E enjte, 6 Gusht, 2026

“Thurja e Qilimave”, pasuritë e konfiskuara kthehen në hapësira arti dhe zhvillimi social

Share

Në mjediset e Publik Galeri në Tiranë është çelur ekspozita “Thurja e Qilimave”, një prezantim i punimeve artizanale të grave të sipërmarrjes sociale “Tradita ime Artizanale”, duke sjellë një histori suksesi të ripërdorimit social të pasurive të konfiskuara.

Ekspozita zhvillohet në një hapësirë të dedikuar artit, kulturës dhe aktiviteteve komunitare, e ngritur po në një pasuri të konfiskuar dhe e administruar nga Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara (AAPSK). Ajo krijon një lidhje simbolike mes dy pasurive të konfiskuara që sot i shërbejnë interesit publik: një qendre prodhimi në Elbasan, ku prej vitesh zhvillon aktivitetin sipërmarrja sociale “Tradita ime Artizanale”, dhe hapësirës ekspozuese në zemër të Tiranës, ku punimet e grave artizane prezantohen për publikun.

Kryeadministratorja e AAPSK-së, Risena Xhaja, u shpreh se ky aktivitet përfaqëson një shembull konkret të transformimit të pasurive të konfiskuara në mundësi zhvillimi ekonomik, social dhe kulturor.

“Pasuritë e konfiskuara nuk duhet të mbeten asete të ngrira, por të rikthehen në funksion të komunitetit. Prej vitesh një pronë e konfiskuar në Elbasan shërben një qendër prodhimi dhe punësimi për gratë, ndërsa një tjetër pronë e konfiskuar në Tiranë prej pak muajsh shërben si hapësirë për promovimin e artit dhe kulturës. Ky është modeli që synojmë të zgjerojmë: transformimin e pasurive të përfituara nga veprimtaria kriminale në mundësi zhvillimi ekonomik, social dhe kulturor për qytetarët”, tha Risena Xhaja.

Sipas saj, modele të tilla dëshmojnë se këto pasuri mund të kthehen në vlera konkrete për qytetarët dhe komunitetin, duke krijuar mundësi të reja për zhvillim dhe përfshirje sociale.

Drejtuesi i Fondacionit “Joscelyn”, Saimir Bakalli, theksoi se ekspozita synon të promovojë jo vetëm mjeshtërinë tradicionale të thurjes së qilimave dhe sixhadeve, por edhe historitë njerëzore të grave që qëndrojnë pas çdo krijimi.

Ekspozita sjell një koleksion të pasur qilimash, sixhadesh dhe punimesh të tjera tradicionale të realizuara me teknika artizanale, ku ruhen motive dhe elemente të trashëgimisë kulturore shqiptare të përcjella ndër breza. Ajo përbën një shembull të bashkëpunimit mes institucioneve publike dhe organizatave të shoqërisë civile, duke treguar se pasuritë e konfiskuara mund të shndërrohen në hapësira që promovojnë kulturën, mbështesin sipërmarrjet sociale dhe krijojnë mundësi të reja për komunitetin.

Te tjera

Lajme te tjera