Në Kryegjyshatën Botërore Bektashiane u zhvillua konferenca jubilare me rastin e 35-vjetorit të rihapjes së Kryegjyshatës Bektashiane.
Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Bujar Spahiu, në fjalën e tij përshëndetëse në këtë aktivitet, u shpreh se është kënaqësi dhe nder të jetë i pranishëm në këtë ditë jubilare, për të përcjellë urimet për Kryegjyshatën Botërore Bektashiane.
“Tema e këtij simpoziumi është më shumë se një titull i bukur. Ajo përmbledh një të vërtetë që shoqëria shqiptare e ka kuptuar ndër breza: besimi, kur kuptohet në thelbin e tij, nuk ndërton mure mes njerëzve, por ura; nuk ushqen përçarjen, por respektin”, tha Spahiu.
Ai theksoi se Shqipëria, pavarësisht se është një vend i vogël, ka një përvojë të jashtëzakonshme njerëzore në bashkëjetesën dhe harmoninë ndërfetare.
“Shqipëria është një vend i vogël, por me një përvojë të jashtëzakonshme njerëzore. Dallimet fetare nuk janë shndërruar në arsye për të mohuar njëri-tjetrin, përkundrazi. Shqipëria ka ditur të ndërtojë një hapësirë ku myslimani, bektashiu, katoliku, ortodoksi, ungjillori dhe çdo qytetar tjetër mund të ndihen pjesë e së njëjtës familje shoqërore”, u shpreh ai.
Në përfundim të fjalës së tij, Spahiu nënvizoi rëndësinë e ruajtjes së kësaj harmonie si një vlerë të përbashkët të shoqërisë shqiptare.
“Harmonia ndërfetare është amanet për gjithsecilin prej nesh”, tha kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë.
Konferenca Jubilare mbledh përfaqësues të komunitetit bektashian dhe të komuniteteve të tjera fetare, në një veprimtari kushtuar historisë, trashëgimisë dhe kontributit të Kryegjyshatës Botërore Bektashiane.
