E martë, 4 Gusht, 2026

“Paratë e pista po helmojnë konkurrencën”, Tabaku: Industria fason në krizë, qeveria po rrezikon mijëra vende pune

Share

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka akuzuar qeverinë se, pas 13 vitesh në pushtet, e ka çuar industrinë fason drejt një krize të thellë, duke vënë në rrezik mijëra vende pune dhe konkurrueshmërinë e ekonomisë shqiptare.

Në një reagim të publikuar në rrjetet sociale, Tabaku u shpreh se mbi 175 mijë familje shqiptare po përballen me pasojat e asaj që e cilësoi si një model ekonomik të dështuar.

Sipas saj, sektori fason po përballet me vështirësi të shumta për shkak të mungesës së mbështetjes nga shteti, zhvlerësimit të euros, rritjes së kostove të prodhimit dhe barrës fiskale.

“Paratë e pista dhe krimi i organizuar po helmojnë konkurrencën dhe ekonominë. Ndërkohë, qeveria as e mbështet dhe as e subvencionon industrinë fason, e goditur rëndë edhe nga zhvlerësimi i euros, kostot e larta dhe taksat. Në mes të kësaj tragjedie që po konsumon jetën e mijëra familjeve, Shqipëria po humbet markën ‘Made in Albania’. Pamjet e bizneseve që nxirren në shitje dhe të sipërmarrësve që paketojnë pajisjet për t’u larguar e për të hapur vende pune diku tjetër janë dëshmia e vizionit ekonomik të dështuar të kësaj qeverie”, shkroi Tabaku.

Deputetja demokrate ngriti gjithashtu shqetësimin se ekonomia shqiptare po ndikohet nga paratë e pista dhe krimi i organizuar, të cilat, sipas saj, po deformojnë konkurrencën në treg dhe po dëmtojnë bizneset e ndershme.

“Pas 13 vitesh në qeveri, socialistët, në kulmin e pushtetit të tyre, u kanë lënë mbi 175 mijë familjeve shqiptare një kartolinë të hidhur: zhbërjen e industrisë fason dhe çuarjen drejt falimentimit të një sektori që dikur punësonte mbi 175 mijë shqiptarë.

Ky është rezultati i një sistemi ekonomik dhe politik që sakrifikon familjet shqiptare, bukën dhe të ardhurat e tyre, për të mbajtur në këmbë një pakicë që e ka ngritur këtë sistem dhe përfiton prej tij.

Paratë e pista dhe krimi i organizuar po helmojnë konkurrencën dhe ekonominë. Ndërkohë, qeveria as e mbështet dhe as e subvencionon industrinë fason, e goditur rëndë edhe nga zhvlerësimi i euros, kostot e larta dhe taksat.

Në mes të kësaj tragjedie që po konsumon jetën e mijëra familjeve, Shqipëria po humbet markën “Made in Albania”. Pamjet e bizneseve që nxirren në shitje dhe të sipërmarrësve që paketojnë pajisjet për t’u larguar e për të hapur vende pune diku tjetër janë dëshmia e vizionit ekonomik të dështuar të kësaj qeverie.

Në një ekonomi botërore që ndryshon me shpejtësi, vendet e tjera ndërtojnë politika për të mbrojtur prodhimin dhe punësimin. Socialistët bëjnë të kundërtën: nuk punojnë për shumicën, por për pakicën që përfiton nga skemat e pastrimit të parave, abuzimi me pushtetin dhe bashkëjetesa me krimin e organizuar.

Pa prodhim nuk ka vende pune, eksporte dhe ekonomi të qëndrueshme. Shqipërisë i duhet një model ekonomik që mbështet sipërmarrjen dhe punën, jo një sistem që i detyron bizneset të mbyllen.”, shkruan Tabaku.

Te tjera

Lajme te tjera