E enjte, 6 Gusht, 2026

Ministri Salla vlerëson investimet e Tona ALB në Korçë: Modernizimi i industrisë agro-ushqimore është çelësi për produktet ‘Made in Albania’ në tregjet e BE-së

Share

Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, inspektoi kompaninë Tona ALB në Korçë, në kuadër të procesit të kategorizimit të stabilimenteve dhe harmonizimit të sektorit agro-ushqimor me legjislacionin e Bashkimit Europian.

Gjatë vizitës, ministri u njoh nga afër me zbatimin e standardeve të sigurisë ushqimore dhe investimet e realizuara nga kompania, duke vlerësuar gatishmërinë e operatorit për të përmbushur kërkesat e tregut europian.

Ministri Salla theksoi se procesi i kategorizimit synon të ndihmojë bizneset të identifikojnë investimet e nevojshme për të përmbushur standardet europiane të sigurisë ushqimore.

“Mbase në disa nga subjektet apo bizneset në terren janë shumë të mira kanë investuar pafund në teknologji, por mënyra se si i kemi ndaj kategorizimit ka pasur nevojë për përmirësim qoftë në procese të ndryshme ku kompanitë do duhet që të ndryshojnë mënyrën se si futet produkti, më pas se si trajtohet apo përpunohet dhe më pas se si paketohet dhe kalon në fund për nxjerrjen nga magazina apo nga mjetet që duhet të transportojnë drejt përfundimit ku shkon edhe produkti”, theksoi Salla.

Salla tha se “kategorizimi i stabilimenteve është një garanci për konsumatorin, një nxitje për investime të reja dhe një hap konkret drejt rritjes së konkurrueshmërisë së sektorit agro-ushqimor, duke krijuar më shumë mundësi që produktet Made in Albania të jenë të pranishme në tregjet e Bashkimit Europian”.

E themeluar në vitin 1992 si një biznes familjar, Tona ALB është shndërruar në një nga kompanitë lider të përpunimit të mishit në Shqipëri, falë investimeve të vazhdueshme në teknologji moderne, gjurmueshmëri dhe standarde të sigurisë ushqimore.

Ministri Salla vlerësoi kompaninë si një model të sipërmarrjes shqiptare që ka investuar vazhdimisht në cilësi dhe standarde, duke dëshmuar se modernizimi i industrisë agro-ushqimore është rruga për të rritur praninë e produkteve Made in Albania në tregjet europiane.

Te tjera

Lajme te tjera