E hënë, 3 Gusht, 2026

Berisha: Druaj shumë se, kështjella mund të jetë e Edi Ramës dhe jo e Ermal Beqirit. Protestat janë të ligjshme, kjo që bën Rama është një veprim sulltanesk që kërkon ta ketë Shqipërinë në pëllëmbë të dorës

Share

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në deklaratën e tij për mediat nga ambientet e SPAK, hodhi akuza ndaj kryeministrit Edi Rama, drejtuesve të SPAK dhe reformës territoriale, ndërsa u ndal edhe te çështja e pasurive të Ermal Beqirit në Francë.  Duke iu përgjigjur interesit të gazetarëve për hetimet në lidhje me pasuritë e Ermal Beqirit, Berisha ngriti dyshime se ato mund të lidhen me kryeministrin. ‘Hetimi duhet të jetë nëse kështjella është e Ermal Beqirit apo e Edi Ramës dhe Olsi Ramës. Ju e patë, kishte kështjellë, jahte dhe avion. Druaj shumë, megjithatë hetimet do ta tregojnë, se kështjella mund të jetë e Edi Ramës, pasi ai nuk mund të toleronte në rrethin e tij kështjellarë të tjerë përveç vetes’, deklaroi kreu i PD.

Në fillim të deklaratës, lideri i demokratëve Sali Berisha u ndaj te dosja ‘Aruba’, duke akuzuar Altin Dumanin se mban sekret emrat e organizatorëve kryesorë, që sipas tij, është prova më e qartë e lidhjeve mes qeverisë, trafikantëve dhe biznesit. Sipas Berishës, emrat e trafikantëve dhe biznesmenëve janë bërë publikë, ndërsa emrat e organizatorëve të takimit në Aruba mbahen të fshehtë nga Altin Dumani për të mbrojtur Edi Ramën. Ai akuzoi prokurorin e SPAK se po mbron qeverinë dhe e cilësoi atë si ‘Altin Aruba’.  

Lideri i opozitës Sali Berisha akuzoi gjithashtu qeverinë se, sipas tij, po përdor shtatzëninë për të shmangur burgun. ‘Kjo është epidemi. Përdorin ligjin e shenjtë të fëmijërisë kundër ligjit penal. E dënoj me forcën më të madhe këtë praktikë’, u shpreh kreu i PD-së.

Duke komentuar ngjarjen me të shtënat pranë një jahti në jug të vendit, Berisha tha se episodi dëmton rëndë imazhin e Shqipërisë. ‘Ishte një ngjarje që e paraqet Shqipërinë si banditistan. Pushuesit përballen me breshëri armësh në brigjet e Jonit. Ata janë banditë të qeverisë, ndihen mbi ligjin njësoj si qeveria’, deklaroi ai.

Sa i përket zgjedhjes së Prokurorit të Përgjithshëm, kryetari i PD-së Sali Berisha bëri të qartë se Partia Demokratike nuk do të marrë pjesë në proces. ‘Pas asaj që ndodhi me Avokatin e Popullit, ne kemi ndërprerë çdo bashkëpunim për përzgjedhjen e emrave. Prokuroria e Përgjithshme sot është një institucion i zhveshur nga kompetencat kushtetuese’, tha Berisha.

Gjatë fjalës së tij, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha u pyet edhe për protestat që kanë nisur në mbarë vendin, kundër reformës së re territoriale që kërkon të bëjë Edi Rama.  ‘Janë protestat më të ligjshme. U bëj thirrje të gjithë qytetarëve të bashkive që Edi Rama kërkon t’i fshijë nga harta të ngrihen në protesta të pandërprera. Kjo që bën Edi Rama është një veprim sulltanesk i një njeriu që kërkon ta ketë Shqipërinë në pëllëmbë të dorës. Në vend të decentralizimit promovon centralizimin ekstrem’, deklaroi gjatë fjalës së tij, lideri i demokratëve, Sali Berisha.

Te tjera

Lajme te tjera