E mërkurë, 11 Nëntor, 2026

Lufta me Ramën/ Veliaj grupit të PS: Komision parlamentar për të hetuar kërcënimet e kryeministrit ndaj meje, i gatshëm të ballafaqohem me Gogun

Share

Erion Veliaj është i bindur se pas transferimit të tij të papritur në burgun e Fierit qëndron vetë kryeministri Edi Rama. Ndërsa vizita e ministrit Toni Gogu në orët e vona të mbrëmjes së 30 tetorit, për t’i përcjellë, siç ai pretendon, kërkesat që të pranonte se kishte gisht në protestat e zhvilluara në Tiranë  dhe të jepte dorëheqjen si kryebashkiak, nuk mund të kalojë sipas tij, si një çështje individuale.

Në një situatë të tillë, Veliaj i kërkon grupit socialist të ndërmarrë nismën për një komision parlamentar hetimor që do të duhet të ketë për objekt:

“Verifikimin e ligjshmërisë, qëllimit dhe përgjegjësisë institucionale për transferimin dhe trajtimin tim në paraburgim, si dhe hetimin e përdorimit të autoritetit të Kryeministrit Edi Rama, drejtpërdrejt ose nëpërmjet Ministrit të Drejtësisë dhe institucioneve në varësi të ekzekutivit, për të ushtruar presion mbi qëndrimin tim politik dhe institucional dhe për të më detyruar të jap dorëheqjen nga mandati i Kryetarit të Bashkisë Tiranë”, thotë Veliaj.

Për Veliajn, dhe klasifikimi i urdhërit të transferimit të tij në burgun e Fierit si sekret shtetëror, nuk mund të bëhej pa autorizimin e kreut të Qeverisë. Ai gjithshka e sheh si një përpjekje të nisur që me vendimin për shkarkimin e tij nga detyra, të rrëzuar më pas nga Gjykata Kushtetuese.

“Kryeministri ka përdorur autoritetin e tij mbi ekzekutivin dhe administratën penitenciare për të arritur, nëpërmjet shantazhit për dorëheqje, rezultatin që nuk mundi ta realizonte me vendim qeverie, neutralizimin tim politik”, thekson ai.

Veliaj deklaron se është i gatshëm, jo vetëm të dëshmojë nën betim, por dhe të ballafaqohet me ministrin Gogu, duke kërkuar që të njejtit standart t’i nënshtrohet dhe kryeministri.

Në këtë përplasje Rama ka zgjedhur të injorojë pretendimet e Veliajt, duke deklaruar se nuk përbëjnë asnjë shqetësim për të. Dhe kërkesa e tij për komision hetimor, nuk duket të ketë ndonjë shans që të merret në konsideratë. Mbetet vetëm për t’u parë nëse do të ushqejnë ose jo debate të brendshme mes socialistëve.

Deklaratë e kryetarit të Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj:

Sot i jam drejtuar zyrtarisht Kryetarit të Grupit Parlamentar Socialist, Taulant Balla, me kërkesën për inicimin e ngritjes së një komisioni hetimor parlamentar mbi ndërhyrjet dhe kërcënimet që kam deklaruar se janë ushtruar ndaj meje nga Kryeministri Edi Rama, nëpërmjet Ministrit të Drejtësisë.

Kam kërkuar të hetohet nëse transferimi im nga Durrësi në Fier dhe kushtet e paraburgimit janë përdorur si instrumente presioni për të më detyruar të pranoj organizimin e protestave në Tiranë dhe të jap dorëheqjen nga mandati që më kanë besuar qytetarët e kryeqytetit.

Jam i gatshëm të dëshmoj nën betim përpara Kuvendit, sipas ligjit, të ballafaqohem me Ministrin e Drejtësisë, Toni Gogu, dhe të paraqes çdo provë që disponoj. Kam kërkuar gjithashtu që Kryeministri Edi Rama t’i nënshtrohet të njëjtit standard llogaridhënieje.

Kërkesën ia kam drejtuar shumicës parlamentare të partisë sime, sepse kontrolli kushtetues mbi qeverinë nuk mund të kushtëzohet nga përkatësia politike e atyre që duhet të japin llogari.

Kam vënë në dijeni edhe Kongresin e Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Evropës dhe trupin diplomatik të akredituar në Shqipëri, si dhe kam kërkuar ruajtjen e menjëhershme të provave dokumentare dhe audiovizive.

Nuk kërkoj që Kuvendi t’i marrë si të mirëqena deklarimet e mia. Kërkoj që t’i hetojë. Mandati i një kryetari bashkie buron nga vota e qytetarëve dhe vota e qytetarëve nuk mund të bëhet objekt shantazhi politik.

Te tjera

Lajme te tjera