Ish-deputeti socialist, Pandeli Majko ka vendosur të sqarojë më në fund çfarë kishte dashur të thoshte në Asamblenë e Partisë Socialiste. Pas tri ditësh lajmesh për video erotike me protagonistë socialistë, ish-kryeministri thotë se shqetësimi i tij nuk ka qenë seksi, por lidhjet e papërshtatshme të politikanëve me krimin e organizuar. Në një reagim në “Facebook”, të titulluar “Ndjesë e detyruar”, Majko ironizon mediat që, sipas tij, e kanë kthyer paralajmërimin për krimin në një histori erotike. “Në fakt, në fjalën time në Asamblenë Kombëtare kam folur për kontaktet e papërshtatshme dhe diskredituese me krimin e organizuar!
Në mbledhje kërkova që këta njerëz duhet të largohen nga politika”, shkruan Majko. Ai sqaron se kishte përmendur vetëm një informacion publik për video të sekuestruara nga SPAK, duke mohuar të ketë folur për video seksi. Por pjesa më interesante e reagimit është ajo që mbetet përtej sqarimit. Majko konfirmon se në Asamblenë Socialiste ka kërkuar largimin nga politika të personave që kanë kontakte diskredituese me krimin e organizuar. Pra Pandeli Majko pranon lidhjet e politikanëve socialistë me krimin e organizuar dhe kërkon largimin e tyre nga politika. “NDJESE E DETYRUAR”…
Po ndjek me humor “daullet” e mediave sipas të cilave në mbledhjen e fundit të asamblesë së PSSH jam “shqetësuar” për erotizmin dhe ndershmërinë e kolegëve të mij socialistë! Në fakt, në fjalën time në asamblenë kombëtare kam folur PËR KONTAKTET E PAPERSHTATSHME DHE DISKRETITUESE ME KRIMIN E ORGANIZUAR! Në mbledhje kërkova që këta njerëz DUHET TË LARGOHEN NGA POLITIKA! Në fjalën time përmenda veç një informacion publik për video të sekuestruara nga SPAK! Asnjë fjalë për “erotizmin” apo “videot e seksit”! I vetmi gazetar që më pyeti për të konfirmuar deklarimet e mija ishte Muhamed Veliu! https://top-channel.tv/…/bashkine-e-tiranes-rrezikojme…/ Fevziut i pëlqeu më shumë “varianti me seks!”. Ky është ai momenti kur kupton se në vendin tonë për një person publik janë më të rënda “videot erotike” se sa KONTAKTET E PAPERSHTATSHME DHE DISKRETITUESE ME KRIMIN E ORGANIZUAR!!! Ndjesë për zhgënjimin!”, shkroi dje ish-deputeti i PS, Pandeli Majko.
Çfarë deklaroi Majko?
Ndërkohë kujtojmë se mbledhja me dyer të mbyllura e Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste në Gjirin e Lalëzit është shoqëruar me debate, përplasje dhe deklarata të forta mes figurave drejtuese të kësaj force politike. Përveç vendimeve për ndryshimet në strukturat drejtuese, kritikat e kryeministrit Edi Rama ndaj socialistëve të vjetër, një paralajmërim i fortë ka ardhur nga ish-kryeministri Pandeli Majko, i cili foli për ekzistencën e filmimeve komprometuese. Sipas burimeve nga mbledhja, Majko ka deklaruar se disponon informacione për rreth 1 mijë orë filmime, ku pretendohet se shfaqen eksponentë të Partisë Socialiste në video me përmbajtje erotike dhe korruptive. “Kam informacion se në 1 mijë orë filmime ka eksponentë të PS-së në video erotike dhe korruptive. Mirë është të jepni dorëheqjen para se të dalin. Mos e vini në siklet partinë dhe kolegët”, mësohet të jetë shprehur Majko. Përmes këtij paralajmërimi, ish-kryeministri u ka bërë thirrje personave që mund të jenë të përfshirë në këto materiale të largohen paraprakisht nga funksionet që mbajnë, përpara se pamjet e pretenduara të bëhen publike.
