Deputetja demokrate Jorida Tabaku thotë se një familje me dy paga minimale nuk mund ta mbyllë muajin, ndërsa edhe me 130 mijë lekë të ardhura shpenzimet tejkalojnë të ardhurat. Sipas saj, pas rritjes së çmimeve dhe dobësimit të fuqisë blerëse qëndron edhe një model ekonomik ku tenderët, koncesionet dhe fondet publike favorizojnë një pakicë pranë pushtetit.
Sipas deputetes së Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, përgatitja e një fëmije për shkollë kushton nga 11 mijë deri në 40 mijë lekë, pa llogaritur shpenzimet që vazhdojnë gjatë vitit.
Por shkolla është vetëm një pjesë e faturës. Në videon e publikuar në rubrikën “Këndi i Javës”, Tabaku ka bërë një llogari të të ardhurave dhe shpenzimeve të një familjeje shqiptare, duke e lidhur drejtpërdrejt koston e jetesës me pagat, çmimet dhe mënyrën se si qeveria shpërndan paratë publike.
Sipas llogarive të paraqitura prej saj, rreth 40% e të ardhurave familjare shkon për ushqimet bazë, ndërsa qiraja ose kësti i kredisë mund të marrë 50 deri në 60% të tyre.
Për një familje me dy paga minimale, Tabaku llogarit se pothuajse 90% e të ardhurave ikën vetëm për ushqim dhe qira. Kur faturës i shtohen energjia, transporti, shkolla dhe shpenzimet e tjera, familja mund ta mbyllë muajin me rreth 43 mijë lekë mungesë.
Pra, sipas llogarisë së deputetes demokrate, borxhi nuk vjen nga një shpenzim i jashtëzakonshëm, por nga përballimi i nevojave të zakonshme të muajit.
Tabaku sjell edhe një shembull tjetër. Një familje me rreth 130 mijë lekë të ardhura mujore, sipas saj, e mbyll muajin me rreth 9 mijë lekë mungesë. Vetëm kur të ardhurat arrijnë rreth 150 mijë lekë, llogaria e paraqitur prej saj nxjerr një shumë të mbetur në fund të muajit.
Deputetja e PD-së e përdor këtë përllogaritje për të kundërshtuar panoramën që qeveria paraqet për rritjen ekonomike. Sipas Tabakut, shifrat e rritjes nuk tregojnë çfarë ndodh me fuqinë blerëse dhe me buxhetin real të familjeve.
Ajo pretendon se gjatë 15 viteve të fundit pagat janë rritur me 27%, ndërsa çmimet me mbi 34%. Për Tabakun, diferenca tregon se rritja nominale e pagave nuk ka kompensuar rritjen e çmimeve.
Por argumenti i saj nuk ndalet te pagat. Tabaku e lidh drejtpërdrejt pabarazinë ekonomike me korrupsionin dhe shpërndarjen e fondeve publike. Në njërën anë, sipas saj, qëndrojnë familjet që marrin borxh për ushqimin, qiranë dhe shkollimin e fëmijëve. Në anën tjetër qëndron një rreth që përfiton nga tenderët, koncesionet dhe favoret ekonomike të pushtetit.
Në këtë kontekst ajo përmend KAYO-n, inceneratorët, tenderët në shëndetësi dhe AKSHI-n, si raste për të cilat opozita ka kërkuar përgjegjësi dhe transparencë.
Edhe rritjen e sektorit të ndërtimit, Tabaku nuk e sheh si provë automatike të mirëqenies së familjeve. Ajo përsërit akuzën e opozitës se në këtë sektor qarkullojnë edhe para me burim nga korrupsioni dhe pastrimi i parave. Këtu qëndron edhe teza politike e deklaratës së saj: korrupsioni nuk është vetëm çështje hetimesh apo tenderësh publikë, por ka një faturë ekonomike që, sipas Tabakut, përfundon te qytetari.
Nëse një familje me dy paga minimale, sipas përllogaritjes së saj, duhet të marrë borxh për të përballuar një muaj normal, atëherë debati për rritjen ekonomike nuk mund të kufizohet te statistikat. Tabaku kërkon që matja të nisë te paga, çmimet dhe paratë që i mbeten familjes pasi paguan ushqimin, qiranë, energjinë, transportin dhe shkollën.
