Fatos Nano, ish-kryeministri dhe një nga njerëzit më të rëndësishëm të politikës shqiptare, kujtohet sot në një vjetorin e ndarjes nga jeta. Ai mbylli sytë përgjithmonë të premten e 31 Tetorit 2025, pasi mjekët nuk mundën ta zgjonin dot më nga terapia intensive, ku ndodhej prej 22 ditësh.
Lideri historik i të majtës ishte 73 vjeç dhe la pas bashkëshorten Xhoana Nano, djalin që kishte nga martesa me të, Klajdin, si dhe dy fëmijët nga martesa e parë me Rexhinën, Sokolin dhe Edën.
Fatos Nano shërbeu si kryeministër në tranzicionin e fundit të qeverisë komuniste të 91-shit ndërsa mori drejtimin e Partisë Socialiste që në datën e themelimit, të cilën shumë vite më vonë ia dorëzoi Edi Ramës.
Bëri burg për akuzën e shpërdorimit të detyrës dhe vjedhje, por pas më shumë se tre vite në qeli, ai ia doli. Koha i dha të drejtë për një burgosje politike. Fatos Nano, u rikthye fuqishëm duke fituar zgjedhjet përballë kundërshtarit të kohës, Sali Berisha në vitin 1997.
Ai shërbeu si deputet i Kuvendit të Shqipërisë nga viti 1991 deri në 1993 dhe nga 1997 deri në 2009. Ish-kryeministri i Shqipërisë mori titullin “Doktor i Shkencave” në fushën e ekonomisë ndërsa në vitin 2000 titullin “Profesor Doktor” po në të njëjtën fushë.
Në vitin 2000 në Universitetin Ndërkombëtar të Milanos, Fatos Nano mori titullin “Doktor Honoris Causa”, në fushën e Ekonomisë dhe Teknikës së Komunikimit dhe po në këtë vit merr titullin e nderit “Doktor Honoris Causa”, në fushën e shkencave ekonomike, nga Universiteti i Barit (Itali).
