Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka analizuar në rubrikën “Këndi i Fundjavës” tri sfidat kryesore që, sipas saj, po rëndojnë ekonominë dhe jetën e familjeve shqiptare: rritjen e kostos së jetesës, emigrimin dhe tkurrjen e prodhimit.
Sipas Tabakut, këto probleme burojnë nga një model ekonomik që favorizon një numër të kufizuar kompanish dhe individësh të lidhur me qeverinë, ndërsa shumica e qytetarëve përballen me çmime në rritje, taksa më të larta dhe paga që nuk mbulojnë kostot e jetesës.
“Çmimet shqiptare janë barazuar me ato europiane. Kemi çmime europiane, ndërkohë që pagat janë shqiptare”, deklaroi Tabaku.
Deputetja demokrate tha se gjatë dhjetë viteve të fundit çmimet janë rritur me 22%, ndërsa pagat nuk kanë ndjekur të njëjtin ritëm. Si shembull, ajo përmendi një familje me katër anëtarë, e cila, sipas saj, ka nevojë për rreth 66 mijë lekë në muaj për të përballuar jetesën, në një kohë kur paga mesatare është rreth 73 mijë lekë.
Tabaku hodhi poshtë, sipas saj, narrativën e qeverisë për rritjen ekonomike, duke argumentuar se përfitimet nuk kanë shkuar te qytetarët.
“Rritja e produktit të brendshëm bruto ka shkuar te një grup i vogël njerëzish dhe në një industri të vetme. Ekonomia shqiptare nuk prodhon më. Rritja është përqendruar te ndërtimi dhe te 15 apo 20 kompani që marrin tenderë, koncesione dhe leje ndërtimi”, u shpreh ajo.
Kriza e dytë që evidentoi deputetja lidhet me emigrimin. Sipas saj, largimi i të rinjve dhe i familjeve shqiptare ka sjellë ulje të konsumit, kursimeve dhe përdorimit të sistemit bankar, duke ndikuar edhe në kreditimin e familjeve dhe bizneseve. Tabaku shtoi se të ardhurat nga emigracioni janë rreth 30% më të ulëta krahasuar me disa vite më parë.
Sa i përket krizës së tretë, ajo u ndal te rënia e prodhimit dhe mungesa e një modeli të qëndrueshëm zhvillimi ekonomik. Tabaku përmendi tkurrjen e peshës së bujqësisë në ekonomi dhe vështirësitë e sektorit fason, duke akuzuar qeverinë se e ka orientuar zhvillimin pothuajse tërësisht drejt ndërtimit.
“Ne ndërtuam një ekonomi llaçi dhe tullash; një model që nuk prodhon, nuk eksporton dhe riciklon para në sektorin e ndërtimit. Ky model nuk i shpërndan të ardhurat te qytetarët, por ka krijuar një ekonomi të pakicës”, tha ajo.
Deputetja e PD-së i lidhi këto zhvillime edhe me protestat dhe pakënaqësinë qytetare, duke argumentuar se shqiptarët kërkojnë më shumë mundësi ekonomike, meritokraci, konkurrencë dhe një perspektivë më të mirë për fëmijët e tyre.
“Ky është sistemi që ka nxjerrë qytetarët në protestë. Ndërsa një pakicë përfiton nga taksat e hequra, koncesionet, privilegjet dhe lejet e ndërtimit, 95% e qytetarëve përjetojnë ekonominë e taksave të rritura, çmimeve të larta dhe pagave të ulëta”, deklaroi Tabaku.
Në përfundim, ajo u shpreh se modeli ekonomik i ndërtuar gjatë qeverisjes socialiste duhet të ndryshojë për t’i hapur rrugë konkurrencës dhe integrimit europian të vendit.
“Ky sistem duhet çmontuar. E vetmja mënyrë për ta ndryshuar është ndryshimi i qeverisë dhe i atyre që e kanë ngritur, tullë pas tulle dhe favor pas favori. Pa u çmontuar ky sistem privilegjesh, nuk mund t’i hapet rruga as Shqipërisë europiane dhe as të rinjve shqiptarë”, përfundoi Tabaku.
