Shqipëria dhe Mali i Zi po kërkojnë mbështetje më të madhe nga NATO për t’u përballur me fushatat e dezinformimit dhe ndërhyrjet e dyshuara ruse në hapësirën digjitale. Kërkesa është bërë nga ministrat e Mbrojtjes të dy vendeve, Ermal Nufi dhe Dragan Krapović, në intervista të veçanta për median ndërkombëtare POLITICO.
Sipas raportimit të POLITICO-s, të dy ministrat kërkojnë angazhim më të madh të Aleancës, përfshirë dërgimin e ekspertëve dhe ekipeve të specializuara që do të ndihmonin institucionet në identifikimin dhe përballimin e kërcënimeve hibride.
Ministri shqiptar i Mbrojtjes, Ermal Nufi, deklaroi se NATO duhet të jetë më aktive në identifikimin e aktorëve keqdashës në internet, duke propozuar vendosjen e protokolleve të përbashkëta mes vendeve anëtare dhe krijimin e ekipeve të reagimit për shtetet që kanë nevojë për ndihmë.
“NATO duhet të jetë më aktive në identifikimin e mënyrave për të kundërshtuar aktorët keqdashës online, duke vendosur protokolle mes vendeve anëtare dhe duke krijuar ekipe reagimi për të ndihmuar çdo vend që ka nevojë”, u shpreh Nufi.
Ai tha se gjatë vitit të fundit në Shqipëri janë shtuar fushatat në rrjetet sociale që nxisin urrejtje dhe zemërim në shoqëri, duke shtuar se janë evidentuar edhe organizata me lidhje të tërthorta me Rusinë dhe ndërveprime të tyre në internet.
“Duhet ta shohim më nga afër këtë çështje”, theksoi ministri shqiptar.
Protestat në Shqipëri, POLITICO: Nuk ka prova për ndërhyrje ruse
Një pjesë e rëndësishme e artikullit të POLITICO-s i kushtohet edhe debatit mbi ndikimin e huaj në protestat kundër korrupsionit në Shqipëri. Kryeministri Edi Rama ka akuzuar Rusinë dhe Iranin se po nxisin protestat që kanë përfshirë vendin që prej muajit maj. Megjithatë, këto pretendime janë kundërshtuar nga ekspertja e komunikimit Blerjana Bino, bashkëthemeluese e qendrës kërkimore SCiDEV në Tiranë.
Në një prononcim për POLITICO-n, Bino tha se, ndonëse janë dokumentuar fushata në rrjetet sociale me lidhje ruse për çështje të ndryshme, nuk ka prova që mbështesin pretendimin se Rusia qëndron pas protestave në Shqipëri. Sipas saj, përpjekja për t’ia atribuar ndërhyrjeve të huaja pakënaqësinë e qytetarëve rrezikon të delegjitimojë ankesat e tyre legjitime.
Bino theksoi se fushatat e dezinformimit të lidhura me Rusinë kanë synuar edhe procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, anëtarësimin në NATO dhe nxitjen e përçarjeve shoqërore, përfshirë çështjet që lidhen me komunitetin LGBTQ. Si Rusia, ashtu edhe Irani kanë mohuar çdo përfshirje në lëvizjen e protestave në Shqipëri.
NATO mund të dërgojë ekipe ekspertësh, por kërkohet konsensus
Sipas raportimit, NATO ka krijuar që prej vitit 2018 mekanizma të posaçëm për reagimin ndaj kërcënimeve hibride. Këto ekipe përbëhen zakonisht nga rreth 12 ekspertë të vënë në dispozicion nga vendet anëtare dhe kanë për detyrë të monitorojnë kërcënimet, të koordinojnë reagimin institucional dhe të ndihmojnë në forcimin e kapaciteteve të vendeve përkatëse.
Aleanca ka dërguar më parë ekipe të tilla në Mal të Zi në vitin 2019 dhe në Lituani në vitin 2021. Në Shqipëri, një ekip mbërriti në vitin 2022, pas sulmeve kibernetike iraniane ndaj sistemeve qeveritare dhe shërbimeve digjitale.
Tre diplomatë të NATO-s, të cituar nga POLITICO në kushte anonimiteti, thanë se vendet aleate do të ishin të gatshme të shqyrtonin dërgimin e një ekipi të ri, por theksuan se mbështetja e Aleancës nuk duhet të përdoret për qëllime të politikës së brendshme.
Dërgimi i një ekipi të tillë kërkon konsensusin e vendeve anëtare.
Nga ana tjetër, një zyrtar i NATO-s deklaroi se Aleanca është e gatshme të ofrojë mbështetje shtesë kur kjo kërkohet nga vendet anëtare, duke nënvizuar se janë shtuar përpjekjet për mbrojtjen ndaj veprimeve destabilizuese dhe për forcimin e sigurisë kibernetike.
95% e shqiptarëve mbështesin qëndrimin në NATO
Artikulli i POLITICO-s sjell edhe të dhëna nga një sondazh i NATO-s, i zhvilluar gjatë pranverës së vitit 2026.
Sipas sondazhit, 95% e të anketuarve në Shqipëri mbështesin qëndrimin e vendit në Aleancë. Në Malin e Zi, kjo shifër është 52%, niveli më i ulët mes vendeve anëtare të NATO-s.
Ndërkohë, të dyja vendet përballen me sfida të rëndësishme politike dhe të sigurisë. Mali i Zi synon anëtarësimin në Bashkimin Europian deri në vitin 2028, ndërsa Shqipëria deri në fund të kësaj dekade.
POLITICO thekson se shqetësimet për ndërhyrjet dhe dezinformimin rus vijnë në një moment kur vendet europiane po përpiqen të forcojnë mbrojtjen ndaj kërcënimeve hibride dhe të ruajnë unitetin e Aleancës./ POLITICO Europe
