Pas 14 orëve seancë maratonë, me 80 votat e socialistëve u miratua në parim në Kuvend buxheti për vitin 2027 prej 10 miliardë eurosh, në një seancë maratonë që foli më shumë për tensionet e brendshme në mazhorancë sesa për shifrat financiare.
Kryeministri Edi Rama u shfaq sa për të mbajtur fjalën e tij dhe u largua shpejt, duke lënë pas një atmosferë të tensionuar në radhët e socialistëve.
Belinda Balluku zgjodhi të mos shfaqej fare gjatë gjithë seancës maratonë.
Nga ana tjetër, Elisa Spiropali — e cila të shtunën, në Asamblenë e PS-së, u etiketua nga vetë Edi Rama si “armike e brendshme” — mbërriti në Kuvend me vonesë.
Ajo nuk bëri asnjë koment mbi largimin e saj nga forumet e partisë, nuk u ngjit në podium dhe nuk mbajti qëndrim as pro dhe as kundër buxhetit.
Edhe pse që prej ditës kur Rama i bëri të qartë se nuk është më pjesë e strukturave drejtuese të PS-së ka zgjedhur heshtjen e plotë, kjo qetësi duket se i solli një “shpërblim” të përkohshëm: socialistët e lanë të ulej në karrigen e saj të zakonshme mes grupit, ndryshe nga Marjana Koçeku, e cila u zhvendos në një ulëse në krah të opozitës.
Pas një bisede të shkurtër me kolegët, Spiropali u largua pa pritur momentin e votimit, duke iu bashkuar kështu mungesës së Ballukut.
Për Taulant Ballën, kjo mungesë e dyfishtë nuk përbënte rrezik real për kalimin e aktit, pasi për miratimin e buxhetit mjaftojnë 71 vota dhe shumica i kishte numrat e sigurt.
Megjithatë, mosmarrja pjesë në votimin e dokumentit më të rëndësishëm financiar të vitit nga Spiropali dhe Balluku lexohet si një sinjal politik me peshë.
Prova e vërtetë për Elisa Spiropalin do të vijë në momentin kur çdo votë do të jetë jetike për mazhorancën: atëherë do të shihet nëse kemi të bëjmë me një ndarje reale nga Edi Rama, apo me një lëvizje taktike për të mbajtur vëmendjen dhe për të rritur kuotat e veta politike.
