E diel, 20 Shtator, 2026

Berisha rikthehet nga SHBA me mesazhin e fortë: Zëri ynë u dëgjua! Edi Rama është e shkuara, PD duhet të bëjë gjithçka për Ripërtëritjen e saj

Share

Kryetari i Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha, gjatë bashkëbisedimit me qytetarët në rrjetet sociale, foli për vizitën e tij në SHBA, zhvillimet politike në Shqipëri, çështjen e ish-drejtuesve të UÇK-së në Hagë, reformën territoriale dhe përgatitjet e opozitës për zgjedhjet lokale. Berisha tha se gjatë vizitës në SHBA zhvilloi takime me kongresmenë, senatorë dhe zyrtarë të administratës amerikane, ku sipas tij ngriti shqetësimet e opozitës për trafikun e drogës, korrupsionin, zgjedhjet dhe drejtësinë në Shqipëri. Ai deklaroi se ka marrë sinjale për mbështetje më të madhe amerikane në luftën kundër trafikut të drogës dhe krimit të organizuar.

Duke iu referuar mesazhit të sekretarit amerikan të Shtetit, Marco Rubio, për Ditën e Pavarësisë së Shqipërisë, Berisha theksoi se lufta kundër karteleve të drogës dhe organizatave kriminale mbetet një çështje me rëndësi për SHBA-të. Një pjesë të rëndësishme të fjalës e zuri situata politike në Shqipëri. Berisha akuzoi qeverinë e aktuale për kontroll mbi institucionet dhe drejtësinë, ndërsa deklaroi se protestat e opozitës dhe qytetarëve kanë krijuar një situatë të re politike. Ai kërkoi gjithashtu ripërtëritjen e Partisë Demokratike, përfshirë modernizimin dhe digjitalizimin e strukturave të saj.

Për zgjedhjet lokale, Berisha theksoi se opozita duhet të përshpejtojë përgatitjet dhe tha se personalisht mbështet përdorimin e primareve për përzgjedhjen e kandidatëve, por me një proces seleksionimi paraprak. Berisha foli edhe për vendimet e Gjykatës Speciale në Hagë ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së. Ai tha se krimet konkrete duhet të ndëshkohen, por shprehu rezerva për mënyrën se si është trajtuar përgjegjësia përmes linjave të komandimit. Ai kërkoi që ish-drejtuesit e UÇK-së të ndjekin rrugën e apelimit dhe vlerësoi luftën çlirimtare të Kosovës si një kapitull të rëndësishëm të historisë shqiptare.

Në lidhje me shëndetësinë, lideri demokrat, Sali Berisha kritikoi gjendjen e sistemit dhe koncesionet në këtë sektor, ndërsa deklaroi se Shqipëria ka profesionistë të aftë që mund të kontribuojnë në reformimin e shërbimit shëndetësor.

Një tjetër çështje e ngritur ishte reforma territoriale. Berisha kundërshtoi bashkimin e bashkive dhe tha se PD do të ndjekë një politikë për ripopullimin e vendit. Sipas tij, rikthimi i emigrantëve dhe rritja e lindjeve duhet të jenë objektiva prioritare të një qeverisjeje të ardhshme.

Në përfundim të bashkëbisedimit, Berisha u bëri thirrje demokratëve dhe qytetarëve të mbështesin protestën rinore që po zhvillohet në Tiranë. Ai deklaroi se protesta duhet të mbetet qytetare dhe pa simbole partiake.

Berisha e mbylli fjalën duke përsëritur mesazhin e tij politik se “Edi Rama është e shkuara” dhe duke e lidhur ripërtëritjen e Partisë Demokratike me atë që e cilësoi si “ripërtëritje të Shqipërisë”.

Te tjera

Lajme te tjera