Gazetari i njohur, Artan Hoxha komentoi situatën kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe deklaratat e bëra nga kryeministri Edi Rama pas vendimit të Gjykatës së Lartë për ta lënë kryebashkiakun e kryeqytetit në burg. Teksa ishte i ftuar në një studio televizive, gazetari Hoxha zbuloi se Erion Veliajn e ka çuar në burg Edi Rama.
Ai theksoi se pa kryeministrin, kreu i Bashkisë së Tiranës nuk do të kishte përfunduar pas hekurave. Sipas gazetarit, kryeministri nuk mund të distancohet nga mënyra se si funksionon sot drejtësia, pasi reforma në këtë sistem është realizuar gjatë qeverisjes së tij. “Ky që sot i thotë Erion Veliajt, çfarë të bëjmë? Thotë kjo që po ndodh thotë s’ka ngjarë në asnjë vend të botës. Mor zotëri, a e ke bërë ti?
A e ke bërë ti reformë? Po dili për Zot. Jo, këto të tjerat janë copë. Po SPAK dhe kjo tjetra hanë bukë veç. Jo, sistemi është një dhe sot po të kthehemi tek ai sistemi i vjetër, po ta krahasojmë, paskemi qenë mirë kur ishim keq”, deklaroi ai. Më tej gazetari Hoxha ia ka atribuar kryeministrit Rama përgjegjësinë politike lidhur me problemet që ka krijuar reforma në drejtësi.
“Pra në qoftë se ne kemi sot kemi krijuar këtë çamur, këtë çorbë, është çorbë derri, kryekuzhinieri i kësaj është kryeministri i vendit i cili fshihet, fut kokën e rërë tani si Struci. Herë mundohet t’i japim përgjigje Erion Veliajt. Ai e ka çuar atje, pa Edi Ramën nuk shkonte Erion Veli atje se ne e shohim”, u shpreh gazetari.
Artan Hoxha: Drejtësia, në qerthull
Sakaq gazetari Hoxha ngriti gjithashtu pikëpyetje për rezultatet konkrete të hetimeve në dosjet e korrupsionit, duke përmendur edhe rastin e Ilir Metës. “Njeriu që u perceptua si më i korruptuari në atë kohë ishte Ilir Meta. Ku janë paratë? Çfarë kanë kapur? Se po t’i pyesësh njerëzit thonë më i korruptuari, po çfarë ke kapur?”, deklaroi ai.
Duke u ndalur te funksionimi i Bashkisë së Tiranës, Hoxha tha se qëndrimi i Veliajt në paraburgim ka krijuar një situatë ku dokumente të institucionit dërgohen për t’u firmosur prej tij në ambientet e burgut. “Isha para ca ditësh në Durrës. Shkonin tre herë, katër herë nga bashkia e Tiranës me vandakë, me shkresa. Ata gardianët e shkretë çfarë hiqnin atje? […] Dhe vinin vandak nga Tirana që shkonin t’i firmoste ai brenda në burg.
Ai brenda në burg e ka të limituar edhe aksesin që ka mbi informacionin edhe mbi çfarë ndodh mbi qytetin. Ai ka vetëm një dritare të vogël”, tha Hoxha. Po ashtu, gazetari Hoxha kritikoi mënyrën sesi funksionon sistemi i drejtësisë, duke argumentuar se rritja e stokut të dosjeve dhe zvarritja e proceseve po rëndojnë mbi qytetarët. “Unë nuk shoh, më e keqja e gjithë kësaj situate është që nuk po shoh dritë në fund të tunelit.
Pra jemi futur në një qerthull që unë nuk e di si do të dalim dhe në qoftë se ne e nisëm reformën me 20 mijë dosje dhe sot janë 180.000. Më fal, po me një popullsi që zvogëlohet dhe me stokun që rritet, unë nuk e di sa i bie gjyqtarëve tanë, sa dosje duhet të kalojnë”, theksoi ai.
Hoxha: Kush mban përgjegjësi për gabimet e drejtësisë?
Nga ana tjetër, gazetari Artan Hoxha ka ngritur akuza të forta për mënyrën se si është zbatuar reforma në drejtësi, duke deklaruar se sistemi i ri ka deformuar balancat mes prokurorëve dhe gjyqtarëve, ndërsa vendimet e vetting-ut kanë nisur, sipas tij, të rrëzohen në Strasburg. Z. Hoxha tha se çështja nuk qëndron vetëm te largimi i magjistratëve nga sistemi, por te fakti që mandatet e tyre, sipas tij, janë ndërprerë në mënyrë të jashtëligjshme, pa pasur më pas përgjegjësi për pasojat. “Ka filluar Gjykata Ndërkombëtare e të Drejtave të Njeriut t’i rrëzojë këto të vetting-ut.
Kush do mbajë përgjegjësi për ato? Përveçse ka ndërprerë mandatin e magjistratëve, por e ka bërë në mënyrë të jashtëligjshme. Në vend që të bënte drejtësinë e re që kërkonim të gjithë, e ka deformuar dhe na ka vënë para këtij problemi që është sot”, vijoi Hoxha. Ndërkohë një prej pikave ku gazetari u ndal ishte raporti mes SPAK-ut dhe gjyqtarëve. Sipas tij, e drejta që i është dhënë prokurorit të SPAK-ut për të mbajtur gjyqtarët në përgjim ka cenuar balancën e sistemit. Për ta ilustruar, Hoxha përdori analogjinë e një ndeshjeje futbolli, ku njëra skuadër do të kishte mundësinë të përgjonte arbitrin.
“Mirëpo, për sa kohë vendimet e gjykatave të sotme nuk kanë shkuar akoma Strasburg, nuk arrijmë dot të gjykojmë këtu. Pse? Sepse kur kanë bërë ligjin, i kanë dhënë një të drejtë prokurorit të SPAK-ut: të mbajë në përgjim gjyqtarët. Dhe aty ka prishur krejt balancat. Është si në futboll, njëra nga skuadrat të përgjojë arbitrin”, nënvizoi gazetari. Sipas Hoxhës, një nga testet përfundimtare për vendimet e prodhuara nga drejtësia shqiptare do të jetë pikërisht shqyrtimi i tyre jashtë vendit.
Ai kërkoi që të ketë përgjegjësi kur vendimet e institucioneve shqiptare rezultojnë të gabuara dhe prodhojnë më pas edhe kosto financiare për shtetin. “Dhe ti do presësh vetëm vendimet që po shkojnë në Strasburg dhe vendimet që po kthehen nga Strasburgu çfarë janë? Duhet të mbajë dikush përgjegjësi në këtë vend. Arrestuam guvernatorin e Bankës për vjedhjen e 7 miliardëve dhe i paguam edhe gjysmë miliardi dëmshpërblim; arrestuam Kajmakun, i dhamë katër vjet rrogë, i dhamë edhe dëmshpërblim. Do mbajë njeri përgjegjësi?”, përfundoi gazetari Artan Hoxha.
