E premte, 6 Nëntor, 2026

Berisha: Narko-eurot u kanë grabitur shqiptarëve 250 miliardë lekë kursime! Çmimet në Shqipëri janë rritur 6 herë më shumë se në BE

Share

Kryetari i Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha, ka akuzuar qeverinë se paratë e përfituara nga trafiku i drogës dhe pastrimi i tyre në Shqipëri po shkaktojnë pasoja të rënda në ekonominë e vendit, duke zhvlerësuar kursimet e qytetarëve dhe duke ndikuar në rritjen e çmimeve.

Në konferencën për mediat ditën e sotme, Berisha deklaroi se nga viti 2020 deri në vitin 2025, qytetarët shqiptarë kanë humbur rreth 250 miliardë lekë nga zhvlerësimi i depozitave në euro dhe dollarë.

Sipas shifrave të paraqitura prej tij, depozitat individuale në euro janë rritur nga 965 milionë euro në vitin 2020 në 2 miliardë euro në vitin 2025, ndërsa kursi i këmbimit të euros ka rënë nga 123.7 lekë në 96.7 lekë. Berisha theksoi se vetëm nga zhvlerësimi i kursimeve në euro qytetarët kanë humbur 236 miliardë lekë, ndërsa duke përfshirë edhe depozitat në dollarë, humbjet arrijnë në rreth 250 miliardë lekë.

Kryetari i PD e lidhi këtë zhvlerësim me hyrjen e parave nga aktivitetet kriminale në ekonominë shqiptare, duke akuzuar qeverinë dhe institucionet se nuk po marrin masa për të frenuar fenomenin.

Berisha iu referua edhe një ankete të revistës “Monitor”, sipas së cilës 89% e bizneseve dhe 67% e individëve të pyetur e konsiderojnë negativ ndikimin e zhvlerësimit të euros në ekonominë e tyre.

Ai kundërshtoi gjithashtu argumentin se rënia e euros lidhet kryesisht me rritjen e numrit të turistëve, duke sjellë si shembull vitin 2022, kur, sipas shifrave që prezantoi, pavarësisht fluksit prej 9 milionë turistësh, euro këmbehej me 127 lekë.

Sipas Berishës, ndërhyrjet e Bankës së Shqipërisë përmes hedhjes në treg të sasive të mëdha të lekut për të blerë euro kanë ndikuar në rritjen e çmimeve. Ai deklaroi se çmimet e ushqimeve në Shqipëri janë rritur gjashtë herë më shumë se në Bashkimin Europian, duke thelluar hendekun mes pagave dhe kostos së jetesës.

Gjatë konferencës, Berisha u ndal edhe te protesta studentore, duke u bërë thirrje qytetarëve që t’i bashkohen tubimit të së shtunës në mbështetje të studentëve. Ai e cilësoi suksesin e revoltës studentore si një sukses për të gjithë shqiptarët.

Sa i përket bashkëpunimit me partitë e reja opozitare, lideri opozitar përsëriti ftesën për krijimin e një fronti të përbashkët kundër qeverisë së Edi Ramës, me synimin për krijimin e një qeverie teknike dhe zhvillimin e reformës zgjedhore.

I pyetur se kush do ta zëvendësonte Edi Ramën në rast largimi nga pushteti, Berisha e cilësoi këtë pyetje si komprometuese dhe deklaroi se Shqipëria ka qindra politikanë dhe intelektualë që mund të marrin përgjegjësinë për të rivendosur shtetin ligjor.

“Të shtrosh pyetjen ‘Të ikë narkodiktatori, po kush do vijë?’, do të thotë të jesh skllav i narkodiktatorit”, u shpreh Berisha.

Te tjera

Lajme te tjera