E enjte, 19 Nëntor, 2026

Kuvend/ Rama: Buxhet historik, 10 mld euro! Ata që ulërasin, garën e statistikave e kanë humbur! Opozita braktis sallën, rikthehet pas fjalimit të kryeministrit

Share

Buxheti dhe paketa fiskale, rikthyen në parlament kryeministrin Edi Rama. Pas javësh mungese, kjo do të ishte e para përballje me Sali Berishën që kishte nxituar të mbante fjalën para tij në parlament. Kur shefi i qeverisë zbriti në foltore për të prezantuar buxhetin 10 miliardë euro, si më të madhin në histori, opozita braktisi sallën dhe u kthyen pas përfundimit të fjalimit.

Por, Rama ia bëri të qartë se fjala e tij nuk është për opozitën, por për qytetarët, pasi diferenca ekonomike mes qeverisë së tij e PD së dikurshme është e dukshme. Rama tha se masat fiskale do të ulin koston e jetesës për familjet, do të lehtësojnë barrën tatimore për shtresën e mesme dhe do të rrisin mbështetjen për pensionistët. 

“Këta që nuk janë këtu, bashkë me ca që kanë mbetur, janë ata që në historinë e këtij vendi do të mbeten si hapësit e gropave të qeverisjes së parë e të dytë. Ndërkohë që historia do të flasë për ne si ndërtuesit e Shqipërisë së re europiane. Kemi fituar çdo garë statistikash me këta të lodhurit këtu. Ndryshe nga sa pëllasin e ulërasin ata që bëjnë sikur nuk kuptojnë e kurrë mos kuptofshin ekonomia shqiptare është më e fortë se asnjëherë tjetër”, tha Rama.

Një të drejtë, ia njohu opozitës, mbi vonesat e rindërtimit në Tiranë.

“Ne kemi problem me rindërtimin në bashkinë e Tiranës, se ka dy vjet pa kokë, sepse një shumë e madhe në dispozicion të strehimit dhe rindërtimit nuk është vënë në lëvizje”, theksoi ai.

Duke u kthyer në klimën e protestave në Tiranë, që më shumë se 170 ditë më parë, u iniciuan nga revolta ndaj investimit të Jared Kushner, dhëndrit të presidentit amerikan Donald Trump, në Zvërnec, Rama tha se qeveria nuk ka ndërmend të tërhiqet nga investimet e huaja.

“Refuzoj çdo lloj pabesie e poshtërsie në kurriz të këtij vendi që ushqen refuzimin dhe kundërshtimin ndaj investimeve të huaja. Sot edhe Kina, edhe vendet naftëmbajtëse edhe të gjitha vendet e Evropës janë në konkurrencë të egër kush tërheq më shumë investime të huaja. Ne s’mund të jemi vendi që kur dera hapet nga investitorët të sillemi sikur duam të mbrojmë vendin nga investimet Kjo është kundërhistorike dhe vetëvrasje ekonomike, që nuk kemi për ta pranuar kurrën e kurrës”, theksoi Rama.

Për protestat, ironizoi edhe PD, që priste në oborr përfundimin e fjalës së tij.

“Të jesh në qeveri dhe të protestojnë kundër qeverisë është gjëja më e natyrshme. Por të jesh në opozitë dhe të mos të pranojnë t’i afrohesh protestës është gjëja më e dhimbshme dhe është fakti që vlen për të kuptuar se çfarë janë këta që s’janë fare, jo vetëm fizikisht, por as politikisht relevantë në këtë vend”, tha Rama.

Me parashikim, kreu i qeverisë tha se refuzimin e radhës, opozita do ta ketë në zgjedhjet e afërta vendore.

“Mos i bëni shqiptarët për budallenj, se shqiptarët të japin ujë në bisht të lugës. Ujë në bisht të lugës kanë marrë gjithë këto vite dhe do të marrin edhe në 9 maj”, u shpreh kryeministri.

Kur shefi i mazhorancës mbaroi fjalën, kreu i PD-së, Berisha u rikthye në sallë. Këtu ishte momenti i shefit të qeverisë për t’u larguar nga seanca.   Bashkë me Kryeministrin, edhe socialistët në masë braktisën sallën, kur kryedemokrati nisi të mbante fjalën në emër të pakicës mbi buxhetin.

“Siç e patë vetë, Padrino ia mbathi me bisht ndër shalë. Ia mbathi sepse e di që kjo është e fundit herë që ai paraqet buxhet në këtë sallë”, tha Berisha.

Buxheti i vitit të ardhshëm kap vlerën 10 miliardë lekë. Pasi të miratohet në parim në Kuvend, buxheti rikthehet sërish në komision për shqyrtim nen për nen, e për të kaluar sërish në Parlament për miratimin në tërësi.

Te tjera

Lajme te tjera