Kosova do të shkojë në zgjedhje më datë 7 qershor. Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, dekretoi 7 qershorin si datë për mbajtjen e zgjedhjeve të reja parlamentare pas konsultimeve që ajo pati me partitë politike.
Në një deklaratë për mediat, Haxhiu tha se kjo datë u vendos pas vlerësimit të afateve kushtetuese, nevojave organizative të KQZ, dhe rëndësisë së pjesëmarrës sa më të gjerë të qytetarëve,
“Pas vlerësimit të afateve kushtetuese, nevojave organizative të KQZ-së dhe rëndësisë së pjesëmarrjes sa më të gjerë të qytetarëve në këtë proces, kam vendosur që zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës të mbahen më 7 qershor”, ka thënë ajo në konferencën për media.
Këto do të jenë zgjedhjet e treta parlamentare brenda pak më shumë se një viti, duke reflektuar krizën e thellë politike dhe polarizimin mes pozitës dhe opozitës në Kosovë. Ndërkohë që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pritet të nisë menjëherë përgatitjet për organizimin e procesit zgjedhor më 7 qershor 2026. Për organizimin e këtyre zgjedhjeve, KQZ-ja ka kërkuar një shumë prej 8 milionë eurosh.
Vlen të theksohet se brenda vetëm 16 muajve, zgjedhjet parlamentare i kanë ksuhtuar Kosovës 31.3 mln euro. Ato të 9 shkurtit 2025 i kushtuan rreth 7.1 milionë euro, ndërsa ato të 28 dhjetorit rreth 7.4 milionë euro. Kësaj shume i shtohen edhe 8.8 milionë euro për dy raundet e zgjedhjeve lokale të mbajtura në tetor të vitit të kaluar. Këtyre shifrave u shtohet edhe kostoja e pritshme prej rreth 8 milionë euro për zgjedhjet e reja.
Kujtojmë se vendimi për zgjedhje të jashtëzakonshme erdhi automatikisht pas dështimit të Kuvendit të Kosovës për të zgjedhur presidentin e ri të vendit brenda afatit kushtetues.
Opozita (PDK, LDK dhe AAK) bojkotoi seancën e fundit, duke pamundësuar arritjen e kuorumit të nevojshëm. Si pasojë, Kuvendi u shpërnda automatikisht sipas Kushtetutës.
