E diel, 22 Nëntor, 2026

Asambleja/ Rama i prerë me Veliajn: Larg duart nga zgjedhjet në Tiranë! Je në gabim në raport me mua dhe PS, kush ndjek këtë kuturisje qorre s’do ta tolerojmë

Share

Kryetari socialist Edi Rama ka zgjedhur të mos përfshihet në polemikat direkte me Erion Veliajn dhe akuzat e ngritura prej tij. Por ndërsa beteja për kryeqytetin në garën e 9 majit, është sfida kryesore për partinë socialiste dhe sprova direkte e saj, Rama qartazi e bëri të ditur nga Asambleja e PS se nuk do të lejojë që nga burgu, kryebashkiaku dhe vendimet e marra prej tij të bëhen pengesë.

“Një njeriu që nuk është i lirë i falet t’i lexojë gabim situatat, t’i gjykojë gabim gjërat, të fantazojë duke folur gabim dhe të porosis gabimisht punë të të gabuara. Po askujt që ka lirinë të marrë vendime në një funksion politik apo që ka detyrën ta vendosë veten në shërbim të të tjerëve, nuk i falet të bëjë të njëjtat gabime dhe lëre pastaj të zbatojë porosi që e bëjnë bashkëfajtor ndaj të tjerëve”, tha Rama.

Sipas Ramës, me porosi nga larg po goditen për motive të pajustifikueshme njerëz që janë në krye të detyrës, dhe se një gjë e tillë nuk do të falet.

“Si mund të largohet nga puna arbitrarisht një grua që e ka mbajtur me dinjitet uniformën e kryepolicit bashkiak të kryeqytetit ashtu si dhe të tjera e të tjerë drejtues dhe punonjës në hierarkinë e bashkisë së Tiranës. Pse nuk u bëjnë ‘like’ e ‘share’ doorëshkrimeve të ‘Lalit’ nga burgu imagjinar politik apo pse nuk gëzojnë mbështetjen e e avokatit të tij”, vijoi ai.

Një koment e pati edhe për avokatin e tij Plarent Ndreca, tashmë i përjashtuar nga PS. 

“I adresohet shkresërisht Bashkisë së Tiranës duke firmosur si drejtues politik, ndërkohë që është një nga dy të përjashtuarit e ditëve të fundit nga kjo shtëpi, ku s’do të tolerohet më askush që sillet me popullin si e ëma e Zeqos në majë të thanës”, theksoi Rama. 

Kryeministri tha se Veliaj është në gabim në raport me të dhe me Partinë Socialiste dhe se nuk do të tolerojë ata që zbatojnë porositë e tij.

“Unë nuk e gjykoj dot Erjonin për çfarë ai thotë dhe çfarë ai bën, po vetëm uroj me gjithë zemër që ai të kuptojë se është në gabim ditë e natë në raport me mua dhe në raport me Partinë Socialiste të Shqipërisë, por ne do ta gjykojmë me ashpërsinë më të madhe politike. këdo në bashkinë e Tiranës që do ta zbatojë këtë kuturisje qorre kundër njerëzve të bashkisë”, vijoi Rama.

Situatën e krijuar me një bashki të mbetur pa drejtim që prej shkurtit të vitit të kaluar, kur Veliaj u arrestua, Rama tha se “do ta zgjidhim vetëm në 9 maj fitoren e Tiranës në ditën e madhe të Europës.”

Sigurinë në fitore, ai e sheh dhe te dobësitë e kundërshtarëve dhe alternativave përballë partisë socialiste “janë seriozisht të rrezikshme për të nesërmen e vendit, pasi pas çdonjërës prej tyre vjen kaosi, vjen konfuzioni, vjen paqëndrueshmëria që e kërcën e kërcënon sot Shqipërinë si një hije që tanimë është e dukshme për këdo që ka sy të shikojë”.

Te tjera

Lajme te tjera