Avokatët e ish krerëve të UÇK kanë 30 ditë kohë për të njoftuar Gjykatën Speciale në Hagë se do të apelojnë dënimin e tyre. Në Kosovë mes hidhërimit të lajmit të djeshëm në kosovë ka nisur të artikulohet mundësia e një skenari për shpërbërjen e gjykatës. PDK thotë se do të ndërmarrë çdo hap të lejuar nga ligji e kushtetuta dhe do të nisë një diskutim me partitë parlamentare.
Sipas Rregullores së Procedurës dhe Provave të Gjykatës Speciale, palët që apelojnë vendimin e gjykatës ose dënimit, apo të dyja së bashku, duhet të njoftojnë gjykatën brenda 30 ditësh se do të apelojnë dënimin ose vendimin dhe brenda 60 ditësh të dorëzojnë dosjen me parashtrime.
Gjykata zgjedh një gjykatës për ta përgatitur çështjen dhe më pas mbahet zhvillohet një konferencë për të diskutuar apelin. Avokatët e Hashim Thaçit pas dhënies së vendimit të mërkurën thanë se procesi tashmë pritet të marrë kohë, madje disa vite.
Mospranimi dhe zemërimi pas vendimit nga Haga, në Kosovë ka nxitur idenë e shkrirjes së kësaj gjykate.
Partitë janë vënë në lëvizje por mes paqartësiuve të mëdha. PDK këtë të enjte zhvilloi një mbledhje të kryesisë ku kryetari i saj Bedri Hamza, nuk përjashtoi diskutimin edhe të këtij skenari.
“Kosova sot është ndryshe. Ne nuk e pranojmë. Në bazë të kërkesave të popullit do të ndërmarrim edhe ne hapat tona. Populli nuk e pranon këtë vendim” tha Abelard Tahiri, anëtar i Kryesisë së PDK-së…
“Sot, PDK, ka diskutuar situatën pas vendimit të djeshëm të Gjykatës në Hagë. Është një konstatim i përgjithshëm se vendimi është i padrejtë, është i paqëndrueshëm, i pabazuar në fakte, është një vendim i cili e dëmton historinë, të tashmen dhe të ardhmen e Kosovës.
Një vendim i një gjykate e cila e ka devijuar komplet drejtimin e saj në raport me atë se çka është votu në Kuvend. PDK do t’i bëjë të gjitha përpjekjet e nevojshme që të jemi në komunikim për shkak të ndjeshmërisë së situatës, seriozitetit, situatës ku ndodhet vendi, sepse kjo situatë i jep një mundësi që në të ardhmen, shteti agresor që ka qenë në Kosovë, Serbia, ta përdorë për dëmtimin e Kosovës. Unë, besoj se do të takohem me të gjithë liderët e subjekteve politike, sepse kjo nuk është më çështje që i takon vetëm një subjekti politik.
Besoj në bashkëpunimin mes partive politike, dhe në arritjen e konsensusit të nevojshëm. Nëse ndryshojnë rrethanat, duhet të ndryshojë edhe qëndrimi jonë, ndryshojnë edhe prioritetet. Mendoj se prioriteti më i madh për këtë situatë është që ne si shtet të veprojmë në përputhje me interesat e shtetit, jo vetëm për ish-eprorët e UÇK-së, por edhe për interesat e shtetit, historisë, për kaluarën dhe të ardhmen e shtetit. Në bazë të rëndësisë së rrethanave, ne do të sillemi në atë mënyrë. Nëse ka nevojë, ne do të jemi në Kuvend”, tha Hamza.
Pas mbledhjes Hamza tha se Shteti agresor që ka qenë në Kosovë, Serbia, do ta përdorë dënimin për të dëmtuar Kosovën dhe për këtë do kërkojë takime me të gjithë liderët e subjekteve politike, sepse kjo nuk është më çështje që i takon vetëm një subjekti politik.
Veteranët e UÇK u mblodhën një ditë pas vendimit në Hagë dhe vendosën të protestojnë sërish këtë të premte. Pasditja pas publikimit të vendimit për të dënuar 4 ish krerët e UÇK ishte e trazuar edhe në Hagë dhe në Prishtinë.
Policia e Kosovës njoftoi këtë të enjte se protesta e qytetarëve të acaruar me vendimin shkaktoi vetëm disa dëme materiale në selinë e Eulexit dhe në godinën e qeverisë në qendër të prishtinës. Në një komunikatë, policia tha se protesta përfundoi rreth njëzet minuta pas mesnatës pa incidente të mëdha dhe as persona të lënduar nga radhët e protestuesve apo zyrtarëve policorë.
Protesta nisi si shfaqje e pakënaqësisë së qytetarëve me vendimin e Gjykatës Speciale që shpalli fajtor katërshen ë UCK-së, të mërkurën, për krime lufte duke dënuar Hashim Thaçin e Jakup Krasniqin me nga 25 vjet burg, Kadri Veselin me 18 dhe Rexhep Selimin me 13. EULEX është misioni i BE-së për sundimin e ligjit në Kosovë ndërsa BE është financuesi kryesor i Gjykatës Speciale, me seli në Hagë të Holandës.
