Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka deklaruar se PD është e gatshme të bashkëpunojë me të gjitha forcat politike opozitare për të dalë me kandidatë të përbashkët në zgjedhjet vendore të vitit 2027. Gjatë bashkëbisedimit online me qytetarët, ai tha se synimi është krijimi i një fronti të gjerë kundër qeverisë së Edi Ramës, ndërsa bëri të ditur se gjatë javës së ardhshme pritet të zhvillohen përpjekje më serioze për bashkëpunimin politik.
Duke iu përgjigjur pyetjes së një qytetari lidhur me mundësinë e kandidaturave të përbashkëta në të gjitha bashkitë, Berisha theksoi se opozita është e hapur për propozime dhe marrëveshje me faktorët e tjerë politikë. ‘Partia Demokratike është e hapur ndaj të gjitha forcave të tjera politike që e konsiderojnë Edi Ramën të keqen më të madhe, për kandidatë të përbashkët, për zona të veçanta, për çfarëdo propozimi të arsyeshëm që të mund të krijojmë një front të përbashkët’, deklaroi Berisha.
Gjatë përgjigjes për qytetarët, kryetari i PD-së Sali Berisha sqaroi se deri tani nuk janë zhvilluar negociata të mirëfillta, por konfirmoi se kontaktet dhe përpjekjet për bashkëpunim do të intensifikohen në ditët në vijim. ‘Për sa u përket negociatave, nuk mund të them se janë zhvilluar negociata të mirëfillta, por disa përpjekje janë bërë dhe tani në javën që vjen do bëhen përpjekje serioze, të plota në këtë drejtim’, u shpreh kryetari i PD-së. Ai tha se fronti i përbashkët opozitar ka dy objektiva kryesore: vijimin e protestave kundër qeverisë dhe bashkërendimin e qëndrimeve për zgjedhjet e ardhshme.
Në të njëjtën kohë, lideri i opozitës Sali Berisha u ndal edhe te protesta e 28 Nëntorit, duke përsëritur thirrjen për pjesëmarrje masive të qytetarëve në Tiranë. Sipas tij, bashkimi i qytetarëve përtej bindjeve politike është i domosdoshëm për të kërkuar rikthimin e votës së lirë. ‘Bashkimi është jetik dhe vendimtar. Unë i siguroj shqiptarët se Partia Demokratike nuk do të ndërpresë kurrë përpjekjen dhe betejën e saj’, deklaroi Berisha.
Kryetari i Partisë Demokrate Sali Berisha ftoi të gjithë shqiptarët të marrin pjesë në tubimin e 28 Nëntorit, duke e lidhur këtë datë me thirrjen për bashkim politik dhe kundërshtimin e qeverisë. ‘Unë ftoj të gjithë shqiptarët me 28 Nëntor, të gjithë në Tiranë, të ngrihemi në lartësinë e flamurit. Le t’i tregojmë ne më 28 se s’pajtohemi kurrë, se do t’i japim përgjigjen më të merituar Edi Ramës dhe regjimit të tij’, tha kryetari i PD-së, Sali Berisha.
