Çdo ditë që protestuesit kalojnë pa një parti të re, pa një lider dhe pa një kandidat për kryeministër është një ditë në favor të Ramës dhe Berishës. Ky është vlerësimi i analistit Kreshnik Spahiu për protestën e “Flamingove”, e cila sot hyn në ditën e 66-të por që përveç thirrjeve virale “Rama jepe dorëheqjen” në TikTok, nuk ka prodhuar ende një lëvizje politike që mund të kërcënojë establishmentin në Shqipëri.
Gjatë një interviste me Report TV Spahiu thotë se protesta do të shuhet nëse nuk strukturohet në një forcë politike, të zgjedhë përfaqësuesit e saj, të paraqesë një kandidat për kryeministër dhe një program qeverisës. Të vetmit fitues nga kjo situatë, sipas Spahiut, janë Edi Rama dhe Sali Berisha
“Revolucioni i Flamingove është lëvizje politike kundër establishmentit të vjetër. Ky establishmenti i ri po tregon paaftësi organizuese për të krijuar programin politik, partinë e re politike që do garojë në zgjedhje, kontratën e re dhe programin për të qeverisur vendin. Sa më gjatë e zgjasin idenë dhe hezitojnë të krijojnë partinë e re, aq më shumë do të forcohen partitë e vjetra, PD dhe PS. Sa më shumë të vonojnë në nxjerrjen e një lideri të ri aq më shumë do të forcohet Rama dhe Berisha, SA MË SHUMË të vonojnë emrin për një kryeministër të ri aq më gjatë do ta kenë Ramën në krye të vendit. Duket sikur i mban një dorë që mos të hedhin hapin e radhës ose janë të paaftë të prodhojnë politikë. Këta kërkojnë ta ccojnë vendin në zgjedhje me Ramën dhe Berishën, PD dhe PS. Nuk e kuptoj si mund te hapësh një faqe të re në histori me xhaketa të vjetra. Nëse këta nuk hedhin hapin e rradhës me një parti të re, partitë e vjetra do të forcohen dhe këta do të zhduken” tha Spahiu në Report TV.
