E mërkurë, 11 Nëntor, 2026

Rama nga Dublini: Shohim një derë të hapur për t’u bërë pjesë e BE! Protestat e ‘flamingove’, rezultat i urrejtjes ndaj Trump! Investimi në Zvërnec do i bëjë shqiptarët krenarë

Share

Një ditë para takimit të radhës së Komunitetit Politik Evropian që do të mbahet në Irlandë, kryeminsitri Edi Rama nga Dublini, e konsideron këtë si një moment kyç për Shqipërinë në rrugën drejt BE-së.

I ftuar nga Instituti i Çështjeve Ndërkombëtare dhe Europiane për të diskutuar pikërisht për udhëtimin Europian të Shqipërisë, Rama tha se mbyllja e negociatave teknike brenda 2027-ës është plotësisht e mundshme.

“Jemi në një moment tejet përcaktues të historisë sonë. Shohim një derë të hapur si një mundësi reale të vërtetë, për t’u bërë pjesë e kësaj familjeje europiane. Sot çdo gjë po ecën sipas rregullave dhe jemi dakord edhe me komisionin për këtë. Do të bëjmë të gjitha përpjekjet që t’i përmbyllim negociatat brenda vitit 2027, pavarësisht se është diçka ambicioze”, u shpreh Rama.

I pyetur për protestat, afërsinë me familjen e Presidentit Trump dhe ekspozimin e mundshëm të Shqipërisë për shkak të hetimeve të paralajmëruara ndaj administratës Trump pas humbjes së zgjedhjeve të mesmandatit, Rama përgjigjet kështu.

“Revolucioni i flamengove, që emrin e ka shumë tërheqës, është rezultat i një urrejtjeje shumë të madhe ndaj Donald Trump. Nëse hija e Donald Trump nuk do të ishte në sfond të kësaj çështje mjedisore, s’do kishit dëgjuar asgjë. Kur kam takuar Kushnerin dhe folëm për këtë projekt, e ardhmja e Trump nuk ishte kaq e qartë. Ai ishte një kandidat për të shkuar në burg. Unë pash një amerikan që donte të bënte diçka për vendin tim. Unë s’dua t’ja di se ç’po ndodh me SHBA-të, sepse kur bëhet fjalë për këtë projekt, s’ka asgjë për të pasur frikë, por përkundrazi për t’u ndierë krenar”, shtoi Rama.

Nga Dublini, kreu i qeverisë komentoi edhe situatën në Serbi, pas humbjes së zgjedhjeve nga Presidenti Aleksandër Vuçiç, duke e konsideruar atë që po ndodh me Listën Studentore një eksperiment social.

“Serbia po kalon në një eksperiment social dhe politik me listën studentore dhe me metodën e përzgjedhjes dhe zgjedhjes së personave që do të jenë në parlament dhe qeveri. Duket se nuk ka ndonjë hapje përsa i takon marrëdhënieve me Kosovën, apo sanksioneve kundër Rusisë. Për sa kohë nuk ka një qasje të hapur ndaj Kosovës, do të thotë që fantazma e së shkuarës do ta përndjekë dhe pengojë Beogradin për të kryer një katarsis”, theksoi Rama.

Rama ndodhet në Dublin në kuadër takimit të 9-të të Komitetit Politik Evropian që do të bëjë bashkë 48 krerë shtetesh dhe qeverish.

Takimi me temë “Evropa – e fortë, e sigurt dhe e ndërlidhur”, do të bashkëdrejtohet nga António Costa, Presidenti i Këshillit Evropian, dhe Micheál Martin, Kryeministri i Irlandës.

Te tjera

Lajme te tjera