E martë, 4 Gusht, 2026

Agjencia e Veterinarisë shton monitorimin për murtajën afrikane të derrave pas rasteve të konfirmuara në Serbi

Share

 Autoriteti Kombëtar i Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve (AKVMB) ka intensifikuar masat e vigjilencës dhe monitorimit në të gjithë territorin e vendit, pas konfirmimit të pranisë së murtajës afrikane të derrave (MAD) në Republikën e Serbisë.

AKVMB njoftoi se deri më tani janë kryer 97 monitorime në kuadër të programit të survejancës dhe kontrollit, me synim parandalimin e hyrjes dhe përhapjes së sëmundjes në Shqipëri.

Sipas autoritetit, murtaja afrikane e derrave është një sëmundje virale shumë ngjitëse që prek derrat shtëpiakë dhe të egër, por nuk transmetohet te njerëzit dhe nuk përbën rrezik për shëndetin publik.

Në kuadër të masave parandaluese, AKVMB u ka bërë thirrje fermerëve, gjuetarëve dhe mbarështuesve të derrave të raportojnë menjëherë çdo rast të dyshuar pranë shërbimit veterinar, të zbatojnë me përpikëri masat e biosigurisë dhe të shmangin lëvizjen e paautorizuar të kafshëve dhe produkteve të tyre.

Autoriteti thekson se bashkëpunimi i fermerëve dhe specialistëve veterinarë mbetet vendimtar për mbrojtjen e blegtorisë shqiptare dhe për parandalimin e përhapjes së Murtajës Afrikane të Derrave.

AKVMB bën të ditur se në vendin tonë nuk ka asnjë rast të shfaqjes së murtajës afrikane të derrave.

Te tjera

Lajme te tjera