E shtunë, 31 Tetor, 2026

“Pse nuk e jep dorëheqjen Rama?”/ Qefalia: Kryeministri nuk ka ardhur në mënyrë klandestine! Ka një mision për të çuar Shqipërinë në BE

Share

Zëvendësministri i Brendshëm Xhemal Qefalia, në një intervistë në një studio televizive diskutoi për protestat dhe rolin e policisë.

Qefalia u pyet nga gazetari se përse nuk përmbushet kërkesa kryesore e protestuesve, dorëheqja e kryeministrit Edi Rama.

Qefalia deklaroi se Rama kryeministër nuk ka ardhur klandestin, është votëbesuar nga populli shqiptar dhe se ka një mision për të përmbushur.

“Kryeministri nuk ka ardhur në mënyrë klandestine. Ka një detyrë për të përmbushur përpara qytetarëve shqiptarë. Ka premtuar që do të dërgojë Shqipërinë në BE.

 Përfaqësuesit e Bashkimit Europian deklarojnë se Shqipëria ka shënuar hapa përpara drejt Brukselit dhe shpresojmë që bashkë me fitoren e zgjedhjeve të vitit 2027, të kemi përparim të rëndësishëm edhe drejt BE-së. Uroj që të hyjmë në Bashkimin Europian sa më shpejt”, tha Qefalia.

Më tej, shtoi se policia është e shtetit shqiptar dhe nuk është e kryeministrit Rama. Sipas tij, kryeministri një ditë dhe mund të ndryshojë, ndërsa efektivët e kanë për detyrë që të mbrojnë rendin dhe sigurinë.

“Policia është lincuar dhe qëlluar. Efektivi është qytetar dhe kur nuk garanton rendin e sigurinë, ai përgjigjet penalisht. Janë 12 mijë punonjës policie dhe ka pasur efektivë që e kanë tejkaluar detyrën dhe do përgjigjen. Policia është e detyruar të përmbushë misionin. Dhe njëherë, policia është e shtetit shqiptar, nuk është e kryeministrit shqiptar”, u shpreh Qefalia.

Në lidhje me faktin që disa persona me shkopinj në duar dolën që të mbrojnë selinë e PS-së, Qefalia theksoi se çdo institucion meriton të mbrohet, ashtu siç e parashikon ligji. U shpreh se nuk mendon se selitë e partive politike duhet të mbrohen me hunj.

“Unë nuk mendoj se selitë e partive politike duhet të mbrohet me hunj. Çdo objekt ka nevojë të mbrohet. Duhet marrë në konsideratë dhe se kush i nxit këto persona, për të sulmuar një seli të caktuar. A patë aty që disa persona që dyshohen për akte të dhunës shkuan në selinë ‘mëmë’. Selia e çdo subjekti politik duhet që të mbrohet, siç e përcakton ligji”, tha Qefalia.

Në pyetjen se a janë veshur policë në protesta edhe persona që nuk kanë mbaruar shkollë Policie, Qefalia nënvizoi se ky është një pretendim i pavërtetë. Për të, vendosja e minorenëve në krye të protestës është një veprim i gabuar.

“Kjo nuk është e vërtetë. Ashtu si punonjësi i policisë duhet të jetë me numër identifikimi, ashtu edhe protestuesit duhet të jenë pa maskë. Policia ka numër identifikimi, duhet ta ketë. Nuk duhet të përdoren minorenë, për t’i vendosur në krye të turmës. Kushdo që ka dhunuar protestues, duke tejkaluar kompetencat, është pezulluar nga puna”, u shpreh zv ministri.

Më tej, Qefalia vlerësoi se pagat e punonjësve të policisë u rritën, sepse ata u përballën me një situatë të jashtëzakonshme.

“Rritja e pagave është deklaruar nga drejtori i Policisë që para protestës. Ka një pyetje se përse janë shpërblyer punonjësit e policisë? Shpërblehen sepse janë duke mbrojtur sigurinë publike, janë duke mbrojtur bizneset, që po dëmtohen”, deklaroi Qefalia.

Për transferimin e kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj nga burgu i Durrësit drejt Fierit, Qefalia tha se është kompetencë e Drejtorisë së Burgjeve. Shtoi se i vjen keq nga ana njerëzore për Veliajn, për situatën në të cilën ndodhet kryetari i Bashkisë së kryeqytetit.

“Nuk di që të jetë sekret transferimi. Di se kompetenca për transferimin e ka Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve. Mua më vjen keq nga pikëpamja njerëzore për zotin Veliaj. Uroj që të jetë fitues, përballë akuzave që i janë ngritur. Kam bashkëpunuar shumë mirë me të përpara se të përballet me drejtësinë dhe ka sjellë rezultate të shkëlqyera për PS-në. Ministria e Drejtësisë duhet të kryejë të gjitha veprimet dhe është burimi më i besueshëm zyrtar për rastin”, tha zv ministri.

Te tjera

Lajme te tjera