Joe Biden dhe SHBA-të e kanë tradhtuar UÇK-në dhe Hashim Thaçin. Kjo ishte deklarata e fortë e kryeministrit Rama nga New Yorku, ku komentoi për herë të parë vendimin e Gjykatës së Hagës për të dënuar me 81 vite burg 4 ish-krerët e UÇK-së.
I ftuar në takimin e Këshillit për Marrëdhëniet Shqiptaro-Amerikane, Rama nuk e kurseu ish-kreun e Shtëpisë së Bardhë i cili në kohën e krijimit të Gjykatës Speciale ka mbajtur postin e zv/presidentit.
“Hashim Thaçi nuk është me ne sot sepse ky vend e tradhtoi. Sepse Joe Bideni që emërtoi George Ëashingtonin e Kosovës e tradhtoi. Sepse edhe pse gjenerali Clark e disa miq të shkëlqyer amerikanë bënë më të mirën, ky vend nuk bëri më të mirën për Hashim Thaçin. Ne kemi kremtuar e do të kremtojmë gjithmonë faktin që si shqiptarë, jemi miq me më të mëdhenjtë e më të fortët, Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ndaj ndihem i tradhtuar sepse jam i sigurt që ky vend mund të kishte bërë më shumë. E së pari, e mbi të gjitha duke mos lejuar që kjo farsë të niste…”, tha mes të tjerash Rama.
Nga New York-u, kreu i qeverisë u ndal edhe tek një tjetër çështje që nga ngjallur polemika të mëdha jo vetëm në Shqipëri, por edhe në mediat ndërkombëtare: Projekti luksoz në Zvërnec, i lidhur me dhëndrin e Presidentit Donald Trump. Investim amerikan që Rama thotë se nuk do të jetë i vetmi.
“Po përgatitemi që të hedhim në vend miliarda jo vetëm me projektin e famshëm, por edhe të jashtëzakonshëm Kushner, por edhe me projekte të tjera të mëdha që kemi në proces e sipër. Gjatë muajve të fundit kam dëgjuar sloganin më të neveritshëm e më të turpshëm që u bë shumë i dëgjuar në Shqipëri: ‘Shqipëria u përket shqiptarëve’. Imagjinojeni për një moment nëse Amerika do t’u përkiste amerikanëve. Jo, Shqipëria i përket Zotit dhe mikut…dhe sigurisht është shtëpia e shqiptarit, por në shtëpinë e shqiptarit duhet të ketë vend për gjithkënd që bujt e vjen, qoftë për strehë e qoftë për të ofruar ndihmë”, tha Rama.
E ndërsa kryeministri Rama ndodhet në New York, arrestimi i drejtoreshës së SHISH, Vlora Hyseni ka tronditur opinionin publik në Shqipëri e ka ngjallur debate të forta mbi mënyrën e funksionimit të shtetit, por nga SHBA kryeministri Rama kujdeset të theksojë sërish qëndrimin e tij për drejtësinë e re.
“Nuk është më ky vendi ku mund të ecësh dorë për dorë me korrupsionin pa pasur asnjë pasojë. Dhe ky është një sukses i madh”, përfundoi Rama.
