E premte, 1 Maj, 2026

Elisa Spiropali, zëri që thyen heshtjen dhe drita që përshkon errësirën politike në PS

Share

Nga Rigels Seliman

Kam ndjekur reagimet e fundit të Elisa Spiropalit dhe më ka tërhequr guximi për të ngritur zërin sa herë që diçka nuk shkon në Shqipërinë tonë të bukur e bekuar! Ajo që bie në sy nuk është thjesht ajo që thotë, por momenti kur zgjedh ta thotë.

Sepse të ngresh zërin kur diçka nuk shkon, sidomos brenda një strukture të madhe politike, sikundër është Partia Socialiste (PS) kërkon më shumë se bindje – kërkon karakter. Dalja e Elisa Spiropalit, në një kohë që në realitetin politik shqiptar mbizotron heshtja, shënon një moment kthjellimi të rrallë

Thirrja e saj drejtuar lidershipit të Partisë Socialiste, “më përjashto”, nuk është një akt dramatik për vëmendje, por një qëndrim i qartë për parime. Në thelb, ajo ngriti një pyetje që shkon përtej individit: a ka ende hapësirë për mendimin ndryshe brenda një partie (PS-së) që pretendon të jetë progresiste? Spiropali nuk po sfidon ekzistencën e partisë, por mënyrën se si ajo funksionon. Ajo kërkon rikthimin e debatit si mekanizëm jetik për çdo organizëm politik.

Sepse një parti që nuk dëgjon zërat brenda saj, rrezikon të humbasë lidhjen me shoqërinë që pretendon të përfaqësojë. Në këtë kontekst, qëndrimi i saj është një akt besnikërie ndaj idealit të së majtës, jo një largim prej tij. Të kërkosh ndarje të qartë mes partisë dhe shtetit është një kërkesë legjitime dhe demokratike. Të flasësh për meritë në vend të kontrollit administrativ është një domosdoshmëri për çdo sistem që synon drejtësinë. Këto nuk janë devijime, por themele mbi të cilat ndërtohet besimi publik. Dhe pikërisht këto themele Spiropali po përpiqet t’i rikthejë në qendër të vëmendjes. Zëri i saj vjen si një vetëtimë që ndriçon një qiell të rënduar nga re të grumbulluara prej kohësh.

Nuk është një shpërthim i papritur, por rezultat i një mendimi që ka zier gjatë në heshtje. Si llava e vullkanit që kërkon të dalë në sipërfaqe, ky qëndrim është i pashmangshëm. Ai nuk mund të shtypet pa pasoja për vetë strukturën që e mban brenda. Në një ambient ku shpesh dominojnë servilizmi dhe frika, ky zë krijon një kontrast të fortë. Ata që buzëqeshin me ironi sot, mund të jenë të njëjtët që nesër do të kërkojnë ndryshim në Partinë Socialiste. Sepse historia politike ka treguar se idetë e drejta fillimisht refuzohen, më pas pranohen si të domosdoshme. Dhe ky është cikli që i jep kuptim çdo lëvizjeje reformuese.

Një organizëm që nuk lejon vetëlëvizjen, rrezikon të bjerë në stagnim dhe më pas në krizë. Kjo është një e vërtetë që vlen për çdo parti politike. Spiropali po sinjalizon pikërisht këtë rrezik, duke kërkuar reflektim dhe jo përçarje. Ajo nuk kërkon të rrëzojë, por të ndërtojë mbi baza më të shëndetshme. Mbështetja për të sot është më shumë se mbështetje për një individ.

Është mbështetje për një mënyrë tjetër të të bërit politikë – një politikë që nuk ndërtohet mbi frikë, por mbi ide. Është një thirrje për legalizimin e mendimit ndryshe si një vlerë thelbësore. Sepse vetëm aty ku ekziston liria e mendimit, mund të lindë zhvillimi i vërtetë. Në fund, kjo nuk është historia e një përplasjeje, por e një mundësie. Një mundësi për ta bërë politikën më të ndershme, më të hapur dhe më njerëzore.

Dhe në këtë rrugë, drita që përshkon errësirën nuk është vetëm një figurë letrare, por një kushtrim nolian i kohëve moderne dhe një domosdoshmëri për të ardhmen.

Te tjera

Lajme te tjera