E diel, 20 Shtator, 2026

Ditë e zezë për Kosovën/ Haga dënon me 81 vite burg 4 ish-krerët e UÇK-së për krime lufte! Nga 25 vite për Thaçin e Krasniqin, rrëzohen akuzat për krime kundër njerëzimi! Këto janë akuzat dhe dënimet respektive për Thaçin, Veselin, Krasniqin e Selimin…

Share

Gjykata i shpalli ish komandantët e UÇK-së fajtorë për krime lufte, por tha se prokuroria nuk arriti të provojë akuzat për krime kundër njerëzimit.

Pas gati gjashtë vitesh nga arrestimi dhe një procesi të gjatë gjyqësor, Dhomat e Specializuara në Hagë shpallën vendimin e shkallës së parë për katër ish-krerët e UÇK-së. Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi u dënuan me nga 25 vite burg, Kadri Veseli me 18 vite dhe Rexhep Selimi me 13 vite burgim, pasi u shpallën fajtorë për krime lufte.

Trupi gjykues i shpalli penalisht përgjegjës për ndalim arbitrar ose të paligjshëm, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme, ndërsa rrëzoi akuzat për krime kundër njerëzimit. Në nisje të leximit të aktgjykimit, kryesuesi i trupit gjykues, gjyqtari amerikan Charles Smith, theksoi se procesi nuk kishte të bënte me luftën çlirimtare të Kosovës apo me shtetin e Kosovës.

“Kjo çështje nuk ka të bëjë me pastërtinë e luftës çlirimtare të Kosovës. Kjo çështje nuk ka të bëjë me Kosovën e pavarur.”

Më pas gjykata arriti në përfundimin se Prokuroria nuk kishte provuar një nga elementët kryesorë të akuzës për krime kundër njerëzimit.

“Lidhur me ekzistencën e një sulmi të përhapur kundër popullatës civile si kusht për krime kundër njerëzimit, Trupi gjykues konstatoi se ZPS-ja nuk ka arritur të vërtetojë se ishte kryer ky sulm i përhapur gjerësisht kundër popullatës civile.”

Gjykata kaloi më pas te akuzat për krime lufte dhe tha se, sipas provave të shqyrtuara, 385 persona u ndaluan arbitrarisht në qendra ndalimi të UÇK-së në Kosovë dhe në veri të Shqipërisë.

“Shumë viktima u arrestuan në shtëpitë e tyre ose në rrugë. Shumë prej tyre u rrahën, u keqtrajtuan dhe iu konfiskuan sendet personale. Provat tregojnë se ata u ndaluan si ‘bashkëpunëtorë’ ose ‘spiunë’. Shumë prej të ndaluarve ishin të lidhur me zinxhirë. Ndër ta kishte mësues, bujq, si edhe në disa raste gra dhe fëmijë. Nuk ka prova që ndonjëri prej tyre të ketë qenë i përfshirë në veprimtari kriminale apo në aktivitete që mund të përbënin kërcënim për UÇK-në. Viktimat u mbajtën në ndalim mbi bazën e thashethemeve.”

Sipas trupit gjykues, në qendrat e ndalimit u krijuan kushte çnjerëzore dhe të ndaluarit iu nënshtruan keqtrajtimeve fizike e psikologjike.

“Shumë anëtarë të UÇK-së i keqtrajtuan fizikisht personat e ndaluar. Në disa raste, të ndaluarit detyroheshin të rrihnin njëri-tjetrin. Në shumë qendra ndalimi atyre u thuhej se do të vriteshin.”

Gjykata tha gjithashtu se Zyra e Prokurorit të Specializuar arriti të provojë krimet e luftës të trajtimit mizor dhe torturës, ndërsa konstatoi se ndërmjet prillit 1998 dhe qershorit 1999 pjesëtarë të UÇK-së kryen veprime që çuan në vrasjen e 96 personave që nuk merrnin pjesë aktive në luftime.

Një nga pikat kyçe të vendimit ishte edhe pranimi i akuzës për ndërmarrje të përbashkët kriminale. Sipas gjykatës, katër të akuzuarit vepruan së bashku për të realizuar një qëllim të përbashkët.

“Trupi Gjykues konstatoi se të katër të akuzuarit kishin të njëjtin qëndrim se elementë kyç të strategjisë për realizimin e qëllimeve ishin shënjestrimi, eliminimi ose neutralizimi i personave që konsideroheshin pengesë.”

Për secilin prej të akuzuarve, gjykata paraqiti edhe përgjegjësinë individuale.

Për Hashim Thaçin, Smith tha se ai ishte “anëtar kyç” në zbatimin e qëllimit të përbashkët kriminal, inkurajoi krimet ndaj kundërshtarëve, kishte dijeni për një numër të konsiderueshëm krimesh dhe nuk ndërmori hapa për t’i parandaluar apo ndëshkuar.

Për Kadri Veselin, gjykata tha se ai ishte figurë kyçe në zbatimin e këtij plani, kontribuoi në identifikimin dhe neutralizimin e personave të konsideruar të dyshimtë dhe “mori pjesë dhe inkurajoi krimet”.

Për Jakup Krasniqin, trupi gjykues tha se ai përdori rolin e tij si zëdhënës i UÇK-së për të promovuar politikën e shënjestrimit të kundërshtarëve, emëroi persona besnikë në pozita kyçe dhe nuk ndërhyri për të parandaluar krimet, megjithëse kishte dijeni për to.

Ndërsa për Rexhep Selimin, gjykata tha se ai inkurajoi dhe mori pjesë në kryerjen e krimeve, kishte dijeni për keqtrajtimet dhe vrasjet, por nuk ndërmori masa për t’i parandaluar.

Në fund të leximit të vendimit, gjykata shpalli dënimet: 25 vite burg për Hashim Thaçin, 25 vite për Jakup Krasniqin, 18 vite për Kadri Veselin dhe 13 vite për Rexhep Selimin, ndërsa të katërt u shpallën të pafajshëm për akuzat për krime kundër njerëzimit.

Hashim Thaçi, me dënim unifikues, 25 vite burg:

– Dënim me 15 vjet burg për krimin e luftës Arrestim apo ndalim arbitrar;

– Dënim me 4 vite burg për krimin e luftës për Trajtim mizor;

– Dënim me 20 vjet burgim për krimin e Torturës;

– Dënim me 23 vite burg për krimin e luftës Vrasje e Paligjshme.

Jakup Krasniqi, me dënim unifikues, 25 vite burg

– Dënim me 15 vite burg për krimin e luftës Arrestim apo ndalim arbitrar;

– Dënim me 4 vite burgim për Trajtim Mizor;

– Dënim me 20 vite burgim për Torturë;

– Dënim me 23 vite burgim për Vrasje të Paligjshme.

Kadri Veseli, me dënim unifikues, 18 vite burg

– Dënim me 10 vjet burgim për Arrestim apo ndalim arbitrat;

– Dënim me 3 vite burgim për Trajtim mizor;

– Dënim me 13 vite burgim për Torturë;

–  Dënim me 6 vjet burgim për Vrasje të paligjshme.

Rexhep Selimi, me dënim unifikues, 13 vite burgim

– Dënim me 6 vjet burgim për Arrestim apo ndalim arbitrat;

– Dënim me 2 vite burgim për Trajtim mizor;

– Dënim me 8 vite burgim për Torturë;

–  Dënim me 11 vjet burgim për Vrasje të paligjshme.

Për të gjithë çlirimtarët e dënuar, është vendosur që periudha e qëndrimit në qelitë e paraburgimit në Hagë të llogaritet në vendimin përfundimtar të dënimit. Megjithatë, vlen të theksohet se pavarësisht se ky vendim është i turpshëm, ai mund dhe do të Apelohet në Gjykatën e Apelit.

Te tjera

Lajme te tjera