E enjte, 19 Nëntor, 2026

“Lufta bërthamore nuk ka fitues”, samiti historik Trump-Putin-Xi në Kinë mbyllet me “Deklaratën e paqes”! 4 pikat: Reformimi i OKB-së, energjia, sovraniteti i shteteve dhe armët nukleare

Share

Kinë – Samiti historik mes presidentit amerikan Donald Trump, presidentit rus Vladimir Putin dhe presidentit kinez Xi Jinping në Shenzhen të Kinës është mbyllur me miratimin e një “Deklarate të paqes” me katër pika. Në qendër të dokumentit janë armët bërthamore, furnizimet me naftë, reforma e OKB-së dhe imuniteti i zyrtarëve shtetërorë.

“Një luftë bërthamore nuk mund të fitohet dhe nuk duhet të ndodhë kurrë”, thuhet në deklaratën e përbashkët, të publikuar në faqen e Kremlinit dhe të transmetuar nga televizioni shtetëror kinez CCTV.

Tre vendet angazhohen të zhvillojnë dialog për të ulur rreziqet bërthamore dhe për të parandaluar përhapjen e këtyre armëve. Dokumenti parashikon gjithashtu rritjen e prodhimit dhe furnizimit me produkte nafte në dobi të të gjitha shteteve, si dhe garantimin e furnizimeve të qëndrueshme me energji.

SHBA-ja, Rusia dhe Kina shprehin angazhimin edhe për reformimin e OKB-së, në mënyrë që organizata t’u përgjigjet më mirë sfidave globale dhe të përmbushë misionin e saj për ruajtjen e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare.

Pika e katërt lidhet me respektimin e imunitetit të zyrtarëve shtetërorë. Sipas deklaratës, Gjykata Penale Ndërkombëtare dhe institucione të ngjashme nuk duhet të abuzojnë me juridiksionin e tyre.

Gjatë samitit, presidenti amerikan foli për uljen e numrit të armëve bërthamore dhe rrezikun e përdorimit të tyre.

“Rusia, Kina dhe Shtetet e Bashkuara po diskutojnë se si të zvogëlojnë numrin e armëve bërthamore në botë dhe gjithashtu të zvogëlojnë rrezikun që këto armë të përdoren ndonjëherë me një fuqi të papërshkrueshme. Ne kemi shqyrtuar mundësinë e reduktimit të armëve. Po ju them qartë, do të jetë një gjë shumë e vështirë për t’u bërë, sepse sapo të keni armë bërthamore, është e vështirë të hiqni dorë prej tyre”, deklaroi Trump.

Ndërsa Xi Jinping kërkoi që tre vendet të bashkëpunojnë më shumë për paqen dhe stabilitetin botëror.

“Kina, Rusia dhe Shtetet e Bashkuara duhet të japin shembull në bashkëpunim për t’u përballur me sfidat globale, për të ruajtur së bashku paqen dhe stabilitetin botëror dhe për të dhënë kontribute më të mëdha në progresin njerëzor”, tha presidenti kinez.

Në përfundim të takimit, presidenti kinez e cilësoi samitin “pozitiv, konstruktiv dhe me rezultate domethënëse”, duke theksuar se tre vendet ndajnë të njëjtin vizion për ruajtjen e paqes botërore.

Nga ana e tij, presidenti rus Vladimir Putin e cilësoi takimin trepalësh si “një faqe në historinë e diplomacisë”. Në një konferencë për shtyp, ai u shpreh optimist për përmirësimin e marrëdhënieve me Amerikën nën administratën Trump, ndërsa për Ukrainën dha një mesazh që bota duhet t’i pranojë realitetet në terren. 

Takimi i së enjtes u zhvillua në kuadër të samitit APEC dhe përfshiu diskutime edhe për luftën në Ukrainë, Iranin dhe Gadishullin Korean. Megjithatë sipas zëdhënësit të Kremlinit, Dmitry Peskov, Ukraina nuk ishte tema qendrore e bisedimeve.

Te tjera

Lajme te tjera