E premte, 6 Nëntor, 2026

Progresraporti i KE, Rama: Moment historik, historia s’do na e falte një dështim! Ambasadorja e BE mesazh në shqip: Keni ecur para

Share

“Shqipëria ka ecur përpara”, tha në shqip ambasadorja e BE-së, Sofia Moreira de Sousa, teksa i dorëzoi kryeministrit Edi Rama progresraportin e Komisionit Europian. “Raporti më i mirë i progresit që Shqipëria ka marrë ndonjëherë”, e cilësoi kreu i qeverisë.

Me këto vlerësime e nisën konferencën e posaçme për mediat pas dorëzimit zyrtarisht të progres raportit të Komisionit Evropian, Kryeministri Rama dhe ambasadorja e BE-së, Sofia Moreira de Sousa.

Për kreun e qeverisë shqiptare progres raporti tregon se fati i integrimi evropian të Shqipërisë varet i gjithë nga sjellja e Tiranës zyrtare.

“Fati europian i Shqipërisë është sot i gjithi në duart tona. Ky është lajmi kryesor i raportit. Shqipëria futet në kilometrin e fundit të negociatave për anëtarësim në BE. Ky kilometër i fundit ka një mijë metra të tjerë për të përshkuar dhe në çdo metër ka njëqind centimetra për të kapërcyer”, tha Rama. 

Pyetjes nëse Shqipëria mund të jetë anëtare e Bashkimit Evropian në vitin 2029 përfaqësuesja e Brukselit në Tiranë iu përgjigj kështu.

“Shkurt është e mundshme, por është punë shumë sfiduese. Shqipëria deri më tani ka treguar që ka mundësinë të përballet me këto sfida, kështu që nuk kam arsye për të dyshuar. Pra kemi një kalendar të caktuar dhe gjithçka do të varet nga ritmi dhe mënyra se si do të miratohen këto reforma dhe se si do të vihen ato në zbatim”, tha de Sousa.

Rama dhe De Sousa nuk i lanë pa cekur edhe kritikat e Komisionit Evropian në raport.

“Raporti po ashtu vlerëson vonesën në gjykata, çështjet e korrupsionit, po kështu raporti ngre shqetësime serioze për funksionimin e institucioneve demokratike, lirinë e medias dhe mbrojtjen e mjedisit. Ai trajton edhe protestat e kohëve të fundit, duke vendosur gishtin te plagët e dhunës. Kurse dialogu vlerësohet si zgjidhja, ku duhet të angazhohemi të gjithë seriozisht. Asnjë konstatim i progresraportit nuk mund të anashkalohet. Kështu duhet të mësohemi ne ta shohim ecurinë e vazhdueshme pozitive të Shqipërisë, duke mos mbyllur sytë nga problemet reale”, theksoi Rama.

“Raporti konstaton se ndryshimet e vitit 2024 në ligjin për zonat e mbrojtura dhe zgjatje të përsëritura të ligjit për investime strategjike kanë sjellë përkeqësim të mbrojtjes së natyrës. Dispozitat që bien ndesh me njëra-tjetrën duhet të shfuqizohen ndërsa projektet madhore përfshirë atë të planifikuar në Zvërnec do të vlerësohen përkundrejt standardeve të BE-së. Pakënaqësitë duhet të zgjidhen përmes një dialogu të mirëfilltë”, theksoi ambasadorja.

Kryeministri edhe një herë e theksoi se sa historik është ky moment për vendin.

“Kjo duhet kuptuar nga Parlamenti qeveria, gjyqësori dhe para të gjithëve duhet ta kuptojë shumica jonë qeverisë. Mundësia që kemi sot është unikale, historike dhe nuk është aty përgjithmonë. Historia nuk do na e falte kurrë bjerrjen e kësaj mundësie për shkakun tonë”, tha Rama.

Komisioni Europian përmes progres-raportit të përvitshëm për Shqipërinë vlerësoi se Shqipëria ka bërë përparim në pjesën dërrmuese të kapituj që po negocion me Brukselin, ndërsa një risia e këtij viti ishte udhërrëfyesi që përcakton rrugëtimin e vendit deri në anëtarësimin e plotë.

Dokumenti përcakton që deri në fund të 2027-s të mbyllen 31 kapitujt e mbetur, ndërsa Këshillit të BE-së iu kërkua të nisë që vitin e ardhshëm hartimi i Traktatit të Anëtarësimit.

Te tjera

Lajme te tjera