Kryeministri Edi Rama ka ‘zbërthyer’ kuptimin e dokumentit strategjik “BESA”, që qeveria e ka prezantuar si bazën e një qasjeje të re në vendimmarrje dhe marrëdhënien me qytetarët, një hap që erdhi në shenjë reflektimi ndaj të ashtuquajturës “Protesta e Flamingove”.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama shpjegon se “BESA” që ai u jep shqiptarëve mbështetet mbi katër shtylla: B për besim, E për empati, S për shërbim dhe A për angazhim.
“Besa” është një dokument strategjik dhe politik i prezantuar nga Kryeministri Edi Rama në korrik të vitit 2026, i konceptuar si një marrëveshje e re qeverisëse dhe një metodë e re veprimi e Partisë Socialiste për mandatin e katërt.
Dokumenti synon të adresojë pakënaqësitë qytetare dhe të rrisë llogaridhënien përmes mekanizmave shtetërorë ekzistues dhe strukturave të reja.
Testi i parë i Besës do të jetë pikërisht projekti i Zvërnecit. Brenda 90 ditësh synohet të zhvillohen dëgjesa, përfshirë dhe grupet që protestuan si dhe të bëhen publike dokumenta apo të realizohet një vlerësim paraprak, për të marrë më pas një vendim për të ardhmen e projektit.
