E mërkurë, 5 Gusht, 2026

Berisha: Ermal Beqiri prestanome i Ramës dhe Frangut, prej 7 muajsh në kërkim, ministria i disburson 8.5 milionë euro. Po prishet kontrata e aeroportit të Vlorës sepse Pacolli nuk pranoi pazarin. Kjo është një histori mafioze korrupsioni e treshes Rama, Balluku, Balla

Share

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë konferencës së sotme me gazetarët, ka akuzuar Edi Ramën se ka urdhëruar Ministrinë e Financave që të disbursojë pagesën prej 8.5 milionë eurosh për Ermal Beqirin dhe kompaninë e tij ‘Soft & Solution’. Ai deklaroi se shteti dhe krimi janë të ndërthurura dhe akuzoi Ramën se vijon të mbështesë kompani pavarësisht problemeve të tyre ligjore. ‘Në Shqipëri, krimi dhe shteti, shteti dhe krimi janë një dhe të pandarë. Të pandarë publikisht, të pandarë në para, të pandarë në dokumente’, tha Berisha.

Duke folur për kompaninë ‘Soft & Solution’, në pronësi të Ermal Beqirit, lideri i demokratëve akuzoi Ramën se ka lejuar vijimin e pagesave publike. ‘Edi Rama urdhëroi dhe ministren e Financave t’i disbursojë 8.5 milionë euro për t’i dëshmuar Ermal Beqirit se nuk ka vepër penale, se nuk ka urdhër arresti, se nuk ka urdhër ekstradimi që mund të pengojë rolin e tij si prestanome’, deklaroi Berisha. Ai kërkoi ndërprerjen e kontratave me kompani që, sipas tij, kanë lidhje me persona nën hetim ose të akuzuar për vepra penale. ‘Ndërmarrjet shqiptare nuk mund të bashkëpunojnë kurrë me kriminelë dhe ndërmarrjet e tyre’, tha Berisha, duke shtuar se fondet publike nuk duhet të shkojnë te kompani të tilla.

Gjatë fjalës së tij, lideri i opozitës Sali Berisha reagoi edhe për ndalimin e hyrjes në Shqipëri të gazetarit nga Maqedonia e Veriut, Valon Bele, duke e cilësuar vendimin si sulm ndaj lirisë së medias. ‘Të shpallësh një gazetar non grata se ai nuk pajtohet me qëndrimet e tua, bën një akt kundër fjalës së lirë, kundër lirisë së mendimit dhe shprehjes’, tha ai. Berisha kritikoi edhe heshtjen e organizatave të gazetarëve, duke kërkuar reagim nga institucionet kombëtare dhe ndërkombëtare të medias.

Duke iu përgjigjur interesit të gazetarëve, kryetari i PD-së, Sali Berisha foli edhe për çështjen e koncesionit të aeroportit të Vlorës dhe paralajmërimi për një proces arbitrazhi ndërkombëtar nga biznesmeni Behgjet Pacolli. Berisha u shpreh se, prishja e kontratës do t’i shkaktojë një dëm të madh financiar shtetit shqiptar. ‘Po prishin një kontratë, për të cilën garantoj qytetarët e këtij vendi se do gjobiten me së paku 500 milionë euro’, u shpreh ai. Sipas tij, pas këtij vendimi qëndrojnë interesa të tjera dhe jo interesi publik. ‘Një histori mafioze korrupsioni të paimagjinueshme dhe treshja Rama, Balluku, Balla janë pretendentët kryesorë për të marrë aksionet e kompanisë turke që u tërhoq’, tha Berisha.

Gjithashtu lideri i demokratëve Sali Berisha u ndal edhe te projekti i Portit të Durrësit, të cilin e cilësoi si një nga aferat më të mëdha ekonomike të qeverisë. ‘Kemi denoncuar aferën e portit të Durrësit si aferën më të madhe korruptive në Europë. Nuk ka asnjë aferë tjetër në dijeninë time që arrin në shumën 4 miliardë euro’, deklaroi ai. Sipas tij, projekti do të rëndojë mbi qytetarët shqiptarë edhe me kosto shtesë për ndërtimin e portit të ri.

Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë.

Te tjera

Lajme te tjera