E shtunë, 8 Gusht, 2026

Rama për Financial Times: Shqipëria në rrugë të qartë drejt BE! Vendi është në momentin më të mirë në shumë aspekte

Share

Integrimi europian mund të shndërrohet në një ëndërr të mbetur “në sirtar” për shumë vende të cilat kanë pasur dëshirë për t’u bërë pjesë e saj, ndërsa në Ballkanin Perëndimor shpresat për Shqipërinë e Malin e Zi janë më të mëdha për ta bërë realitet këtë moment. Pas një periudhë kohore prej 13 vitesh pa një anëtar të ri në BE, kjo e fundit thuhet se po përballet me presion në rritje për të hapur sërish dyert e zgjerimit, pasi pasiguritë gjeopolitike dhe konkurrenca mes fuqive të mëdha po rriten goxha kohët e fundit. 

Në një intervistë të dhënë për median prestigjoze “Financial Times”, kryeministri i Shqipërisë ka ritheksuar se vendi ynë është në një moment të rëndësishëm në rrugën drejt Bashkimit Europian.

“Ne kemi një rrugë të qartë drejt Bashkimit Evropian. Shqipëria është në momentin më të mirë në shumë aspekte”, është shprehur kreu i qeverisë shqiptare Edi Rama.

Dëshira për të qenë një vend europian është rritur më shumë për vendet kandidate, kryesisht pas pushtimit të Ukrainës nga rusët. Kjo pasi të qenurit pjesë e BE-së nuk nënkupton një udhëheqje apo mënyrë jetesë më të mirë, por lidhet ngushtësisht dhe me sigurinë kombëtare.

Në mesin e vendeve kandidate për pjesën e Ballkanit Perëndimor, shkruhet se Mali i Zi dhe Shqipëria janë në hapa më të shpejta drejt integrimit europian sesa vendet e tjera si: Serbia, Maqedonia e Veriut, Bosnje-Hercegovina dhe Kosova.

Raportohet se Mali i Zi, ka përfunduar më shumë se gjysmën e reformave të kërkuara për hyrje në BE. Po ashtu bëhet me dije se institucionet evropiane kanë nisur përgatitjet për hapat ligjorë të anëtarësimit, ndërsa vendi është përfshirë edhe në planet financiare të bllokut.

Ndërkohë, Ukraina dhe Moldavia kanë nisur negociatat zyrtare të anëtarësimit, ndërsa Shqipëria ka avancuar në procesin e reformave për afrimin me Bashkimin Evropian.

Megjithatë, disa vende kandidate po shfaqin dyshime nëse premtimet e Brukselit do të shndërrohen në realitet. Por kjo mbetet për t’u parë në vijim.

Jo rrallëherë kryeministri i Shqipërisë, me bindje të plotë e ka thënë me zë të lartë që Shqipëria do të jetë anëtare e Bashkimit Europian deri në vitin 2030, një moment i cili do të jetë “i bekuar” për të gjithë shqiptarët, të cilëve u është premtuar dhe pasaporta europiane.

Te tjera

Lajme te tjera