Rigels Seliman
Brenda më pak se 24 orëve nga rrjedhja e drafteve teknike në media, kryeministri Edi Rama ka bërë një kthesë të fortë strategjike gjatë prezantimit zyrtar të Paketës Fiskale 2027. Pasi u përfol për një rritje agresive të tatim-fitimit të korporatave në 17%, Rama u tërhoq duke deklaruar dje gjatë një komunikim për mediat se kjo normë do të qëndrojë e paprekur në 15%.
Biznesi i vogël po ashtu do të vijojë me taksë zero mbi fitimin deri në vitin 2029. Megjithatë, kjo “paqe” me biznesin e madh vjen me një faturë të kripur diku tjetër. Qeveria ka dizajnuar një skemë rishpërndarjeje, ku nga njëra anë ulet TVSH-ja e shportës dhe taksa mbi pagat, ndërsa nga ana tjetër shpërthen një valë “supertaksash” mbi dividendin, pronat dhe turizmin.
Kush fiton nga Paketa Fiskale 2027?
• Ulje e TVSH-së për Shportën: Për herë të parë, qeveria reagon ndaj shtrenjtimit të jetesës duke ulur TVSH-në nga 20% në 6% për 54 produkte ushqimore bazë. Kjo masë synon të lehtësojë xhepat e konsumatorëve të thjeshtë.
• Taksat mbi Pagat: Ndryshon skema e taksimit të punës. Qeveria njoftoi uljen e fashave të taksimit mbi pagat (nga skema aktuale 13-23%), duke lënë më shumë para neto në llogaritë e punëmarrësve.
• Hiqet Taksa e Qarkullimit: Qeveria do të heqë taksën e qarkullimit nga çmimi i naftës dhe benzinës. Megjithatë, kjo masë nuk përfaqëson një eliminim të plotë të detyrimit, por një zhvendosje strategjike të barrës fiskale. Sipas deklaratës zyrtare, barra financiare do të transferohet direkt mbi zotëruesit e mjeteve.
Sipas skemës së re të prezantuar pas mbledhjes së qeverisë, kjo taksë—e cila aktualisht është 27 lekë pa TVSH (ose 32.4 lekë për litër e llogaritur me TVSH-në prej 20%)—nuk do të paguhet më nga qytetarët në momentin që furnizojnë mjetin, por do të zhvendoset si një detyrim i drejtpërdrejtë mbi zotërimin e automjetit dhe do të vjelet përmes drejtorisë përkatëse të shërbimeve të transportit.
Paralelisht me këtë ndryshim, kreu i qeverisë bëri me dije se do të aplikohet edhe një tarifë e re hyrëse fiskale për të gjitha mjetet me targa të huaja që futen në territorin e Republikës së Shqipërisë. Taksa e qarkullimit mbi karburantet daton që nga viti 2011, periudhë kur nisi me vetëm 5 lekë për litër, për t’u rritur në mënyrë progresive deri në vitin 2015, kur u fiksua në nivelin aktual prej 27 lekësh.
Megjithatë, gjatë njoftimit të kësaj reforme, kryeministri nuk specifikoi detaje kyçe se si do të përllogaritet taksa e re e makinave, sa do të jetë vlera e saj konkrete për pronarët e mjeteve apo tarifa që do t’u ngarkohet automjeteve të huaja.
Kush ndëshkohet dhe ku rriten taksat?
• Goditje fatale te Dividendi: Ortakët dhe aksionerët e korporatave do të përballen me një rritje radikale të tatimit mbi dividendin, i cili pothuajse dyfishohet duke kërcyer nga 8% në 15%.
• Rritet TVSH-ja Standarde me 1%: Për të kompensuar humbjet e shportës, norma standarde e TVSH-së për të gjitha mallrat dhe shërbimet e tjera rritet nga 20% në 21%.
• Ulet pragu i TVSH-së: Bizneset e vogla do të futen më shpejt në skemën e TVSH-së, pasi qeveria ka vendosur të ulë pragun ekzistues të xhiros nga 10 milionë lekë në 5 milionë lekë. Preken 17 mijë e 500 biznese dhe ata qëgoditen më rëndë janë profesionet e lira.
• Turizmi paguan më shumë: TVSH-ja për hotelet dhe strukturat akomoduese rritet nga 6% në 10%. E vetmja që shpëton nga kjo rritje është kategoria e agroturizmit, e cila mbetet e mbrojtur.
“Supertaksat” e reja
1. Supertaksë për apartamentet bosh: Pronarët që mbajnë apartamente të dyta apo të treta të pashfrytëzuara (bosh) do të paguajnë një taksë të jashtëzakonshme mbi pronën.
2. Supertaksë për vilat në bregdet: Çdo vilë e pozicionuar në vijën e parë apo zonat bregdetare të luksit do të ngarkohet me tarifa të reja të larta.
3. Uji i pishinave me çmim të shumëfishuar: Për të mbrojtur burimet ujore dhe për të taksuar luksin, furnizimi me ujë për pishinat private dhe resorteve do të faturohet me çmime shumë herë më të larta se uji i konsumit të rregullt.
4. Supertaksë për makinat e luksit: Automjetet me kubaturë dhe vlerë të lartë do të paguajnë tarifa të shtuara regjistrimi dhe qarkullimi.
5. Taksa Digjitale: Influencerët e rrjeteve sociale (Instagram, TikTok, YouTube) dhe i gjithë sektori i tregtisë online (E-commerce) do të futen zyrtarisht në rrjetën e tatimeve përmes një takse të posaçme digjitale. /gazeta sot/
