Kanë hyrë në fuqi masat e reja të parashikuara në Kodin Rrugor, të cilat ashpërsojnë ndëshkimet për një sërë shkeljesh, duke nisur nga drejtimi i automjetit në gjendje të dehur, qarkullimi pa leje drejtimi, tejkalimi i shpejtësisë, përdorimi i celularit në timon dhe shkeljet e kryera nga shoferët e rinj.
Një nga ndryshimet më të ashpra lidhet me drejtuesit që përsërisin shkeljen e drejtimit të automjetit në gjendje të dehur. Nëse një shofer është ndëshkuar më parë për këtë shkelje dhe kapet sërish duke drejtuar mjetin me mbi 0.5 g/litër alkool në gjak, leja e drejtimit do t’i hiqet përgjithmonë, pa asnjë mundësi për ta rimarrë përmes autoshkollës. Kjo masë synon të largojë nga qarkullimi drejtuesit kronikisht të dehur, të cilët konsiderohen ndër më të rrezikshmit në rrugë.
Ndryshime të rëndësishme parashikohen edhe për personat që drejtojnë automjet pa leje drejtimi. Nëse një person në moshë madhore kapet duke qarkulluar pa patentë, përveç gjobës, nuk do të ketë të drejtë të pajiset me leje drejtimi për 1 vit, duke mos mundur të regjistrohet në autoshkollë gjatë kësaj periudhe.
Masat janë edhe më të ashpra për të miturit që kapen në timon. Edhe pasi të mbushin moshën 18 vjeç, ata nuk do të mund të marrin patentën si bashkëmoshatarët e tyre, por do të duhet të presin të paktën edhe 2 vite të tjera për t’u paraqitur në autoshkollë.
Statistikat e ngjarjeve rrugore tregojnë se shoferët e rinj që sapo janë pajisur me leje drejtimi kanë probabilitet më të lartë të përfshihen në aksidente, për shkak të shpejtësisë dhe shkeljeve të tjera. Për këtë arsye, gjatë 2 viteve të para pas marrjes së patentës, ata nuk duhet të konsumojnë asnjë sasi alkooli kur janë në timon. Po ashtu, shpejtësia maksimale e lejuar për ta do të jetë 90 km/h në autostradë dhe 80 km/h në rrugët e tjera jashtë qendrave të banuara.
Mosrespektimi i këtyre rregullave ndëshkohet me gjobë nga 5 mijë deri në 15 mijë lekë, pezullim të patentës për 1 muaj dhe heqje pikësh. Nëse gjatë kësaj periudhe 2-vjeçare shoferi kryen 2 shkelje brenda 1 viti, kufizimet do të zgjasin edhe me 1 vit tjetër, duke e çuar afatin në 3 vite.
Ndryshim i rëndësishëm bëhet edhe për pezullimin e lejes së drejtimit. Nëse deri më tani pezullimi mund të konvertohej me pagesën e dyfishit të vlerës së gjobës, tashmë kjo mundësi nuk ekziston më për patentat e lëshuara nga autoritetet shqiptare. Pezullimi i lejes së drejtimit do të zbatohet automatikisht.
Rriten gjithashtu edhe gjobat për tejkalimin e shpejtësisë në zonat e banuara, pranë shkollave, si dhe për garat me makina apo manovrat agresive. Nga 10 mijë deri në 40 mijë lekë që ishin deri më tani, gjobat do të variojnë nga 20 mijë deri në 60 mijë lekë.
Një tjetër masë e re parashikon se drejtuesit e automjeteve që kapen dy herë brenda një viti duke përdorur celularin në dorë gjatë drejtimit do t’u pezullohet patenta për 3 muaj. Deri më tani, Kodi Rrugor e parashikonte këtë masë vetëm pas shkeljes së tretë.
Ndalimi i përdorimit të celularit nuk vlen vetëm për drejtuesit e automjeteve, por edhe për drejtuesit e biçikletave, motorëve deri në 50 kubikë dhe monopatinave.
