E enjte, 30 Prill, 2026

Shoku Sali, një parti pa garë është një parti pa demokraci!

Share

Nga Rigels Seliman

Në thelb të çdo sistemi demokratik qëndron gara. Pa garë nuk ka zgjedhje, dhe pa zgjedhje nuk ka demokraci. Ajo që po ndodh sot në Partinë Demokratike nën drejtimin e Sali Berishës nuk është thjesht një proces i brendshëm partiak, por një shembull i qartë i deformimit të këtij parimi themelor. Në PD u mbyllën sërish dyert. Sot në ditën e fundit të afatit të dorëzimit të kandidaturave për garën e 23 majit për kryetar të PD, njëri pas tjetrit përfaqësuesit e Ervin Salianjit, Evi Kokalarit dhe Alesia Balliut mbërritën në selinë blu për të dorëzuar dokumentet e kandidimit, por ato u refuzuan. Pretendimi ishte se në selinë blu nuk ndodhej asnjë përfaqësues i Komisionit për Zgjedhjet dhe se kandidati duhej të ishte paraqitur vetë për të depozituar zyrtarisht kandidaturën në protokoll. Brenda zarfit, Ervin Salianji ishte kujdesur të përfshinte edhe platformën e tij për drejtimin e partisë, në të cilën teksa e quajte Sali Berishën, barrë për partinë, kërkon rikthimin e marrëdhënieve me SHBA-në dhe mbështetjen ndaj drejtësisë. Në këto kushte, Berisha me gjasë do të jetë i vetëm në zgjedhjet e 23 prillit. PD e bëri publike vetëm më 29 prill udhëzimin për kandidimin për kryetar, në të cilin njoftoi në limite kohore se afati i fundit për dorëzimin e dosjeve, ishte 30 prilli. Kriter ndalimi ishte kandidimi i një të dënuari me formë të prerë, i shkruar siç duket, enkas për Ervin Salianjin.

Por për t’u kthyer tek thelbi i çështjes, refuzimi i kandidaturave alternative, përfshirë atë të Ervin Salianji, nuk mund të shihet si një episod i izoluar. Përkundrazi, ai duket si vazhdim i një tradite të gjatë përjashtimi. Në mbi tre dekada pluralizëm politik në Shqipëri, shpesh është vënë re se zërat kundërshtarë brenda së djathtës janë larguar, margjinalizuar ose detyruar të tërhiqen. Madje, edhe figura që kanë qenë pjesë e themelimit të Partisë Demokratike nuk i kanë shpëtuar këtij fati, të cilët shoku Sali Berisha si ish-komunist i ka përzënë nga PD. Kjo krijon perceptimin e një kulture politike ku kundërshtari nuk sfidohet në garë, por hiqet nga loja.

Kjo sjellje ushqen idenë se partia nuk funksionon si një hapësirë e hapur, por si një strukturë e mbyllur, ku vendimet merren nga lart-poshtë. Termi “bunkerizim” përdoret shpesh për ta përshkruar këtë realitet: një organizatë që izolohet, mbyllet dhe i druhet çdo ndikimi të jashtëm apo të brendshëm që mund të sjellë ndryshim. Në këtë kontekst, metaforat që lidhen me të kaluarën komuniste të Saliut dhe simpatinë e tij për bunkerët, që para viteve ’90 u ndërtuan për t’u mbrojtur nga armiku, nuk janë thjesht retorikë, por një mënyrë për të theksuar vazhdimësinë e një mentaliteti kontrolli dhe përjashtimi.

Sot Partia Demorkatike i ngjan më shumë se kurrë një bunkeri. Procesi zgjedhor që ka ngritur tiparin, e përforcon këtë perceptim. Rregulla të shpallura në momentet e fundit, afate të kufizuara dhe interpretime të ngurta procedurash krijuan një mjedis ku gara reale u bë pothuajse e pamundur. Kur një proces ndërtohet në këtë mënyrë, ai nuk synon konkurrencën, por legjitimimin e një rezultati të paracaktuar. Një parti politike nuk mund të trajtohet si pronë private, sikundër po e bën Sali Berisha. Ajo është një organizatë publike në funksion, që duhet të përfaqësojë ide, alternativa dhe zëra të ndryshëm. Kur kjo shumëllojshmëri mungon dhe zëvendësohet nga uniformiteti, partia humbet jo vetëm vitalitetin e saj, por edhe besimin e qytetarëve. Nëse një lider është i sigurt në mbështetjen e tij, ai nuk i frikësohet garës. Përkundrazi, ai e kërkon atë si një provë të legjitimitetit. Kështu që shmangia e përballjes dhe përjashtimi i rivalëve krijojnë përshtypjen e kundërt: një nevojë për kontroll absolut dhe një frikë nga ndryshimi. Megjithatë kjo që ndodhi sot në PD, ishte një kronikë e paralajmëruar, ndërkohë që në fund, pyetja thelbësore mbetet: a mund të ketë demokraci pa garë reale? Rasti i Partisë Demokratike dhe kreut të saj tregon se përgjigjja është jo. Sepse kur kundërshtarët përjashtohen, kur zërat kritikë “shtypen” dhe kur proceset kontrollohen, ajo që mbetet nuk është demokraci, por vetëm një formë e saj-bosh nga përmbajtja dhe larg nga parimet që duhet të përfaqësojë.

Te tjera

Lajme te tjera