E shtunë, 26 Shtator, 2026

Rama në OKB për rreziqet e IA: Jo frenim, por marrëveshje ndërkombëtare! Ky s’do të jetë shekulli i makinerisë! Narrativa për pushtimin e bregdetit shqiptar nga Izraeli nxiti protestat në Tiranë

Share

Edhe kryeministri Edi Rama iu bashkua shqetësimit të liderëve të botës që në punimet e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, kryefjalë patën inteligjencën artificiale.

Shqipërinë e solli si shembull konkret të së ardhmes që bota po debaton.

“Ministrja jonë e njohur botërisht e inteligjencës artificiale dhe nuk e bëmë këtë për të transferuar sovranitetin nga njerëzit te makina. E bëmë për t’i bërë shërbimet publike më të aksesueshme, procedurat më transparente dhe shtetin më llogaridhënës”, tha Rama.

E më gjatë, mbi protestat në Tiranë të ashtëquajtura Revolucioni i Flamingove, i nxitur sipas Ramës nga fabrikimi i një narrative për pushtimin izraelit të bregdetit, që shfrytëzoi algoritmin për aktivizimin e urrejtjes.

“Narrativa e trilluar e një pushtimi izraelit të bregdetit shqiptar. Një pushtim që kurrë nuk ndodhi. U fabrikua, u personalizua e u përcoll përmes zërave, faqeve e kanaleve të cilave qytetarët u besonin tashmë. Pasojat ishin reale. Qytetarët kishin arsyet e tyre për të protestuar, mos më keqkuptoni, por befas nisën të protestonin edhe kundër një armiku fantazmë. Frika u shndërrua në zemëratë. Zemërata u shndërrua në mobilizim dhe trillimi u shndërrua në realitet politik dhe nuk ishte një eksperiment laboratorik. Nuk po ju flas për filma fantastiko-shkencorë. Ishte thjesht një e martë në Tiranë, kryeqytetin tonë. Algoritmi nuk shpiku objektivin. Qe një aktor njerëzor që e bëri këtë. Algoritmi nuk e zhvilloi, nuk e ndezi urrejtjen, por zbuloi si ta aktivizonte urrejtjen tonë. Ky është mashtrim sistematik si shërbim”, tha Rama.

Por, pavarësisht pasojave reale që prodhoi realiteti i rremë sipas Ramës, inteligjenca artificiale nuk duhet të frenohet, por duhet të prodhohen kapacitete për ta kontrolluar përdorimin. Shqipëria tha ai, e ka bërë zgjedhjen:

“Shqipëria, në shkallën e vet mikroskopike përkundrejt kësaj sfide gjigante, po ndërton një pasqyrë digjitale mbështetur mbi inteligjencën artificiale. Pasqyra do të identifikojë manipulimin në kohë reale, do të testojë pretendimet, krahasuar me informacionin e autorizuar, do të zbulojë strukturat e koordinuara, jo vetëm ato çfarë shihen, por edhe si e pse ka mbërritur tek ta”, u shpreh kryeministri.

Nga eksperienca shqiptare, Rama kaloi te propozimi për një marrëveshje ndërkombëtare dhe atë që e quajti “inteligjencë artificiale sovrane”, në mënyrë që asnjë shtet të mos mbetet i pafuqishëm përballë manipulimit digjital.

“Së pari, qytetarët duhet të dinë kur përmbajtja politike me ndikim është gjeneruar artificialisht apo është manipuluar në përmbajtjen e saj. Së dyti, arkitektura e shpërndarjes duhet të bëhet transparente. Qytetarët dhe shtetet duhet të kenë mundësi të dinë kush e krijoi, financoi, kush e shënjestroi apo amplifikoi artificialisht përmbajtjen politike me ndikim. Së treti, çdo përdorim me ndikim i inteligjencës artificiale nga një institucion publik duhet të ruajë një zinxhir të qartë llogaridhënieje njerëzore ligjore. Së katërti, demokracitë duhet të krijojnë një sistem të përbashkët paralajmërimi të hershëm në mënyrë që të dhënat e manipulimit të drejtuar nga Inteligjenca Artificiale të mund të rrugëtojnë midis të gjitha vendeve me mendësi të njëjtë po aq shpejt sa dhe vetë manipulimi, tha Rama.

Inteligjenca artificiale qe temë edhe fjalimit që Presidenti amerikan Donald Trump mbajti në OKB. Trump deklaroi se Shtetet e Bashkuara kundërshtojnë kategorikisht “çdo përpjekje për të ndërtuar një plan globalist për kontrollin e inteligjencës artificiale.

Te tjera

Lajme te tjera