E martë, 14 Korrik, 2026

U nis për të eksploruar natyrën që e donte aq shumë, por nuk u kthye më, gjendet trupi i pajetë i 33-vjeçarit Erkin Lika

Share

Pas kërkimeve intensive, është gjetur trupi i pajetë i 33-vjeçarit Erkin Lika, i cili ishte shpallur i humbur që prej pasdites së së shtunës. I riu dyshohet se është rrëzuar aksidentalisht në rrjedhën e lumit gjatë një aktiviteti ngjitjeje me litar pranë Urës së Vashës.

Sipas informacioneve paraprake, 33-vjeçari mund të ketë rënë në një gropë thithëse të lumit, duke e bërë të pamundur shpëtimin e tij. Pas disa orësh kërkime, trupi i tij u nxor nga ujërat falë ndërhyrjes së palombarëve.

Autoritetet kanë nisur verifikimet në vendngjarje për të përcaktuar rrethanat e plota të aksidentit tragjik. Ngjarja ka shkaktuar tronditje te familjarët dhe komuniteti, ndërsa vijojnë hetimet për zbardhjen e dinamikës së ngjarjes.

Erkin Lika ishte specialist i rrjeteve të fibrave optike, banues në Tiranë, i apasionuar pas natyrës, fotografisë dhe eksplorimit të shpellave. Përveç profesionit në fushën e teknologjisë, ai ishte një speleolog i certifikuar me trajnime nga Club Alpino Italiano dhe Società Speleologica Italiana, si dhe një nga themeluesit e Shoqatës Speleologjike Shqiptare. Erkin Lika ishte pjesë e komunitetit të kërkim-shpëtimit malor në Shqipëri, ku kontribuonte me aftësitë e tij në organizim, bashkëpunim dhe eksplorime në terren. Ai njihej për pasionin ndaj natyrës, përkushtimin profesional dhe dëshirën për të dokumentuar bukuritë e saj përmes fotografisë.

Ndërkohë për rastin ka reaguar edhe Agjencia Kombëtare të Mbrojtjes Civile, e cila bën me dije se upi i 35-vjeçarit u gjet pranë Urës së Vashës.

Postimi i plotë: 

Nën drejtimin e Prefektit të Qarkut Dibër dhe koordinimin e Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile u zhvillua operacioni i kërkim-shpëtimit për gjetjen e 35-vjeçarit të zhdukur në lumin Mat, pranë Urës së Vashës, në bashkinë Klos.

Në operacion u angazhuan rreth 90 forca dhe vullnetarë nga strukturat e mbrojtjes civile në nivel qendror dhe vendor, përfshirë efektivë të Forcave të Armatosura, Policisë së Shtetit, RENEA-s, polumbarë, zjarrfikës, ekipe kërkim-shpëtimi dhe vullnetarë. Mbështetje dhanë gjithashtu ekspertë dhe forca kërkim-shpëtimi nga Kosova.

Pas kërkimeve intensive dhe bashkëpunimit ndërinstitucional, trupi i 35-vjeçarit u gjet pranë Urës së Vashës.

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjen dhe falënderon të gjitha strukturat, ekspertët dhe vullnetarët e angazhuar për profesionalizmin dhe përkushtimin e treguar gjatë operacionit.

Te tjera

Lajme te tjera