E mërkurë, 11 Nëntor, 2026

SPAK hetim për blerje votash në zgjedhjet e 2025-ës, deputetja Sara Mila pyetet si person në dijeni! Dosja nga Elbasani, abuzime në skemën e ndihmës ekonomike

Share

Një hetim i nisur nga prokuroria e Elbasanit prillin e vitit 2025, pas denoncimit të një qytetari nga Gjocaj i Peqinit se figuronte përfitues i ndihmës ekonomike edhe pse s’kishte aplikuar kurrë, duket se ka hapur një çështje edhe në SPAK. Mëngjesin e kësaj të mërkure në Prokurorinë e Posaçme u pyet deputetja socialiste Sara Mila për dosje të ardhura nga Elbasani rreth 7 muaj më parë.

Report Tv ka mësuar se gjatë ekzaminimeve të telefonave të personave të dyshuar për falsifikim dokumentesh apo shpërdorim detyre, prokuroria e Elbasanit ka gjetur edhe një komunikim që lidhej me emrin e ligjvënëses Mila, ku krijoheshin dyshimet për blerje votash.

Sapo mesazhi është konstatuar prokurorja e çështjes e ka ndarë me fraksion hetimin, dhe pjesën e korrupsionit zgjedhor me deputetë të përfshirë e ka dërguar për kompetencë në SPAK.

Është ende e paqartë se çfarë ka zbuluar Prokuroria e Posaçme në hetimet.

“Isha si person në dijeni. Kalvari për të hedhur baltë i politikës së vjetër do të përfundojë. Sa herë SPAK të ketë nevojë për fjalën time, do të jem këtu sa herë të jetë e nevojshme. Faleminderit, se po më presin qytetarët për Ditën e Çlirimit”, tha Mila.

Sara Mila u zgjodh deputete e parlamentit nga lista e hapur, si më e votuara e qarkut me plot 20.225 vota. Më herët ajo ka shërbyer si Drejtoreshë e Shërbimeve të Brendshme pranë Shërbimit Shtetëror social, nga maji i vitit 2022 deri në gusht të vitit 2025, pozicion i cili mund të lidhet edhe me hetimin për ndihmat sociale në Peqin.

Sa i përket këtij hetimi, ai tashmë ka përfunduar në dyert e Gjykatës së Elbasanit për gjykim. Prokuroria zbuloi se në periudhën para zgjedhjeve të vitit 2025 numri i familjeve që merrnin ndihmë sociale në Njësinë Administrative Gjocaj në Peqin ishte rritur nga 110 në 320.

Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë.

Te tjera

Lajme te tjera