E shtunë, 26 Shtator, 2026

Fjalimi i turpshëm në OKB/ Berisha: Rama është armik i egër i Kosovës, tani po përhap shpifje të ulëta kundër Vetëvendosjes. Foltoret e Ripërtëritjes në Vlorë dhe Elbasan dëshmuan se orteku i opozitës po rritet çdo ditë dhe do të përmbushë misionin e tij

Share

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, e ka cilësuar si ‘të turpshëm’ fjalimin e kryeministrit Edi Rama në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, duke e akuzuar atë se nuk përmendi Kosovën dhe Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Në bashkëbisedimin e përjavshëm me qytetarët, Berisha tha se Rama kishte zgjedhur që fjalimin në OKB ta përqendronte te inteligjenca artificiale dhe jo te çështjet që, sipas tij, lidhen me interesat kombëtare shqiptare.

‘Edi Rama nuk shqiptoi një herë të vetme fjalën Kosovë dhe fjalën UÇK apo lider të UÇK-së’, deklaroi Berisha, duke shtuar se, sipas tij, kryeministri shqiptar ka mbajtur një qëndrim të kundërt me atë të kryeministrit të Kroacisë, i cili foli për zhvillimet në Kosovë dhe rajon.

Lideri i opozitës Sali Berisha e lidhi këtë qëndrim edhe me raportet e Ramës me qeverinë e Kosovës. ‘Të gjithë ata që duan Kosovën, panë dhe kanë parë me dokumente, fakte të pakundërshtueshme se Edi Rama është një armik i egër i Kosovës, i demokracisë’, u shpreh kreu i PD-së. Ai akuzoi gjithashtu Ramën se po përpiqet të paraqesë Lëvizjen Vetëvendosje si një forcë politike kundër Shqipërisë. Sipas Berishës, një pretendim i tillë është i pabazuar. ‘Nuk ka asnjë parti anti-Shqipëri në Kosovë, por ka një shqiptar që sillet si Pashiçi i Serbisë ndaj Kosovës, një shqiptar që quhet Edi Rama, argati i Vuçiçit’, tha Berisha.

Në bashkëbisedimin online me qytetarët, kryetari i PD-së Sali Berisha folir edhe për arrestimin e ish-drejtoreshës së Shërbimit Informativ Shtetëror, Vlora Hyseni. Ai e cilësoi këtë zhvillim si një prej skandaleve më të rënda dhe pretendoi se përgjegjësia politike për çështjet që lidhen me sigurinë e vendit shkon deri te kryeministri Rama. Kryedemokrati përsëriti edhe akuzat e tij ndaj qeverisë për lidhje me krimin e organizuar dhe korrupsionin. Ai deklaroi se ka, sipas tij, ‘prova direkte të mëdha’ për Edi Ramën dhe kritikoi SPAK-un për faktin që, sipas tij, nuk e ka marrë kryeministrin në pyetje për një sërë çështjesh.

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha foli edhe për protestat kundër qeverisë, duke paralajmëruar një aksion më të gjerë opozitar. ‘Koha që opozita të organizojë protestë kombëtare ka kaluar’, deklaroi ai, ndërsa në fund e përmblodhi mesazhin politik me sloganin: ‘Shqipëria në shesh, do të jetë motoja jonë’. Berisha bëri thirrje demokratëve për ‘mobilizimin më të madh’, ndërsa tha se strategjia e opozitës do të jetë ripërtëritja e Partisë Demokratike dhe rritja e presionit politik ndaj qeverisë. Ai deklaroi se PD do të krijojë një agjenci kombëtare që, në rast të ardhjes në pushtet, do të hetonte dhe konfiskonte pasuritë që do të rezultonin të paligjshme.

Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha u bëri sërish thirrje qytetarëve dhe simpatizantëve që të vazhdojnë ‘betejën’ kundër qeverisë dhe të bëhen pjesë e protestës së përditshme qytetare.

Te tjera

Lajme te tjera