Ambasadori i ri i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, Eric Wendt, ka shkelur këtë të premte (ditën e djeshme) në tokën shqiptare. Burime për mediat konfirmojnë se i përzgjedhuri i presidentit Donald Trump për të drejtuar Ambasadën Amerikane në Tiranë ka mbërritur rreth mesditës së 25 shtatorit në aeroportin “Nënë Tereza” në Rinas. Wendt është pritur në aeroport nga drejtues të protokollit të shtetit, si edhe përfaqësues të Ambasadës Amerikane në Tiranë. Pas një qëndrimi prej rreth 20 minutash në terminalin VIP, ambasadori i ri amerikan është larguar nga aeroporti, ndërsa makina me flamurin e Shteteve të Bashkuara është nisur në drejtim të kryeqytetit. Ndalesa e parë e tij në Tiranë ishte selia e Ambasadës Amerikane, aty ku Wendt do të nisë kontaktet e para pas mbërritjes në Shqipëri. Sakaq mësohet se paraditja e sotme do ta gjejë Eric Wendt në Pallatin e Brigadave, ku do të dorëzojë letrat kredenciale. Përveç ceremonisë së dorëzimit të kredencialeve, parashikohet edhe një takim mes presidentit Bajram Begaj dhe ambasadorit të ri amerikan, i cili pritet të jetë një nga takimet e para zyrtare të Wendt në Shqipëri. Të hënën, ambasadori i ri amerikan pritet të vijojë axhendën e tij me një vizitë në Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme, ku do të zhvillojë takimin e parë me ministrin Ferit Hoxha. Ndërkohë, më 2 tetor, Ambasada Amerikane në Tiranë pritet të organizojë edhe ceremoninë e prezantimit të ambasadorit të ri, e cila do të mbahet në një hotel në qendër të kryeqytetit.
Prapaskenat
Por zbarkimi i diplomatit dhe ish-gjeneralit të ushtrisë amerikane, Eric Wendt, në tokën shqiptare shënon zyrtarisht fundin e ditëve të qeta për klasën politike dhe eksponentët e krimit të organizuar në vend. Prapaskenat e ardhjes së tij konfirmojnë se Uashingtoni po zbret në Tiranë me një diplomaci goditëse, ku në çantën e ambasadorit të ri ndodhen “dosje të nxehta” që synojnë çmontimin pa asnjë kompromis të korrupsionit shtetëror. Trazirat në skenën vendase pritet të jenë të menjëhershme, pasi prapa mandatit të tij qëndron përvoja ushtarake dhe strategjike e një ish-gjenerali që nuk lejon hapësira për lojëra politike. Gjatë dëgjesës në Senatin Amerikan, Wendt i bëri të qarta linjat e tij të kuqe, duke e vendosur luftën kundër krimit ndërkombëtar, karteleve të drogës, korrupsionit dhe pastrimit të parave në majën e piramidës së detyrës së tij. Përveç goditjes pa mëshirë ndaj rrjeteve kriminale dhe karteleve të drogës, diplomati i ri vjen me misionin e qartë për të garantuar se institucionet shqiptare do të përballen me drejtësinë pa asnjë mburojë politike, teksa mbështetja për Strukturën e Posaçme (SPAK) do të jetë priroritet kryesor i tij dhe Uashingtonit. Pjesë e pandashme e këtij stuhie diplomatike është edhe forcimi i sigurisë kombëtare dhe angazhimeve të NATO-s, ku Wendt do të kërkojë rritjen drastike të shpenzimeve të mbrojtjes deri në nivelin 5% të PBB-së. Paralelisht, ai do të hapë rrugën për një diplomaci të fuqishme ekonomike, duke mbrojtur investimet e mbështetura nga SHBA-ja dhe duke goditur monopolet e korruptuara që pengojnë biznesin e ndershëm. Pra me një strategji të hekurt që përfshin mbrojtjen e interesave amerikane dhe riorganizimin radikal të vetë stafit të ambasadës, Eric Wendt e bëri të qartë se era e pandëshkueshmërisë ka marrë fund. Tani e tutje, çdo pushtetar apo figurë e krimit do të përballet me presionin e jashtëzakonshëm të Uashingtonit, në një betejë të hapur për pastrimin e Shqipërisë nga korrupsioni sistemik.
Kush është Eric Wendt?
Ndërkohë kujtojmë se Eric Patrick Wendt ka lindur më 7 tetor 1964 në Berkeley, Kaliforni, dhe është rritur në Clayton. Ai është diplomuar në Clayton Valley High School në vitin 1982. Diplomati Wendt shërbeu për më shumë se 34 vjet në ushtrinë amerikane dhe u bë një nga oficerët më të lartë me karrierë të gjatë në Forcat Speciale, të njohura si “Green Berets”. Ai doli në pension në vitin 2021 me gradën gjenerallejtënant me tre yje. Detyra e tij e fundit në shërbimin aktiv ishte ajo e komandantit të pestë të Komandës së Forcave Speciale të NATO-s, NATO Allied Special Operations Forces Command. Në këtë pozicion, Wendt drejtonte forcat e operacioneve speciale të vendeve të NATO-s, përfshirë edhe njësitë shqiptare të operacioneve speciale. Gjatë periudhës së tij në këtë detyrë ai ka punuar edhe me drejtues të mbrojtjes dhe personel ushtarak shqiptar.
Përvojë në Afganistan, Lindjen e Mesme dhe Azi
Gjithashtu karriera e Wendt përfshin disa prej pozicioneve më të rëndësishme ushtarake amerikane. Ai ka shërbyer në Afganistan si zëvendëskomandant rajonal dhe ka pasur nën përgjegjësi edhe trupa shqiptare. Më herët ka qenë komandant i Qendrës dhe Shkollës së Luftës Speciale John F. Kennedy, komandant i Komandës së Operacioneve Speciale të SHBA-së në Kore dhe shef i shtabit të Komandës së SHBA-së për Indo-Paqësorin. Nga nëntori 2017 deri në tetor 2019, ai shërbeu si Koordinator i Sigurisë i SHBA-së për Izraelin dhe Autoritetin Palestinez, duke drejtuar një koalicion prej tetë vendesh dhe duke raportuar drejtpërdrejt te Sekretari amerikan i Shtetit. Në vitin 2019, Wendt mori komandën e Komandës së Operacioneve Speciale të NATO-s në një ceremoni të zhvilluar në SHAPE, në Belgjikë.
Flet arabisht dhe koreançe
Ndërkaq theksojmë se ambasadori Wendt ka marrë diplomën bachelor në Universitetin e Kalifornisë, Santa Barbara, ndërsa masterin e ka përfunduar në Naval Postgraduate School në Monterey, Kaliforni. Ai flet arabisht dhe koreançe. Gjatë karrierës së tij ka marrë një sërë dekoratash të rëndësishme, përfshirë Medaljen e Shërbimit të Shquar të Mbrojtjes, Medaljen e Shërbimit të Shquar, Medaljen e Bronzit dhe një çmim të lartë nderi nga Departamenti amerikan i Shtetit. Pas pensionimit nga ushtria në vitin 2021, Wendt ka vijuar aktivitetin akademik dhe profesional. Nga viti 2022 deri në vitin 2025 ka shërbyer si një nga dy këshilltarët e lartë të Departamentit amerikan të Mbrojtjes në Kore. Ai ka punuar gjithashtu si profesor praktik në Naval Postgraduate School, ku ka dhënë mësim në fushën e komandimit dhe lidershipit. Në vitin 2023 u përfshi në Hall of Fame të National Army ROTC, ndërsa po atë vit u bë pjesë e Hall of Fame të Defense Language Institute Foreign Language Center.
Ka pasur edhe një nominim për ambasador në Katar
Megjithatë emërimi i Wendt në Shqipëri nuk është përpjekja e tij e parë për të marrë një post diplomatik. Në shtator 2020, presidenti Trump e kishte nominuar për të shërbyer si ambasador i SHBA-së në Katar. Megjithatë, Senati nuk zhvilloi seancën e konfirmimit para përfundimit të Kongresit të 116-të dhe nominimi përfundoi pa u miratuar. Tashmë, gjenerallejtënantit në pension i është besuar posti diplomatik në Shqipëri.
Ambasada amerikane pa ambasador të përhershëm prej vitit 2023
Nga ana tjetër, bëjmë me dije se Ambasada e SHBA-së në Tiranë ka funksionuar pa një ambasador të konfirmuar që nga largimi i ambasadores Yuri Kim në vitin 2023. Para saj, nga viti 2015 deri në vitin 2018, ambasador i SHBA-së në Shqipëri ishte Donald Lu, gjithashtu me origjinë nga Kalifornia.
