FBI zbarkon në Tiranë, ku për pesë ditë me radhë krimi i organizuar dhe paratë e tij do të jenë në qendër të diskutimeve me autoritetet shqiptare.
Drejtues dhe ekspertë amerikanë e europianë mblidhen në kryeqytet me përfaqësues të SPAK-ut, BKH-së dhe Policisë së Shtetit, ndërsa në tryezë do të jenë nga narkotikët dhe pastrimi i parave, te sekuestrimi i pasurive, ekstradimet, krimi kibernetik dhe terrorizmi. Takimi sjell në Tiranë edhe ekspertë të FBI-së për hetimin e dronëve dhe kërcënimeve online, ndërsa pjesë e diskutimeve do të jenë edhe raste konkrete hetimore nga Shqipëria.
Nga 19 deri më 23 shtator, kryeqyteti shqiptar pret takimin e 42-të të Kapitullit Europian të FBI National Academy Associates, me temë “Building International Partnerships – Combating Organized Crime for a Safer Environment”. Organizatorët e paraqesin Tiranën si një platformë për forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe shkëmbimin e ekspertizës mes strukturave ligjzbatuese.
Në program janë përfaqësues të Policisë së Shtetit, SPAK-ut, Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe Prokurorisë, ndërsa nga pala amerikane është parashikuar pjesëmarrja e Spencer Horn, zyrtar i lartë i FBI-së, dhe e Brendan Collins, atashe i FBI-së në Sofje.
Dhe lista e çështjeve që do të kalojnë në tryezën e Tiranës është e gjatë.
Një pjesë e rëndësishme e diskutimeve i kushtohet drejtpërdrejt goditjes së krimit të organizuar dhe mënyrës se si agjencitë e vendeve të ndryshme mund të bashkojnë informacionin dhe hetimet. Në këtë kuadër prezantohet edhe përvoja e Budapest Organized Crime Task Force, në 25-vjetorin e bashkëpunimit të saj, si dhe modeli amerikan i Joint Terrorism Task Force për hetimin e kërcënimeve terroriste.
Por takimi në Tiranë shkon përtej modeleve tradicionale të krimit.
Në tryezë futet edhe “764”, një rrjet online që autoritetet amerikane e lidhin me ekstremizmin e dhunshëm dhe krime të rënda në internet. Sesioni për “Nihilistic Violent Extremism and 764” do të trajtojë pikërisht format e reja të radikalizimit dhe dhunës që zhvillohen përmes platformave online.
FBI sjell në Tiranë edhe ekspertizën për dronët. Ekspertë të Laboratory Division pritet të prezantojnë mënyrat e ekzaminimit dhe analizimit të këtyre pajisjeve, ndërsa diskutimi do të zgjerohet më pas te krimi kibernetik dhe bashkëpunimi ndërkombëtar kundër rrjeteve kriminale.
Një tjetër pikë e fortë e takimit është ajo që godet organizatat kriminale aty ku dhemb më shumë: paratë.
Inteligjenca financiare, gjurmimi i produkteve të krimit, sekuestrimi dhe konfiskimi i pasurive janë pjesë e agjendës. Një prej temave, “From Confiscation to Public Good”, trajton pikërisht kalimin e pasurive të konfiskuara nga duart e krimit në përdorim për interes publik.
Kjo merr një peshë të veçantë për Shqipërinë, pasi bashkëpunimi me FBI-në nuk kufizohet te konferenca e këtyre ditëve.
Kreu i SPAK-ut, Klodian Braho, deklaroi në korrik se Prokuroria e Posaçme, me mbështetjen e FBI-së dhe EU4LEA-s, ishte në fazën përfundimtare të përgatitjes së Vlerësimit Strategjik të Kërcënimit nga Krimi i Organizuar. Dokumenti synon të evidentojë grupet kriminale aktive brenda dhe jashtë vendit, mënyrën e funksionimit të tyre, tregjet ku operojnë, shtrirjen territoriale dhe ndërkombëtare, si dhe lidhjet mes krimit të organizuar, pastrimit të parave dhe korrupsionit.
Sipas Brahos, për këtë proces është ngritur jo vetëm një grup pune brenda SPAK-ut, por edhe një grup ndërinstitucional me strukturat që disponojnë informacion inteligjence për organizatat kriminale. Synimi është që pjesa mbi tendencat e aktivitetit kriminal të bëhet publike dhe dokumenti të përdoret për orientimin e politikës penale dhe bashkëpunimit mes agjencive ligjzbatuese.
Në të njëjtën linjë është edhe forcimi i hetimeve financiare. SPAK ka deklaruar se po zgjeron përdorimin e teknologjive për gjurmimin e pasurive, analizimin e të dhënave dixhitale dhe transaksioneve me kriptovaluta, duke i konsideruar këto mjete pjesë thelbësore të hetimeve moderne për krimin e organizuar dhe korrupsionin.
Në takimin e Tiranës nuk do të ketë vetëm teori dhe modele ndërkombëtare. Në program është përfshirë edhe një rast konkret hetimor në fushën e narkotikëve, i cili do të prezantohet nga hetuesi i BKH-së Eduart Kaloshi.
Në ditën e fundit, vëmendja zhvendoset te një tjetër hallkë vendimtare në luftën kundër grupeve që veprojnë përtej kufijve: ekstradimet. Në tryezë do të diskutohen procedurat shqiptare, vështirësitë e hasura në praktikë dhe bashkëpunimi me shtetet e tjera për sjelljen para drejtësisë të personave të kërkuar.
Takimi i Tiranës, megjithatë, duhet dalluar institucionalisht nga një aktivitet zyrtar i vetë FBI-së. FBINAA është një organizatë ndërkombëtare jofitimprurëse e profesionistëve të lartë të zbatimit të ligjit, të diplomuar në programin e FBI National Academy, dhe deklaron shprehimisht se nuk është pjesë e FBI-së dhe nuk vepron në emër të saj. Konferencat europiane organizohen në bashkëpunim me strukturat pritëse dhe atasheun ligjor të FBI-së, ndërsa këtë vit takimi zhvillohet në Tiranë.
