E enjte, 30 Prill, 2026

Zgjedhjet për kreun e PD/ Sali Berisha shmang përballjen me Salianjin, Kokalarin dhe Balliun, refuzohen kandidaturat e tyre

Share

Në Partinë Demokratike duket se dyert janë mbyllur sërish. Në ditën e fundit të afatit për dorëzimin e kandidaturave për garën e 23 majit për kryetar të PD, përfaqësuesit e Ervin Salianjit, Evi Kokalarit dhe Alesia Balliut u paraqitën njëri pas tjetrit në selinë blu për të dorëzuar dokumentet, por ato nuk u pranuan.

Arsyeja e dhënë ishte se në seli nuk ndodhej asnjë përfaqësues i Komisionit të Zgjedhjeve, ndërsa u theksua se kandidati duhet të paraqitet personalisht për të dorëzuar kandidaturën në protokoll.

Në këto rrethana, e vetmja që arriti të dorëzojë zarfin me kandidimin ishte një figurë e panjohur më parë në këtë garë, një anëtare e PD-së dhe mjeke me profesion, e cila pretendon se plotëson të gjitha kriteret për të sfiduar Sali Berishën. Megjithatë, edhe kandidatura e saj nuk është konfirmuar ende, pasi pritet verifikimi i kontributit të saj politik.

Përfaqësuesi i dërguar nga ish-deputeti Ervin Salianji deklaroi se zyrat e PD janë mbyllur me qëllim për të penguar një garë të hapur, të cilën Sali Berisha e kishte premtuar më herët.

Në dokumentacionin e dorëzuar, Salianji kishte përfshirë edhe platformën e tij për drejtimin e partisë, ku e cilëson Berishën si një barrë për PD-në dhe kërkon rikthimin e marrëdhënieve me SHBA-në, si dhe mbështetje për sistemin e drejtësisë.

Në këto kushte, ka gjasa që Berisha të hyjë i vetëm në zgjedhjet e 23 majit. Ndërkohë, PD publikoi vetëm më 29 prill udhëzimin për kandidimet, duke lënë si afat përfundimtar datën 30 prill për dorëzimin e dokumenteve.

Një nga kriteret përjashtuese ishte ndalimi i kandidimit për persona të dënuar me vendim të formës së prerë, një pikë që shihet si e drejtuar posaçërisht ndaj Ervin Salianjit.

Te tjera

Lajme te tjera