E enjte, 1 Tetor, 2026

Festoi 62-vjetorin, Monica Bellucci tregon sekretin e bukurisë: Ha mirë, pi mirë, bëj seks të mirë dhe qesh shumë

Share

Aktorja italiane ka zgjedhur të mos e kthejë kujdesin për trupin në një betejë të përditshme me ushqimin apo moshën. Edhe pse është një nga ikonat më të njohura të bukurisë në kinematografinë botërore, ajo nuk ndjek dieta ekstreme dhe nuk e sheh stërvitjen intensive si kusht për të ruajtur formën.

Bellucci, e cila mbushi 62 vjeç këtë javë, ka ndarë ndër vite filozofinë e saj për ushqimin, aktivitetin fizik dhe plakjen, duke treguar se preferon një stil jetese ku kënaqësitë e vogla nuk kanë pse të përjashtohen.

Në një intervistë të vitit 2015, aktorja e përmblodhi mënyrën e saj të të jetuarit me një fjali që është bërë ndër më të cituarat e saj:

“Ha mirë, pi mirë, bëj seks të mirë dhe qesh shumë.”

Pasta dhe ëmbëlsirat janë ndër ushqimet që ajo nuk ka ndërmend t’i heqë nga menuja, ndërsa herë pas here shijon edhe një gotë verë. Edhe pse i kushton vëmendje mënyrës së të ushqyerit, Bellucci nuk beson te privimi i vazhdueshëm.

Stili i saj ushqimor përshkruhet si i afërt me dietën mesdhetare, ku përfshihen fruta, perime, vaj ulliri, arra, avokado dhe burime proteinash me pak yndyrë. Ajo i kushton rëndësi edhe sasisë së ushqimit, duke ruajtur një ekuilibër mes asaj që i bën mirë trupit dhe asaj që i pëlqen.

Në rutinën e saj përfshihen pesë vakte në ditë: tri vakte kryesore dhe dy mesvakte të lehta.

Edhe në aspektin e aktivitetit fizik, aktorja nuk është adhuruese e sforcimeve të tepërta. Pilates dhe noti janë ndër zgjedhjet e saj, ndërsa në disa periudha ka treguar se noton disa herë në javë, për rreth 45 minuta.

“Ushtrohem, sigurisht, pak, dhe mbaj dietë pak kur duhet të punoj, por nuk jam e fiksuar pas kësaj”, është shprehur ajo.

Bellucci nuk e ka fshehur asnjëherë se format e saj janë pjesë e natyrës së saj dhe se nuk ka synuar të jetë tepër e dobët.

“Kam qenë gjithmonë një grua me forma, nuk kam qenë kurrë aq e dobët; kjo është natyra ime”, ka deklaruar aktorja.

Por përtej ushqimit dhe kujdesit fizik, filozofia e saj më e veçantë lidhet me mënyrën se si e përjeton kalimin e viteve. Bellucci ka kundërshtuar vazhdimisht presionin që gratë të mbeten gjithmonë të reja dhe ka folur për dëshirën për ta pranuar plakjen pa frikë.

“Dua të plakem në një mënyrë paqësore. Kur je 50 apo 60 vjeç, nuk ke të njëjtat nevoja si kur je 20”, është shprehur ajo.

Sipas aktores, mosha nuk duhet parë si humbje, por si një mundësi për të përjetuar jetën me më shumë pjekuri dhe qetësi.

“Të plakesh do të thotë se ke fatin të jesh gjallë dhe ke ende një horizont përpara. Për më tepër, pjekuria sjell një dhuratë të mrekullueshme: shkëputjen.”

Duke folur për standardet e pamjes në industrinë e filmit, ajo është shprehur me humor:

“Nëse plakesh dhe e pranon procesin me dinjitet, ose vdes. Duke e parë kështu, unë preferoj të plakem një mijë herë.”

Për Monica Belluccin, bukuria nuk është thjesht çështje pasqyre apo përpjekje për të ndalur kohën. Ajo lidhet me mënyrën se si një grua ndihet me veten, me lirinë për të shijuar jetën dhe me pranimin e çdo etape të saj.

Te tjera

Lajme te tjera