E mërkurë, 5 Gusht, 2026

Speciale/ Dosja e errët e pandemisë në Shqipëri, 20 mijë shqiptarë humbën jetën nga Covid-19, mijëra të tjerë shpenzuan 200 milionë euro për t’u kuruar, të vdekurit e fshehur në morg dhe analizat e pabesueshme në laboratorët privatë, ja fitimet marramendëse për industrinë farmaceutike

Share

Dëshmia e bujshme e Dr. Anthony Fauci-t para Senatit Amerikan ka rindezur fuqishëm debatin global mbi menaxhimin e pandemisë së Covid-19, duke shërbyer si pikë kthese edhe për përplasjet e nxehta në komunitetin mjekësor shqiptar. Mjeku Erion Dasho ka publikuar fillimisht një status përmes së cilit kritikon ashpër mjekët që gjatë pandemisë  kundërshtuan politikat zyrtare dhe promovuan teori që, sipas tij, nuk mbështeteshin nga provat shkencore. Më tej ai ka shkruar se sipas tij, nuk kishte pasur “mjekë martirë”, por profesionistë të cilët përhapën pretendime që sipas tij ishin të rrezikshme për shëndetin publik. “Mjekët konspiracionistë përhapën ide që cenuan sigurinë e pacientëve dhe vendosën në rrezik jetën e miliona qytetarëve”, ka shkruar ai ndër të tjera.

Por për këtë deklaratë dhe dëshmisë së Faucit në Senatin Amerikan ka reaguar disa herë kardiologu i njohur, Edvin Prifti, i cili ka shpërthyer në akuza ndaj mjekut Erion Dasho, duke rrëzuar pretendimet se mjekët kritikë ishin “konspiracionistë” dhe duke i cilësuar ata si martirë që u përballën me një censurë të egër. Prifti denoncoi protokollet zyrtare që sipas tij, kushtuan jetën e mijëra shqiptarëve, ndërsa publikoi të dhëna të paraqitura në Senat që pretendojnë efekte negative nga vaksinat Pfizer dhe Moderna. Po ashtu, përmes një reagimi prekës për humbjen e kolegëve të rinj, kardiologu bëri thirrje për ndërgjegjësim kolektiv dhe falënderoi ligjvënësit amerikanë për zbardhjen e së vërtetës, duke e mbyllur me deklaratën e fortë se “konspiracionin nuk e bëjnë kritikët, por vetë pushteti”. Por përtej përplasjeve verbale, dosja e errët e pandemisë në Shqipëri fsheh shifra alarmante dhe skandale financiare e njerëzore që vazhdojnë të trazojnë opinionin publik:

  • Bilanci i fshehur i viktimave: Rreth 20 mijë shqiptarë humbën jetën gjatë periudhës së pandemisë, një shifër shumë më e lartë se raportimet zyrtare, ku dyshimet për fshehjen e trupave në morgun e Tiranës mbeten një nga plagët më të rënda të asaj periudhe.
  • Fatura 200 milionë euro: Qytetarët shqiptarë u detyruan të shpenzonin mbi 200 milionë euro nga xhepat e tyre për barnat, oksigjenin dhe trajtimet jashtë-spitalore për shkak të dështimit të sistemit shëndetësor publik.
  • Përfitimet marramendëse: Industria farmaceutike dhe laboratorët privatë realizuan fitime milionëshe përmes çmimeve stratosferike për tamponët dhe analizat, besueshmëria e të cilave shpesh u vu në pikëpyetje të madhe.

Ndërkohë për të treguar më shumë rreth kësaj çështje që vijon të shkaktojë debat edhe disa vite pasi pandemia e COVID-19 është larguar, veçanërisht me denoncimet e forta të gazetës “SOT” që e ka konsideruar atë si një mashtrim të madh, sot po nxjerrim detaje nga dosja e errët e pandemisë në Shqipëri. Fillimisht po publikojmë një reagim të mjekut Erion Dasho, i cili ndonëse sot shfaqet si mbrojtës i linjës zyrtare dhe pro vaksinave të COVID-19, në vitin 2023 mbante një qëndrim krejt tjetër, ku ishte kundër tyre dhe ka bërë disa deklarata të forta ndaj menaxhimshmërisë së procesit.

Bilanci i Covid-19 me 20 mijë të vdekur, mjeku Dasho zbardhi prapaskenat dhe akuzoi sistemin shëndetësor për korrupsion

Konkretisht eksperti i shëndetit publik, mjeku Erion Dasho, deklaronte se pandemia e Covid-19 nxori në pah dështimin total dhe korrupsionin e sistemit shëndetësor në Shqipëri. Përmes një reagimi të fortë të publikuar në vitin 2023, ai hodhi akuza direkte ndaj autoriteteve, duke i cilësuar përgjegjës për një bilanc tragjik prej 20 mijë jetësh të humbura dhe 200 milionë euro të shpenzuara nga qytetarët. Dasho zbardhi prapaskenat e menaxhimit të krizës, duke denoncuar abuzimet financiare dhe masat shtrënguese: “Që nga dhjetori 2014 kam qenë zë konstant kundër qeverisjes tënde. Kryesisht në atë fushë që njoh më mirë, sistemin shëndetësor.

Rasti e solli që këtë sistem ti dhe banda jote e caktuat si tabelë qitje për një hajdutëri të pashoqe që sot vlerësohet në mbi 400 milionë euro! Rasti tjetër e solli, që ky sistem kaloi një provë zjarri me pandeminë e COVID-it… I mban mend testet që kushtonin 120 euro dhe trajtimin sharlatan me remdesivir që kushtonte deri në 5,000 euro cikli?! Madje jo vetëm kaq. Edhe po i terrorizoje, po i tallje dhe po i mashtroje (I mban mend tanket në rrugë?! I mban mend të vdekurit e fshehur në morg?!)”. Më tej, ai theksonte se vendi u përball me skandale të njëpasnjëshme ku u përfshinë zyrtarë të lartë në krime të rënda e afera korruptive. Pavarësisht kësaj tabloje, eksperti shprehu demoralizimin për faktin se këto abuzime nuk e dëmtuan pushtetin politik të mazhorancës. Ai përmbylli reagimin me një shënim skeptik mbi qëndresën popullore: “Në fund të fundit, 700,000 shqiptarë që të votojnë akoma ty, ka më shumë të ngjarë të kenë të drejtë dhe kritikët e tu të paktë ta kenë gabim! Vetëm se unë e kam të vështirë të heq dorë.”

Raporti i KLSH-së në vitin 2021 konfirmonte dështimin me tamponët dhe kostot

Ndërkaq gazeta “SOT” po publikon edhe një raport të Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH), i cili kishte shpërthyer në kritika të ashpra dhe kishte ngritur alarmin ndaj qeverisë e Ministrisë së Shëndetësisë që në auditimin e vitit 2021 për menaxhimin e situatës së Covid-19 në Shqipëri. Në raportin e auditimit të performancës, që mbuloi periudhën nga marsi i vitit 2020 deri në vitin 2021, institucioni nxori në pah dështime serioze dhe kosto mjaft të larta që rënduan drejtpërdrejt mbi qytetarët. Auditi i KLSH-së të asaj kohe kishte vënë në dyshim të fortë vërtetësinë e përgjigjeve të tamponëve të kryer në laboratorin e ISHP-së dhe ato private. Përjashtimi i Drejtorisë së Përgjithshme të Akreditimit (DPA) nga procesi i akreditimit të aparaturave laboratorike cenoi drejtpërdrejt saktësinë e të dhënave, ndërsa marrja e kompetencave nga Komiteti i Ekspertëve dhe Ministria e Shëndetësisë krijoi pasiguri të mëdha mbi vërtetësinë e analizave.

Përveç dyshimeve mbi tamponët, KLSH-ja alarmonte se mungesa e udhëzimeve administrative për rimbursimin apo ofrimin e shërbimeve falas bëri që shqiptarët të paguanin shifra marramendëse nga xhepi. Raporti theksonte se shpenzimet direkte shëndetësore të qytetarëve arritën deri në 50%, përkundrejt mesatares prej 14.9% në Bashkimin Europian, duke dëshmuar dështimin e skemës së sigurimeve shëndetësore. Në përfundim, auditimi i vitit 2021 nga KLSH nëntaksonte se skema e rimbursimit të barërave kundër Covid-19 dështoi të funksiononte siç duhet, pasi shumica e qytetarëve nuk patën kurrë dijeni për këtë lehtësim financiar, duke konfirmuar se menaxhimi i krizës u shoqërua me barrë të rëndë financiare mbi familjet shqiptare.

Aferat e industrisë farmaceutike gjatë krizës

Nga ana tjetër, gazeta “SOT” po sjelle një verifikim faktesh të bëra publike nga “Deutsche Welle” (DW) në vitin 2022, duke treguar se fitimet marramendëse të industrisë farmaceutike gjatë pandemisë nuk janë konspiracion, por realitet. Sipas verifikimit, pandemitë shënuan rritje rekord xhirosh për koncerne si BioNTech, Pfizer dhe Roche. BioNTech e rriti xhiron nga 0.5 miliardë euro në 2020 në 17 miliardë në 2021, ndërsa Pfizer arriti 81 miliardë dollarë xhiro, ku 36 miliardë vinin vetëm nga vaksina Corminaty. Analistët e shohin këtë rritje si të përkohshme, duke parashikuar rënie të shitjeve të vaksinave deri në vitin 2026. Njëkohësisht, konfirmohet se paratë publike siguruan fitime gjigante për këto kompani.

Qeveritë e vendeve të zhvilluara bënë porosi masive me miliarda euro dhe financuan kërkimet shkencore, ndërsa u garantuan firmave imunitet ligjor. Ndërkohë, miliona njerëz në vendet me të ardhura të ulëta mbetën pa qasje të barabartë te këto vaksina mbrojtëse. Kjo pabarazi nxiti reagime të ashpra nga organizatat humanitare që akuzuan industrinë për egoizëm tregtar. Nga ana tjetër, miliardat e shpenzuara nga taksapaguesit rënduan drejtpërdrejt mbi buxhetet shtetërore të shumë vendeve. Megjithatë, kompanitë vazhduan të mbronin interesat e tyre financiare mbi nevojat urgjente të shëndetit publik global. Lidhur me patentat, kërkesat e OBSH-së dhe OQG-ve për heqjen e tyre u zbatuan vetëm pjesërisht. Ndërsa Pfizer dhe BioNTech refuzuan transferimin e teknologjisë, kompani si AstraZeneca e ofruan vaksinën me çmim kostoje, dhe Moderna hoqi dorë nga tarifat e caktuara gjatë krizës. /gazeta sot/

Te tjera

Lajme te tjera