E shtunë, 14 Nëntor, 2026

Transferimi në burgun e Fierit, Erion Veliaj kallëzon penalisht drejtoreshën e Burgjeve, Sadleva Bodo

Share

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka kallëzuar penalisht në Prokurorinë e Tiranës drejtoreshën e Përgjithshme të Burgjeve, Sadleva Bodo, duke e akuzuar për shpërdorim detyre.

Sipas Veliajt, Bodo ka shkelur ligjin duke urdhëruar transferimin e tij nga paraburgimi i Durrësit në atë të Fierit. Kryebashkiaku pretendon se vendimi për transferimin është marrë në kundërshtim me dispozitat ligjore dhe kërkon që Prokuroria të hetojë përgjegjësinë e drejtueses së sistemit penitenciar.

Kallëzimi vjen një ditë pas denoncimeve që avokati i tij, Plarent Ndreca, bëri nga burgu i Fierit, ku kishte zhvilluar një takim me kryebashkiakun.

Ndreca deklaroi se Veliaj po përballet me një trajtim që ai e cilësoi si persekutim shëndetësor. Sipas avokatit, mbrojtja nuk ka arritur të sigurojë dokumentacionin mjekësor që vërteton gjendjen shëndetësore të klientit të tij, ndërsa Veliaj vazhdon të qëndrojë në ambientet e spitalit të burgut, në izolim dhe pa mundësi komunikimi.

“Ky është një persekutim shëndetësor”, deklaroi Ndreca, duke kundërshtuar mënyrën se si administrata penitenciare po e trajton kryebashkiakun e Tiranës.

Në të njëjtën ditë, drejtoresha e Përgjithshme e Burgjeve, Sadleva Bodo, zhvilloi një vizitë në burgun e Fierit, pikërisht në institucionin ku ndodhet Veliaj. Sipas njoftimit zyrtar të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, Bodo u takua me stafin dhe inspektoi infrastrukturën, kushtet e qëndrimit dhe organizimin e punës në këtë institucion.

Drejtoria e paraqiti burgun e Fierit si një model të zhvillimit të sistemit penitenciar, duke theksuar programet e rehabilitimit, mundësitë e punësimit, arsimimin dhe kushtet për ushtrimin e besimit fetar.

Gjatë vizitës, drejtuesit testuan edhe kushtet teknike për zhvillimin e seancave gjyqësore online me Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Vizita e Bodos në Fier përkon me denoncimet e mbrojtjes së Veliajt.

Me kallëzimin penal ndaj Sadleva Bodos, Veliaj kërkon tashmë që Prokuroria e Tiranës të shqyrtojë ligjshmërinë e transferimit të tij nga Durrësi në Fier dhe përgjegjësinë e mundshme penale të drejtueses së Burgjeve.

Te tjera

Lajme te tjera