rritjen ekonomike dhe luftën kundër grupeve kriminale transnacionale.

Reagimi i Ambasadës së SHBA-së:

Mirë se vjen, Ambasador Wendt! Ambasadori i ri i Shteteve të Bashkuara në Shqipëri, Eric Wendt, i paraqiti letrat kredenciale Presidentit Bajram Begaj. Ambasadori Wendt dhe Presidenti Begaj riafirmuan partneritetin e fortë mes Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë dhe diskutuan për çuarjen përpara të përparësive të administratës së Presidentit Donald J. Trump, përfshirë bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes, rritjen ekonomike dhe luftën kundër grupeve kriminale transnacionale.

Ambasadori i ri amerikan nis misionin në Tiranë, Begaj: SHBA, partner i pazëvendësueshëm, thellojmë marrëdhëniet mes dy vendeve

Presidenti Bajram Begaj pranoi letrat kredenciale të ambasadorit të ri të SHBA-së në Tiranë, Eric Wendt, duke i uruar suksese në detyrë. Kreu i Shtetit rikonfirmoi angazhimin e Shqipërisë për forcimin e partneritetit strategjik me SHBA-në, të cilën e cilësoi “partner të pazëvendësueshëm për avancimin e interesave kombëtare”.

Njoftimi i plotë i Presidencës

Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Bajram Begaj, priti sot Ambasadorin e ri të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, Sh. T. Z. Eric Ëendt, me rastin e paraqitjes së Letrave Kredenciale. Presidenti i Republikës i pranoi Letrat Kredenciale Ambasadorit amerikan dhe i uroi suksese në këtë mandat. Kreu i Shtetit rikonfirmoi vendosmërinë e Shqipërisë për forcimin e partneritetit strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në këtë kuadër, Presidenti Begaj u shpreh se Shqipëria do të vijojë të angazhohet plotësisht në thellimin e marrëdhënieve, duke u mbështetur në përparësitë e politikës së saj të jashtme dhe në përgjegjësitë që burojnë nga marrëdhënia e ngushtë.

“Shtetet e Bashkuara janë një partner i pazëvendësueshëm për avancimin e interesave kombëtare”, – theksoi Presidenti Begaj.

Pas ceremonisë zyrtare të Letrave Kredenciale, Presidenti Begaj zhvilloi një takim kokë më kokë me Ambasadorin Wendt.

Te tjera

Lajme te tjera