Pushimet e verës duket janë “anuluar zyrtarisht” për kabinetin qeveritar “Rama 4”. Ndryshe nga sa mund të pritej në këtë periudhë vape, kryeministri Edi Rama ka vendosur të mbajë të gjithë kabinetin nën tension dhe punë intensive deri në ditët e fundit të gushtit, përpara nisjes së sesionit të ri parlamentar. Burime të besueshme për gazetarin e “Top Channel”, Muhamed Veliu, bëjnë me dije se tradita e takimeve informale të njohura si “retrat” do të vijojë edhe këtë vit. Data 24 dhe 25 gusht do të shënojë përplasjen e parë të fortë, ku në qytetin e Pogradecit të gjithë ministrat do të dalin në skaner për të raportuar bilancin dhe prioritetet e dikastereve të tyre për muajt e ardhshëm.
Stuhia e shtatorit dhe 6 ministri në “fije të perit”
Mirëpo ajo që e ka rritur me disa shkallë nivelin e ankthit në selinë rozë nuk është thjesht takimi dyditor në Pogradec, por ajo që pritet të pasojë në fillim të shtatorit. Paraprakisht mësohet se përpara seancës së parë parlamentare të 7 shtatorit, kreu i PS, Edi Rama mund të thërrasë mbledhjen e Asamblesë Kombëtare Socialiste. Nëse kjo mbledhje konfirmohet, ajo shihet nga të gjithë si momenti i mundshëm ku kryesocialisti do të shpallë ndryshimet në kabinet. Prej javësh brenda korridoreve të mazhorancës qarkullojnë zëra këmbëngulës për një rifreskim të thellë, ku të paktën 6 ministri rrezikojnë ndryshimin e drejtuesve të tyre.
Dokumenti “Besa” dhe mocioni i Spiropalit
Ndërkohë situata brenda Partisë Socialiste përshkruhet me panik e pasiguri, pasi vetë Rama e ka transformuar elementin surprizë në taktikën e tij të preferuar politike. Kryeministri Rama e ka ngritur trajektoren e kërkesës së llogarisë në nivele kapilare, e konkretizuar me të ashtuquajturin dokumenti “Besa”, metoda e re e punës me të cilën ai synon të udhëheqë mandatin e katërt qeverisës. Madje për “Besën” dje z. Rama reagoi në rrjetet sociale, teksa e ka përmbledhur filozofinë e këtij dokumenti me katër fjalë kyçe: Besim, Empati, Shërbim dhe Angazhim, duke shpjeguar kështu se këto janë parimet mbi të cilat do të mbështetet qasja e re e qeverisjes.
Më herët, Rama kishte shpjeguar se “BESA” synon të rikthejë besimin mes qytetarëve dhe institucioneve, përmes një administrate më të afërt me njerëzit dhe më të ndjeshme ndaj shqetësimeve të tyre. “Besimi nuk vritet me një krisëm, largohet kur trazohet uji, nuk kthehet me një thirrje, por vetëm kur gjen ujin miqësor”, u shpreh kryeministri gjatë prezantimit të dokumentit, duke përdorur një metaforë për të ilustruar nevojën për rindërtimin e marrëdhënies mes shtetit dhe qytetarëve.
Sipas tij, sfida kryesore e mandatit të katërt është rikthimi i këtij besimi përmes empatisë, shërbimit dhe një kulture të re qeverisëse. Gazeta “SOT” publikoi më herët të plotë dokumentin strategjik “BESA”, të prezantuar nga kryeministri përpara Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste dhe anëtarëve të kabinetit qeveritar. Gjatë prezantimit, Rama bëri të ditur se kishte përgatitur dy dokumente, “BESA” dhe “Dimensioni i Partisë”, të cilat sipas tij do t’u bëhen publike qytetarëve në kuadër të një konsultimi të gjerë për përmirësimin e qeverisjes.
Por përveç fatit të ministrave, Asambleja e pritshme e PS-së do të ketë në rendin e ditës edhe mocionin e depozituar nga deputetja Elisa Spiropali për hapjen e një dialogu kombëtar mbi një marrëveshje të re për Shqipërinë. Sidoqoftë, e gjithë kjo panoramë tregon se “ethet e gushtit” e kanë mbërthyer tashmë selinë rozë, ndërkohë që mbledhja e 24 dhe 25 gushtit në Pogradec do të jetë prova e “zjarrit” që do të zbulojë se cilët ministra do të fitojnë “Besën” e kryeministrit Edi Rama dhe cilët do të bëhen “kurban” duke u larguar nga kabineti qeveritar./gazeta sot/
