E diel, 20 Shtator, 2026

Nga Argjentina te Maroku: Si Trump po nxit rishikimin e kufijve

Share

Presidenti amerikan Donald Trump, ka publikuar sërish një hartë ku flamuri amerikan shtrihet jo vetëm mbi Shtetet e Bashkuara, por edhe mbi vende e territore të tjera, përfshirë Kanadanë, Kubën, Grenlandën dhe Meksikën.

Mesazhi i tij është shumë i qartë: në një botë ku fuqia po përcakton gjithnjë e më shumë të drejtën dhe interesat gjeopolitike po anashkalojnë rregullat e përbashkëta, po rikthehet në tryezë revizionizmi territorial ose rishikimi i kufijve.

Shtetet e Bashkuara, dikur garantuese të integritetit territorial, po shfaqen tashmë si një forcë që sfidon status quo-në. Në këtë mënyrë, administrata Trump po prek një nga parimet themelore të rendit global të pas Luftës së Dytë Botërore: bindjen se kufijtë ndërkombëtarë nuk mund të ndryshohen thjesht nga forca e më të fuqishmit.

Trump është veçanërisht i përqendruar te Grenlanda, territor autonom i Danimarkës, një vend anëtar i NATO-s. Ai ka këmbëngulur, pa paraqitur prova, se nëse SHBA nuk merr kontrollin e ishullit, atëherë këtë mund ta bëjnë Kina ose Rusia.

Madje ka shkuar deri aty sa të lërë të hapur mundësinë e një ndërhyrjeje ushtarake. Edhe Kanadaja është përfshirë në këtë retorikë. Trump ka folur për mundësinë e aneksimit të saj dhe e ka cilësuar kufirin mes dy vendeve si një “vijë të vizatuar artificialisht”.

Kjo nuk duket thjesht si një deklaratë e rastësishme. Edhe përpjekjet e tij për të ndryshuar emërtime gjeografike, si përdorimi i termit “Gjiri i Amerikës” në vend të Gjirit të Meksikës, kanë dhënë sinjale të përsëritura për një vizion më ekspansionist të rolit amerikan.

Deri tani, këto deklarata dhe manovra nuk kanë sjellë territore të reja për Shtetet e Bashkuara, dhe në rastin e Kanadasë, nuk kanë ndryshuar sovranitetin apo integritetin territorial të vendit. Por ndikimi i tyre është diku tjetër.

Ato e kanë normalizuar gjuhën e revizionizmit territorial dhe e kanë forcuar përpjekjen e Trump për ta përshtatur gjeopolitikën me vullnetin e tij. Kërcënimet e tij për të “rimarrë” Kanalin e Panamasë, edhe me forcë nëse do të ishte e nevojshme, patën pasoja konkrete. Panamaja ra dakord të kufizojë praninë kineze në zonë dhe të lejojë një prani më të madhe ushtarake amerikane. Retorika territoriale e Trump, ka shërbyer gjithashtu si një mbështetje për një garë më të gjerë rreth burimeve strategjike.

Pas ndërhyrjes amerikane në Venezuelë dhe arrestimit të presidentit Nicolás Maduro, Trump ka lënë të kuptohet vazhdimisht se SHBA do të “drejtojë” vendin, madje ka hedhur idenë që Venezuela të bëhet shteti i 51-të amerikan.

Ndërkohë, udhëheqësja që Uashingtoni la në krye të vendit, zëvendëspresidentja e Maduros, Delcy Rodríguez, ka pranuar një marrëveshje që i jep SHBA-së kontroll mbi më shumë se 65 miliardë fuçi nga rezervat e naftës së Venezuelës.

Vende të tjera po e vëzhgojnë me kujdes këtë zhvillim. Presidenti i Argjentinës, Javier Milei, aleat i Trump, ka rikthyer së fundmi në qendër të vëmendjes konfliktin e vjetër me Mbretërinë e Bashkuar për Ishujt Falkland dhe ka forcuar praninë detare argjentinase në zonë.

Ndërkohë, Ceuta, enklava spanjolle në brigjet e Marokut, është përfshirë në një krizë kufitare nën vëzhgimin e administratës Trump. Ceuta dhe Melilla kanë qenë nën sovranitetin spanjoll prej shekujsh, ndërsa Maroku pretendon se të dyja territoret i përkasin atij.

Por për një kohë të gjatë, Rabati e kishte pranuar në praktikë status quo-në, pjesërisht edhe sepse Shtetet e Bashkuara e mbështesnin atë. Në vitin 2002, kur Maroku vendosi një grup të vogël ushtarësh në ishullin e pabanuar Perejil, pranë Ceutës, Spanja ndërmori një operacion ushtarak për ti larguar.

Vetëm ndërmjetësimi amerikan e pengoi përshkallëzimin e konfliktit. Por Maroku e kupton se Trump nuk ndan domosdoshmërisht angazhimin e paraardhësve të tij për ruajtjen e status quo-së territoriale.

Gjatë mandatit të parë, Trump njohu zyrtarisht sovranitetin maroken mbi Saharanë Perëndimore, një territor i diskutuar që dikur ishte koloni spanjolle dhe që Maroku e aneksoi në vitin 1975, duke hyrë më pas në konflikt me popullsinë autoktone sahariane.

Vetë njohja e sovranitetit maroken nuk ishte domosdoshmërisht e gabuar. Përpjekja e Kombeve të Bashkuara për të siguruar pavarësinë e Saharasë Perëndimore duket gjithnjë e më pak e realizueshme. Por mënyra e njëanshme e veprimit të Trump dërgoi një sinjal të gabuar për një vend që kishte pretendime territoriale edhe në drejtime të tjera.

Sjellja e administratës Trump pas rikthimit në Shtëpinë e Bardhë në vitin 2025, e ka forcuar më tej këtë sinjal. Në prill, Komiteti i Përvetësimeve i Dhomës së Përfaqësuesve publikoi një raport ku Ceuta dhe Melilla përshkruheshin si territore të administruara nga Spanja, por “të vendosura në territorin e Marokut”.

Raporti i kërkonte Sekretarit të Shtetit Marco Rubio të nxiste palët të negocionin për “statusin e ardhshëm” të tyre. Maroku u inkurajua edhe më shumë nga përkeqësimi i marrëdhënieve mes Uashingtonit dhe Madridit, veçanërisht për shkak të gatishmërisë së kryeministrit socialist spanjoll Pedro Sánchez për të kundërshtuar Trump, përfshirë edhe çështjen e luftës me Iranin.

Përtej përsëritjes së pretendimeve mbi Ceutën dhe Melillën, autoritetet marokene nuk ndërhynë muajin e kaluar për të ndaluar dhjetëra mijëra të rinj marokenë që kaluan drejt Ceutës, përpara se të ktheheshin në Marok.

Detajet e asaj vale kalimesh mbeten të paqarta dhe nuk përjashtohet mundësia e tolerimit apo bashkëpunimit nga struktura marokene. Në çdo rast, Trump e shfrytëzoi situatën për të vënë në dukje paaftësinë e Spanjës për të kontrolluar kufijtë e saj, ndërsa ekziston mundësia që administrata e tij ta trajtojë çështjen e Ceutës si një mosmarrëveshje territoriale të hapur.

Por pasojat e qasjes së Trump ndaj revizionizmit territorial shkojnë shumë më larg. Nëse Shtetet e Bashkuara mund të pretendojnë territore të tjera duke u mbështetur në justifikime të paqarta të “sigurisë kombëtare”, atëherë Kina mund të përdorë të njëjtën logjikë për Tajvanin, ishujt Senkaku nën administrimin japonez dhe hapësira të ndryshme të Detit të Kinës Jugore. Rusia mund ta përdorë atë në Ukrainë. Madje, plani amerikan për paqen në Ukrainë parashikon që Kievi t’i dorëzojë Rusisë territore që Moska nuk i kontrollon as aktualisht.

Por ndoshta asnjë vend nuk po përfiton më shumë nga dobësimi i parimit të integritetit territorial sesa Izraeli. Gjatë mandatit të parë, Trump njohu në mënyrë të njëanshme sovranitetin e Izraelit mbi Lartësitë Golan të Sirisë.

Në mandatin e dytë, ai e ka trajtuar si një realitet të ri zgjerimin e vazhdueshëm izraelit në territorin sirian, ashtu si edhe zgjerimin turk në veri të Sirisë. E njëjta logjikë vlen edhe për praninë izraelite në jug të Libanit, e cila është konfirmuar përmes një memorandumi mirëkuptimi të ndërmjetësuar nga Rubio.

Pavarësisht planit të Trump me 20 pika për paqen në Gaza, nuk ka shenja se administrata amerikane do ta kundërshtojë doktrinën e re izraelite të “mbrojtjes së avancuar”, e cila i zhvendos operacionet ushtarake në të ashtuquajtura zona tampon përtej kufijve të vendit.

Në një botë ku kufijtë po trajtohen gjithnjë e më shumë si të negociueshëm dhe sovraniteti

si diçka që mund të riformulohet nga fuqia ushtarake ose ekonomike, precedenti është i rrezikshëm. Dhe përballë këtij realiteti të ri, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu vështirë se mund ta konsiderojë veten të pafavorizuar./ “El Pais”/

Shënim: *Shlomo Ben-Ami, është ish-Ministër i Jashtëm i Izraelit.

Te tjera

Lajme te tjera