E enjte, 12 Nëntor, 2026

Artan Hoxha zbulon pasurinë e klanit “Çopja”: Ka kaluar shifrën e 3 mld euro, kanë trafikuar 6 mld euro kokainë

Share

Gazetari Artan Hoxha bëri deklarata të forta lidhur me aktivitetin kriminal të klanit “Çopja”, duke pretenduar se kjo organizatë kriminale ka trafikuar kokainë me një vlerë që arrin në rreth 6 miliardë euro, ndërsa pasuria e kaluar prej saj kap shifrën e 3 miliardë eurove.

Hoxha u ndal edhe te materialet e publikuara në dosjet e SPAK, duke sqaruar se shumat e parave të shfaqura në fotografi nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht prova materiale të sekuestruara, por janë pamje të zbuluara nga komunikimet mes anëtarëve të rrjetit kriminal. Sipas gazetarit, hetimi ndaj kësaj organizate është zhvilluar edhe nga autoritete të huaja, përfshirë hetues belgë, gjermanë dhe italianë, të cilët janë fokusuar te provat konkrete të siguruara gjatë operacionit.

“Franç Çopja në vitin 2020 ka qenë 28 vjeç dhe flitej se kishte qenë shqiptari i parë që kishte kaluar 1 miliard dollarë. Njihej si një talent shqiptar, që ishte i aftë të lëvizte sasi shumë të mëdha kokaine. Për të është folur edhe më parë se ka futur 1 ton flori në Shqipëri. Këta janë ngjitur shumë shpejt”, u shpreh gazetari, në emisionin Now në Euronews Albania.

Hoxha tha se aktiviteti i organizatës kishte arritur përmasa të tilla, saqë Shqipëria ishte bërë shumë e vogël për të administruar dhe investuar paratë e përfituara nga aktiviteti kriminal.

“Ata arritën në pikën që Shqipëria ishte shumë e vogël për ta, nuk kishin ku t’i çonin lekët. Ai ka kaluar 3 miliardë dhe ka trafikuar 6 miliardë euro kokainë”, deklaroi Artan Hoxha.

Te tjera

Lajme te tjera