E shtunë, 12 Shtator, 2026

Nga Roma në Capri, Dua Lipa zbulon vendet e saj të preferuara në Itali

Share

Dua Lipa, një nga yjet më të përfolura të verës, është rikthyer me disa rekomandime të reja. Këtë herë, në një video për Vogue Italia, të publikuar në profilin e revistës në Instagram me rastin e kopertinës së shtatorit, ajo ka zbuluar restorantet dhe lokalet e saj të preferuara në Itali.

Kjo nuk është surprizë: pas martesës në Siçili me aktorin Callum Turner dhe udhëtimit që pasoi nëpër gadishull, tashmë dihet se sa shumë këngëtares i pëlqen të eksplorojë Italinë. Ja cilat janë vendet e saj të preferuara për dreka, darka, ëmbëlsira dhe aperitivë.

Romë –“Ristorante al Moro”

Të përcaktosh se ku bëhen makaronat më të mira nuk është e lehtë, por për Dua Lipën, tagliolini me tartuf të “Ristorante al Moro” në Romë nuk kanë rivalë.

Bëhet fjalë për një osteri historike, të trashëguar brez pas brezi nga familja Romagnoli që prej vitit 1929. I vendosur pranë Fontanës së Trevit, “Moro” ishte një vendtakim për intelektualët dhe artistët gjatë viteve të “Dolce Vita”. Mes klientëve të shumtë ishte edhe Federico Fellini, i cili zgjodhi pronarin Mario Romagnoli për të interpretuar Trimalcionen në filmin e tij Satyricon.

Napoli – “Concettina ai Tre Santi”

Sipas yllit të muzikës, kurora për picën perfekte i takon kësaj picerie të hapur në vitin 1951 në lagjen Rione Sanità. Në atë kohë, Concettina Oliva skuqte brumin në cep të rrugës, pranë faltores së Tre Shenjtorëve.

Sot, lokali është modernizuar në kuadër të një projekti për rigjenerimin urban të zonës.

“Këtu i gjithë ushqimi është i shijshëm, por brumi i skuqur që zhytet në salcën e domates me borzilok të freskët është jashtëzakonisht i mirë, një ëndërr për ata që i duan karbohidratet”, komenton këngëtarja.

Dhe ne po e mbajmë shënim.

Capri – “Buonocore”

“Radhë e gjatë, por ia vlen: sidomos për fëstëkun”, thotë Dua Lipa.

Në listën e saj gjendet edhe akullorja dhe pastiçeria “Buonocore”, një nga më të famshmet në ishull. E hapur prej 70 vitesh, ajo vazhdon të funksionojë si një biznes artizanal familjar.

Familja Buonocore, përpara se t’u përkushtohej ëmbëlsirave, hapi në vitin 1950 një dyqan sallamesh dhe produktesh ushqimore, i cili më pas u shndërrua në një vend ku përgatiteshin ushqime të skuqura. Sot aty mbizotërojnë sfogliatelle, tartat e vogla dhe, natyrisht, kaushët me akullore fëstëku.

Palermo – “Dal Barone”

Për këngëtaren, një aperitiv në “Dal Barone” është një moment relaksi të plotë, ku mund të shijosh kohën e lirë mes një loje me letra dhe një gote verë.

Lokali ruan një atmosferë autentike falë arredimit prej druri, një përzgjedhjeje të gjerë verërash natyrale dhe biologjike me origjinë siciliane, si dhe produkteve artizanale që vijnë nga fermerë dhe biznese të vogla të zonës.

Milano – “Bar Paradiso”

Duke u ngjitur drejt veriut të Italisë, nëse aperitivi më i mirë në jug shijohet në Palermo, në veri Dua Lipa rekomandon një ndalesë në “Bar Paradiso” të Milanos, për ushqimet e vogla shoqëruese dhe përzgjedhjen e shkëlqyer të verërave.

Diku mes një osterie të gjeneratës së re dhe një wine bar-i modern, lokali ndërthur ushqimin cilësor me verërat natyrale, në një atmosferë mikpritëse me një prekje franceze.

Lista e yllit të popit nuk përfundon vetëm me gastronominë. Dua Lipa ka zbuluar gjithashtu muzeun, libraritë dhe teatrin e saj të preferuar në Itali.

Për muzetë zgjedh Pompein, ndërsa mes librarive veçon “Giunti” në Firence dhe “Verso” në Milano. Teatri i saj i preferuar është “La Scala” e Milanos.

Dhe kur bëhet fjalë për relaksin dhe romancën, këngëtarja ka gjithashtu dy zgjedhje të qarta: Positano është vendi ideal për t’u çlodhur, ndërsa Roma gjatë natës është zgjedhja e saj për një shëtitje romantike.

Te tjera

Lajme te tjera